Aktualitet

Shorti, emrat e gjyqtarëve të Apelit të cilët do të vendosin fatin e PD-së

Shkruar nga Liberale
Shorti, emrat e gjyqtarëve të Apelit të cilët do të

Elona Mihali do të jetë gjyqtarja që do të drejtojë çështjen për vulën e Partisë Demokratike.

Shorti është hedhur mesditën e kësaj të premteje, duke përzgjedhur emrat e trupës gjyqësore, të cilët do të vendosin se cila do të jetë partia më e madhe opozitare në Shqipëri, që do të futet në zgjedhjet e ardhshme, vendim i cili do të përcaktojë se cili do të mbajë logon dhe selinë. Automatikisht pjesa tjetër duhet të gjejë një logo dhe seli tjetër, nëse do të dëshirojë ta vazhdojë projektin politik veçmas apo do t'i bashkohet fituesit.

Pjesë e trupës gjykuese bashkë me kryesuesen Elona Mihali do të jenë dhe gjyqtarët Irida Kacerja dhe Astrit Kalaja.

Partia Demokratike që kur ish-kryeministri Sali Berisha u shpall non grata, dhe për këtë arsyem, pasi ish-kryetari Lulzim Basha e përjashtoi nga partia, mbetet e ndarë në dy fraksione. Pas dorëheqjes së Lulzim Bashës, grupimi i cili i qëndron linjës perëndimore drejtohet nga Enkelejd Alibeaj.

Grupi tjetër, ai i Rithemelimit në PD, drejtuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, pretendon se ka më shumë elektorat.

Aktualisht, vulën dhe logon e PD-së e ka zyrtarisht Alibeaj, megjithëse prej një viti strukturat janë inekzistente, për shkak të konfliktit. Me vendim të Gjykatës së Shkallës së Parë, kryetar është njohur Sali Berisha, por ky vendim është ankimuar nga Enkelejd Alibeaj. Do të jetë Gjykata e Apelit ajo që do të japë vendimin se kujt i takon vula dhe logoja e PD-së.

Nëse trupa e drejtuar nga Elona Mihali rrëzon vendimin e kolegut Agron Zhukri, atëherë grupimi i drejtuar nga Sali Berisha duhet të lirojë selinë, pasi kryetar i komanduar pas dorëheqjes së Lulzim Bashës është Enkelejd Alibeaj.

Por, nëse Gjykata e Apelit ia njeh vulën dhe logon fraksionit të drejtuar nga Sali Berisha, atëherë ky i fundit ligjërohet si kryetar i Partisë Demokratike. Po ashtu, në Kuvend dhe në institucionet e tjera ai do të njihet si kryetari legjitim i partisë më të madhe opozitare.

Zvarritja e vendimit ka vështirësuar punën edhe Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, pasi nuk mund të regjistrohen dy parti me njëjtin emër në zgjedhje.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH