Një aksident rrugor ndodhi pasditen e së hënës në aksin “Shkodër – Muriqan”, ku u përplasën dy automjete. Si pasojë, u plagosën të dy drejtuesit e makinave, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ngjarja ndodhi rreth orës 19:25. Sipas të dhënave paraprake, shtetasi L. H., 52 vjeç, dyshohet se humbi kontrollin mbi makinën e tij, duke u përplasur me një tjetër automjet që drejtohej nga shtetasi N. B., 70 vjeç.
Të plagosurit u dërguan menjëherë në Spitalin Rajonal të Shkodrës, ku morën ndihmën mjekësore të nevojshme.
Policia dhe grupi hetimor janë në vendngjarje dhe po punojnë për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.