Aktualitet

5 strategji që Ministria e Arsimit dhe Sportit mund të ndjekë për të mbajtur të rinjtë në vend

Shkruar nga Enkeleda Stafa

5 strategji që Ministria e Arsimit dhe Sportit mund të ndjekë

 

Duke marrë parasysh largimet e mëdha të të rinjve Ministria e Arsimit dhe Sportit ka përpara një detyrë të rëndësishme për të krijuar një mjedis tërheqës dhe inkurajues për studentët e rinj, duke i përkrahur ata të qëndrojnë dhe të zhvillohen në Shqipëri. Parë me sytë e një studenti, neërmjet këtij shkrimi sjellim disa ide të cilat mund të shërbejnë si strategji që mund të ndiqen për të arritur këtë qëllim:

1. Përmirësimi i cilësisë së arsimit:
Sigurimi i një cilësie më të lartë të arsimit është kritike. Investimi në infrastrukturën shkollore, përmirësimi i programeve dhe trajnimit të pedagogëve, si dhe krijimi i një mjedisi tërheqës mësimor janë elemente që mund të ndikojnë në vendimin e studentëve për të studiuar në Shqipëri.

2. Përkrahja financiare dhe bursat:
Krijimi i fondeve për bursa dhe ndihma financiare për studentët e rinj mund të ndihmojë në zvogëlimin e barrës ekonomike. Kjo është një strategji e cila praktikohet nëpërmjet bursave por përsëri shuma e cila jepet për studentët është gati gati e papërfillshme krahasuar me shpenzimet mujore të një studenti. Rritja e bursës do t'i inkurajojë studentët të vazhdojnë të qëndrojnë në Shqipëri për të mbaruar studimet e tyre.

3. Bashkëpunimi me biznesin dhe tregun e punës:
Ministria duhet të krijojë partneritete të ngushta me kompanitë dhe tregun e punës për të siguruar që aftësitë dhe njohuritë e fituara nga studentët përshtaten me kërkesat e tregut tonë të punës. Teorikisht këto praktika ekzistojnë, mirëpo sesa praktikohen, mbetet të diskutueshme. Si pasojë duke mos pasur të qartë se çfarë pune mund të bëjnë në përfundim të asaj për çka po shkollohen, ndjenja e pasigurisë i shtyn të zgjedhin një vend tjetër për të dhënë kontributin e tyre, një vend i cili i bën të ndihen më të sigurt se do të punësohen e vlerësohen në bazë të meritës. 

4. Promovimi i programeve të inovacionit dhe teknologjisë:
Zhvillimi i fushave të inovacionit dhe teknologjisë mund të përcaktojë një strategji të mirë për të mbajtur të rinjtë në Shqipëri. Krijimi i ambienteve të përshtatshme për hulumtim dhe zhvillim dhe ofrimi i programeve të specializuara mund të jenë faktorë të rëndësishëm. Për shembull ndërtimi i laburatorëve me mjete të specializuara inkurajon studentët të cilët kanë interes në fusha të tilla si kimia, biologjia, teknologjia e informacionit etj, të qëndrojnë duke parë se vëndi i tyre i siguron mundësi të mira për zhvillimin e pasioneve.

5. Ndërtimi i partneriteteve ndërkombëtare:
Krijimi i lidhjeve me institucione të tjera të arsimit në nivel ndërkombëtar mund të ofrojë mundësi të reja për shkëmbim të dijeve dhe përparim të karrierës për studentët shqiptarë. Si studente, e cila ka qënë pjesë e një programi të shkëmbimit studentor, mund të them se ofrimi i mundësisë për të parë se si funksionon arsimi në një shtet tjetër, është një nga gjërat më të mira që kam përfituar nga universiteti ku studioj. Duke patur mundësinë për të parë më në brendësi hallkat e arsimit të një vendi tjetër kuptova se realisht Shqiperia ishte vendi ku doja të vazhdoja karrierën, mirëpo për të dalë në këto konkluzione është mirë që studenti ta shohi veten në një mjedis të ri të pa shkelur më parë.

Nëse këto strategji do të përdoreshin me përkushtim, mund të themi me siguri se do mund të kontribuojnë në rritjen e pjesëmarrjes së studentëve të rinj në arsimin e lartë në Shqipëri dhe në mbajtjen e talenteve në vënd.  

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH