Leteratura

Shkrimtari dhe paragjykimet

               Publikuar në : 09:55 - 08/07/19 Tobias Xhaxhiu

Tobias Xhaxhiu

Kur më ftuan për të shkruar këtë artikull, pata mëdyshjet e mia. Të flasësh për vështirësitë e të qenët shkrimtar, aq më tepër për ato të një shkrimtari të ri, s’është kurrë e lehtë, siç nuk është e lehtë të diskutosh për artin e Rilindjes përballë një auditori me interes të ulët kulturor. Jo më kot u ndala në këtë krahasim, pasi shtrirja kulturore qëndron në themel të evoluimit të shkrimësisë, në mungesë të së cilës, shkrimtari s’do t’ishte tjetër veçse një dokumentues subjektiv i realitetit. Gjykuar nga ky këndvështrim, vështirësitë e shkrimtarit janë të lidhura ngushtësisht me kohën në të cilën ai jeton dhe vepron, vendin dhe përvojën kulturore.

Safo jetoi në një kulturë ku ekzistonte një pozitë e merituar për njerëzit e fjalës, ku poeti udhëhiqte botën e ritualit dhe vallëzimit; Pindari, që jetonte gjithashtu në ishujt grekë, u thurte lavde mbretërve dhe tiranëve për fitoret e karrocave të tyre në garat e kuajve dhe thuajse të gjithë poetët me hir a me pahir, u shërbenin fisnikëve në Mesdhe, duke luajtur shpesh rolin e makiavelëve, apo “fijeve të padukshme”. Asokohe, trekëndëshi “fe – dije – pushtet” qëndronte në apogjeun e kësaj piramide, për arsyen e thjeshtë se dija dhe oratoria shiheshin si virtyte të pastra të llojit të njeriut, pasqyra më e mirë e ndarjes së tij nga shtazët. E ilustruar kësisoj, jeta e një autori të antikitetit i ngjan një aradhe privilegjesh, çka padyshim nuk ish e tillë, por mendoj se diçka ishte në favorin e tyre: “sistemi i vlerave”.

Shekulli i 20 njeh dhe zhvillimin më të hovshëm të letërsisë dhe ndarjen e saj në zhanre të mirëpërcaktuara, sidomos në kulturën perëndimore. Ky ndryshim u mbështet nga përsosja e teknikave të botimit dhe të shpërndarjes, si dhe nga lindja e shtëpive të mëdha botuese. Paraja është një mjet i domosdoshëm, por ndonjëherë ngjyra e saj e gjelbër e ndot mjedisin krijues. Të gjithë e dimë se ndërkohë që thellohemi në kërkimin e të vërtetave ndër romane e poezi, diku, në ndonjë zyrë të këndshme, madje as nga vetë duart e tij, një kuzhinier po shkruan bestsellerin e tij të ardhshëm, dhe njëkohësisht me të, një shkrimtar i vërtetëlufton për ta parë emrin të lakuar në recensionin e ndonjë kritiku hijerëndë, të një gazete po aq hijerëndë.

“Dielli nuk perëndon kurrë në Perandorinë e pasivitetit modern”, thotë Gi Debor në librin e tij eseistik “Shoqëria e spektaklit” dhe kjo thënie duket se është përshkrimi më i mirë i vegjetimit letrar, ku vlera e një vepre qëndron në formë (dukjen e saj), ndërsa thelbi i lihet rastësisë fatlume dhe kur ky “aksident” ndodh, vepra shpallet një “klasik bashkëkohor”. Në habitatin shqiptar, ku sistemi gjeocentrik i të kuptuarit të botës është moto, shkrimtari i ri, i pajisur veç me një shpatë të drunjtë, fjalën e tij, i duhet të luftojë me një sërë gjigantësh derisa të shohë dritën e suksesit.

Fillimisht, shkrimtari “vocërrak” duhet të përballet me paragjykimet. Ndërkohë që të gjithë njerëzit në moshë kanë qenë dikur të rinj, asnjë i ri s’ka qenë i vjetër, dhe ky fakt shqetëson jo pak, duke menduar se artisti i ri është i papërvojë dhe vetëm koha mund t’i sigurojë atij përsosjen e duhur. Ky perceptim mund të jetë deri diku i drejtë, por njëherësh ushqen ndjesinë e dorëzimit dhe nënvlerësimit në psikikën e autorit të ri, që më së shumti ka nevojë për mbështetje, duke marrë parasysh se ç’zanat fisnik e të vështirë ka vendosur të lëvrojë. Ky mentalitet gjen hapësirën e përshtatshme në vendet e ish-bllokut lindor, ku mendimi intelektual është i brumosur nga klishetë dhe kultura është një trup i pakokë, që endet kuturu, me shpresë se era perëndimore do ta përplasë në ndonjë qoshk të lumtur.

Frika nga “shfaqjet e huaja” ndërkallet përsëri. Elemente si ato të realizmit magjik, noir-it apo të trajtimit të subjektit sipas një strukture narrative bashkëkohore janë të denoncueshme e nuk i flasin mikrobotës sonë, e cila është dalluar shpesh për kokëfortësi. Ky deduksion del zakonisht nga gojë shkrimtarësh që përpiqen ta orientojnë lexuesin drejt një letërsie në vendnumëro. Ndërkohë, ata pak lexues të mirë që kanë mbetur në anët tona, refuzojnë të lexojnë produktin vendas. E gjitha kjo dëmton startin e shkrimtarit të ri në rrugën e tij të gjatë e të vështirë. Nëse flasim për jetën e përditshme të një shkrimtari esordient në Shqipëri, është e qartë se ky i fundit e ka të pamundur t’i dedikohet krijimtarisë së tij me kohë të plotë, qoftë ky dhe një autor i shumëshitur në vend. Pagesat e ulëta, honorarët e paqena, si dhe mangësia e një industrie të mirëfilltë të botimit, e shndërrojnë këtë mjeshtëri në një hobi për njerëz me durim të hekurt.

Shkrimtarët janë të papërfaqësuar dhe vetëmenaxhohen, pasi struktura si agjencitë letrare janë inekzistente. Në këtë prizëm, instancat shtetërore duhet të angazhohen me shtimin e aktiviteteve që kanë në fokus librin dhe veçanërisht autorët e rinj. Certifikimi i vlerave është mjaft i rëndësishëm për autorët në hapat e parë, pasi në këtë mënyrë ata mund të evidentohen dhe të ndërtojnë emrin e tyre. Një ndihmesë të madhe në këtë aspekt ka dhënë edhe çmimi “Kadare”, i cili prej 5 vitesh tashmë u jep mundësinë autorëve të çdo kategorie që të provojnë veten në një garë të hapur, duke dorëzuar veprat e tyre në dorëshkrim. Ky projekt ka risjellë vëmendjen te prurjet e reja të letërsisë shqipe, të cilat kanë qenë fokus debatesh të vijueshme në rrethet intelektuale.

Si një shkrimtar i ri, mendoj se nuk duhet harruar fakti se të shkruarit u jep gjërave atë vërtetësi, që edhe në epokën tonë postmoderne mbart një qëllim thellësisht moral dhe estetik, që mund të mbërrihet në çdo gjuhë të botës, duke e bërë këtë të fundit një vend më të mirë./Gazeta Liberale

(Visited 67 times, 2 visits today)

Etiketa:

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *