Një stallë bagëtishë është përfshirë nga flakët mbrëmjen e kaluar në lagjen “Kola” të qytetit të Burrelit.
Flakët janë konstatuar rreth orës 22:30 nga komshinjtë, të cilët tentuan shuarjen e zjarrit me mjete rrethanore. Ndërkohë menjëherë aty kanë shkuar ekipet dhe mjetet zjarrfikëse të Bashkisë së Matit por për shkak të konstruktit të stallës dhe pranisë së rreth 1000 ballave bari (ushqim për bagëtinë) fikja e zjarrit ka qenë e pamundur.
Kryefamiljari Ramazan Kola tha se dëmi ekonomik është shumë i madh pasi i janë djegur 4 krerë lopë, 4 krerë viça, 10 dele, shpendë e 1 mijë balla bari si dhe është shkatërruar stalla e bagëtisë e gjitha.
Grupi hetimor ishte në vendin e ngjarjes për të zbuluar shkaqet e vërteta të rënies së zjarrit, ndërsa paraprakisht dyshohet për shkëndijë elektrike. Ndërkohë dëmi ekonomik përllogaritet të jetë afro 40 mijë euro.