Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 32-vjeçar, i cili dyshohet se iu shpërndante kokainë klientëve të tij në një lokal, në zonën e Astirit.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 60.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, përzierës lënde narkotike, peshore elektronike dhe dy aparate celulare.
Njoftimi i policisë
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në sajë të informacioneve të marra në rrugë operative, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, arrestoi në kuadër të operacionit policor të koduar “Astiri”, shtetasin:
A. T., 32 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas u kap në flagrancë në një lokal në zonën e Astirit, me doza lënde të dyshuar narkotike të llojit kokainë, të cilat do ua shiste klientëve që frekuentonin këtë lokal.
Në vijim është ushtruar kontroll në banesën dhe në mjetin e këtij shtetasi, ku i janë gjetur një tjetër sasi me lëndë narkotike të llojit kokainë, përzierës lënde narkotike dhe peshore elektronike.
Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale:
60.2 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë;
dy shishe me përzierës lënde narkotike;
peshore elektronike;
dy aparate celulare.
Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”./Gazeta Liberale