Aktualitet

Akuzohet se porositi rrëmbimin e Jan Prengës, ekstradohet sot nga Turqia "bosi i kokainës", Dritan Rexhepi

Shkruar nga Liberale

Akuzohet se porositi rrëmbimin e Jan Prengës, ekstradohet sot nga

Dritan Rexhepi, i njohur si "bosi i kokainës", i cili u arrestua të Stamboll të Turqisë në nëntor 2023, do të ekstradohet gjatë ditës së sotme në Shqipëri.

Rexhepi, i cilësuar si kreu i kartelit të drogës me emrin ‘Kompania Bello’, kërkohej nga Italia dhe Shqipëria nën akuzën se transportonte drogë nga Amerika e Jugut në Evropë.

Mediat turke raportuan asokohe se Rexhepi kishte hyrë në Turqi me pasaportë false kolumbiane, ndërsa u kap më 8 nëtor gjatë një operacioni në Stamboll.

"Si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Turqi, pritet që ditën e sotme, të ekstradohet në Shqipëri, shtetasi i shumëkërkuar Dritan Rexhepi alias Gramos Rexhepi.

Ora e mbërritjes së këtij shtetasi do t’ju njoftohet në vijim, ndërsa informacioni i detajuar për të, bashkëlidhur me pamje filmike, do t’ju vihet në dispozicion pas mbërritjes së tij në Rinas."- thuhet në njoftim.

Kush është Dritan Rexhepi? 

Shqiptari i cili ishte edhe një nga drejtuesit kryesor të kartelit shqiptar të kokainës të njohur me emrin ‘Kompania Bello’ u kap në një vilë luksoze në Turqi, pasi shërbimet italiane të sigurisë sinjalizuan homologët turq për mbërritjen e Rexhepit në Stamboll.

Dritan Rexhepi ishte futur në Turqi me një pasaportë të falsifikuar kolumbiane me emrin Benjamin Omar Perez Garcia. Gjatë operacionit atij iu gjetën një pistoletë, një sasi parash si dhe disa sende personale me vlerë.

Rexhepi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në gjysmën e Europës. Ai vepronte si ndërmjetës dhe organizator në emër të dy grupeve kriminale shqiptare, duke patur akses në sasi të pafundme kokaine.

Por Dritan Rexhepi është në kërkim edhe nga autoritetet shqiptare, si porositës i rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës. Kjo,  pasi vëllai i Janit, Astrit Prenga, kishte vjedhur një sasi kokaine në Britaninë e Madhe që i përkiste Rexhepit dhe nuk kishte kthyer as shumat e parave.

Jan Prenga u rrëmbye në Kamëz më 17 Janar 2020. Prej afro 4 vitesh trupi i tij nuk është gjetur ende. Pamjet e kamerave të sigurisë në Kompleksin ‘Golden’ në Shijak u kthye në skenë krimi, ndërsa policia mundi të arrestonte disa persona: Leonard Hajrin, Bajram Hajrin, Festim Bexhdilin, Olsi Turjan si dhe Ardian Docaj.

Aktualisht në burg ka mbetur i dënuar vetëm Festim Bexhdili, kopshtari i kompleksit. Ndërsa në kërkim është ende Altin Hajri.

Në ngjarjen kriminale të rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës sipas SPAK është i përfshirë edhe Gentian Doçi, i cili ndodhet i arrestuar në Spanjë.

Dritan Rexhepi ka një të shkruar të pasur kriminale. Ai është akuzuar për vrasjen e dy policëve në vitin 1998. Më pas, ai është arratisur dy herë duke u larguar nga Shqipëria e duke u bërë një ndër bosët e trafikut të kokainës.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH