GJKKO ka liruar nga qelia Bashkim Haxhijan, i akuzuar për trafik droge. Ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest shtëpie” për shkak të mbarimit të afateve të paraburgimit.
Vendimi i GJKKO:
Kërkuesi Bashkim Haxhija (i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në formën e veҫantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/1 dhe 28/4 të Kodit Penal, atribuar më datë 18.07.2023) me datë 04.11.2024 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt:
“Konstatimin e shuarjes së masës së sigurimit personal “arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me Vendimin Nr. 308 Akti, datë 21.07.2023, ndaj personit nën hetim Bashkim Haxhija, për shkak të humbjes së fuqisë së paraburgimit”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Bani, bazuar në nenet 263, 1 pika “c”, 266 pika 1 të K.Pr.Penale, si dhe në vendimin Nr. 195, datë 24.07.2024 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, me vendimin Nr. 625, datë 06.11.2024, vendosi:
1. Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimi, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale caktuar ndaj personit nën hetim Bashkim Musa HAXHIJA, me Vendimin Nr. 308, datë 21.07.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zgjatuar me vendimin Nr. 439, datë 16.07.2024 të kësaj Gjykate, për shkak të kalimit të afateve të paraburgimit gjatë hetimeve paraprake.
2. Bazuar në nenin 266 pika 1 të K.Pr.Penale caktimin ndaj personit nën hetim Bashkim Musa HAXHIJA, të masës së sigurimit personal “Arrest në shtëpi” parashikuar nga neni 237 i K.Pr.Penale.
3. Detyrohet personi nën hetim Bashkim HAXHIJA të mos largohet nga banesa e tij me adresë: ****.
4. Detyrimin e personit nën hetim Bashkim HAXHIJA, të mos komunikojë me persona të tjerë me përjashtim të atyre që bashkëjetojnë me të.
5. Zbatimi dhe mbikëqyrja e kësaj mase të bëhet nga oficerët e policisë gjyqësore që mbulojnë vendbanimin e personit nën hetim Bashkim HAXHIJA.
6. Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në bashkëpunim me policinë gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
7. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Posaҫme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi.