Shqipëri

25 VITE MË PARË/ SOROS: Përparësi Shqipërisë

Shkruar nga Liberale

25 VITE MË PARË/ SOROS: Përparësi Shqipërisë

Marrë nga gazeta “Koha Jonë” e datës 13 janar 1999, Përgatiti për Liberale.al, Laert Miraku

                             SOROS: Përparësi Shqipërisë

TIRANE - "Shqipëria do të vazhdojë të ketë përparësi në politikat e Xhorxh Sorosit", ka theksuar dje në Kamerun Harrison, Drejtori i Institutit për Politikën Arsimore të fondacionit Soros gjatë takimit me Zëvendëskryeministrin Ilir Meta. Në këtë takim Harrison ka falënderuar qeverinë për kapërcimin e vështirësive teknike në realizimin e projektit TIRANA 2000. Njëkohësisht përfaqësuesi i Sorosit ka shprehur gatishmërinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes shtetit shqiptar dhe fondacionit edhe për projekte të tjera. Vëmendja më e madhe gjatë takimit u përqendrua tek projekti "Shqipëria 2000". Ky parashikon rikonstruksione shkollash dhe ngritje godinash të reja në 12 rrethe me anë të një financimi të përbashkët prej 6 milionë dollarësh që do të përballohen në mënyrë të barabartë nga qeveria shqiptare dhe Programi për Zhvillimin e Arsimit të fondacionit. Për palën shqiptare është propozuar që të përdoren 3 milionë dollarë nga kredia e qeverisë greke. Projekti po shqyrtohet tani nga Këshilli i Ministrave, por Harrison i ka kërkuar Metës që të përshpejtohen procedurat drejt realizimit të tij. Për këtë ka propozuar që t'i kërkohet qeverisë së Athinës leja për përdorimin e fondit 3 milionësh. Zëvendëskryeministri Meta që është dhe Ministër i Koordinimit Qeveritar, ka premtuar të kontaktojë menjëherë me Athinën, për t'i hapur udhë realizimit të shpejtë të "Shqipërisë 2000". Sipas zëdhënësit të shtypit përveç rehabilitimit të ndërtesave arsimore, rikonstruksionit apo ndërtimeve të reja, Harrison ka parashtruar edhe projekte të fokusuara në përmirësimin e menaxhimit të drejtimit në shkollë si dhe në kualifikimin e administratës publike. Kjo pikë ka pasur dhe përkrahjen e Metës, i cili ka shprehur prirjen e qeverisë shqiptare për bashkëpunim, sidomos në kualifikimin e administratës. "Kemi një popullsi me moshë të re, një rini me ambicie të mëdha për t'u shkolluar e aftësuar dhe ne si qeveri jemi të angazhuar seriozisht të plotësojmë këtë ambicie të saj”, ka thënë Meta duke theksuar kontributin e fondacionit Soros në këtë fushë. M. PRENDI

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH