Aktualitet

BE-SHBA dënojnë dhunën e Rithemelimit para Bashkisë së Tiranës: Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike!

Shkruar nga Liberale

BE-SHBA dënojnë dhunën e Rithemelimit para Bashkisë së

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe Prezenca e Bashkimit Europian në Shqipëri të premten dënuan në bllok aktet e dhunës së ushtruar gjatë protestës së Rithemelimit para Bashkisë së Tiranës.

Në deklaratën e saj për mediat, BE e dënoi dhunën e përdorur nga një pjesë e opozitës shqiptare, duke theksuar më tej se akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.

Mënjëherë, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë, e cila theksoi se e drejta për të protestuar është pjesë e demokracisë, por jo aktet e dhunës.

Po ashtu, ambasada amerikane përshëndeti edhe zyrtarët policorë, të cilët, sipas asaj, qëndruan në lartësinë e detyrës.

Një grup protestuesish hodhën molotov dhe flakadanë drejt godinës së Bashkisë, ndërsa nuk munguan konfrontimet fizike mes eksponentëve të opozitës dhe punonjësve të policisë.

Reagimi i BE:

'Ne dënojmë fort dhunën gjatë protestës së sotme në qendër të Tiranës, gjatë së cilës u hodhën mjete piroteknike të improvizuara ndaj godinës së bashkisë. Akte të tilla nuk kanë vend në një shoqëri demokratike dhe nuk kanë të bëjnë me të drejtën legjitime për protestë paqësore.'

Reagimi i ambasadës amerikane:

'Ambasada e Shteteve të Bashkuara dënon aktet e dhunës gjatë protestës së sotme pranë Bashkisë së Tiranës. E drejta për t’u mbledhur në mënyrë paqësore, për të protestuar dhe për të kërkuar veprim kundër korrupsionit janë të gjitha jetike në çdo demokraci, por nuk ka vend për dhunën e ndërmarrë nga organizatorët. Aktorët politikë të përgjegjshëm duhet të refuzojnë çdo formë dhune. Përshëndesim zyrtarët e forcave të rendit për profesionalizmin e tyre gjatë protestës së sotme.'

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH