Në emisionin “Java në RTSH”, këtë të premte, analistët Preç Zogaj e Lorenc Vangjeli kanë bërë komentet e tyre për parashikimin pesimist të OKB-së, që projekton uljen drastike të popullsisë dhe moshës mesatare të shqiptarëve në tetëdhjetë vitet e ardhshme, përkatësisht në shifrat midis pesëqind dhe gjashtëqind mijë banorë popullsia, dhe rreth 62 vjeç mosha mesatare.
Parashikimet janë mbështetur në trendin me ulje të lindshmërisë dhe në rritje të emigrimit të shqiptarëve jashtë vendit.
Zogaj tha se parashikimi niset nga Shqipëria kështu siç është sot, ndërkohë që integrimi i vendit në Europë dhe vetë ndryshimet që priten të ndodhin në hartën politike dhe gjeografike të botës në tëtëdhjetë vitet e ardhshme do të vizatojnë realitete të reja sa i takon kufijve, shkëmbimeve dhe vetë organizimit të jetës në tokë.
“Sidoqoftë, të rinjtë e të rejat duhet të mendojnë seriozisht duke reflektuar në lidhje me misionin e vazhdimësisë së racës”, tha Zogaj në studio, duke ju drejtuar atyre mes buzëqeshjeve thirrjen biblike, “shkoni dhe shumëzohuni, bëni fëmijë”.
Lorenc Vangjeli gjithashtu, i vlerësoi me skepticizëm parashikimet e OKB-së, duke i vënë përballë një bote shumë më të larmishme e të integruar në globalitetin e saj në të ardhmen.