Dhjetë vjet më parë, Isuf Kërçiku vendosi të shpërngulej nga Kamza e zhurmshme drejt Farkës së Vogël, asokohe një fshat piktoresk në periferi të Tiranës me një liqen të vogël në qendër të tij.
Kërçiku, 78 vjeç, thotë se e zgjodhi Farkën për qetësinë, natyrën e bukur dhe ajrin e pastër. Por brenda një dekade, kjo “parajsë” e dikurshme u zhduk nga vala e ndërtimeve dhe zhurma e makinerëve të rënda.
“Shikoni vetë si është bërë, kantier,” thotë Kërçiku, duke zgjatur dorën drejt godinave në ndërtim e sipër. “Dakord, duhet t’i hapim rrugë zhvillimit, por jo çdo gjë beton. Të lemë diçka edhe për natyrën,” shtoi ai.
Farka e Vogël ndodhet vetëm 9 kilometra larg qendrës së Tiranës dhe është sot destinacioni më të ri i rezidencave dhe komplekseve të vilave për banorët e pasur të kryeqytetit. Të paktën 15 komplekse vilash dhe dy pallate gjenden aktualisht në proces ndërtimi, ndërsa të tjera projekte janë në pritje të miratimit të lejeve nga Bashkia e Tiranës.
Presioni i lartë për ndërtim ka sjellë gjithashtu një rritje të vlerës të tokës. Banorët thonë se preferojnë gjithsesi që të mos shesin, por ta japin tokën për zhvillim në këmbim të sipërfaqeve të ndërtimit.
Ky është edhe shembulli i ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja.
Pasi investoi 3 milionë lekë për blerjen e një sipërfaqeje toke prej 1 mijë metrash katrorë në vitin 2021, Manja synon që ta transformojë atë në një pasuri me vlerë qindramijëra euro brenda një kompleksi vilash me pishina dhe mure rrethuese buzë liqenit të Farkës.
Tre vjet pas blerjes së tokës, Manja dhe bashkëshortja e tij aplikuan për leje ndërtimi në Bashkinë e Tiranës për projektin e një kompleksi vilash, së bashku me pronarë të tjerë të tokave fqinje në Farkë.
Transaksionet e kryera nga ministri i Drejtësisë ngrejnë pikëpyetje, pasi ai e bleu tokën nën vlerën e tregut nga një zyrtar lokal i Partisë Socialiste dhe synon që ta zhvillojë atë përmes një kompanie fituese të një koncesioni nga qeveria “Rama”.
Të dhënat e siguruara nga BIRN nga tre agjenci imobilare dhe Agjencia Shtetërore e Kadastrës sugjerojnë se ministri i Drejtësisë e bleu tokën me një çmim thuajse 3-fish më të lirë sesa vlera e tregut dhe gati sa gjysma e vlerës mesatare të shitjeve të deklaruara në të njëjtën periudhë në këtë zonë.
“Transaksionet e zyrtarëve të lartë, të cilat janë jashtë kushteve të tregut, janë subjekt i dyshimit të arsyeshëm dhe e meritojnë të eksplorohen në detaje për të parë përfshirjen e personave të tretë si maskim për interesa korruptive dhe shkëmbime favoresh,” thotë Zef Preçi, ekspert i ekonomisë dhe drejtues i Institutit për Studime Ekonomike.
Ministri Manja nuk iu përgjigj pyetjeve të detajuara, por i tha BIRN përmes një zëdhënësi se ai dhe familjarët e tij i nënshtroheshin ligjit për deklarimin dhe kontrollin e pasurive nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, ILDKPKI.
“Deklarimi është i disponueshëm për shqyrtim sipas procedurave të parashikuara nga ligji dhe unë jam plotësisht transparent në lidhje me pasurinë time,” tha Manja. /Reporter.al/