Kryesore

Shkolla është vendi ku mësohet demokracia

               Publikuar në : 09:39 - 13/01/21 liberale

Kolana UET Press – 15 vjet

Titulli i librit: Demokratizimi i Shqipërisë. Demokracia nga brenda

Autor: Theodore Kaltsounis

 

Milika Dhamo, Marjana Sinani         

Prof. Theodore Kaltsounis në këtë botim, sjell të strukturuar dhe në mënyrë analitike, përvojën prej një dekade të punës së tij në Shqipëri. Autori argumenton idenë e domosdoshmërisë së bashkërendimit të ndërtimit të institucioneve demokratike me zhvillimin e demokracisë “së brendshmi”. Ai analizon modelin e investimit strategjik të demokratizimit së brendshmi të Shqipërisë, një model që Ted e ideoi dhe udhëhoqi si edukator e sociopolitolog, por edhe si qytetar dhe shtetas i tri shteteve me histori të ndryshme zhvillimi të demokracisë.

Ted sjell në këtë manual mendimin e tij se “demokracia nuk importohet, por zhvillohet nga brenda”, se “përkujdesja për ndërtimin e institucioneve demokratike është e pamjaftueshme pa lartësimin e qytetarit”. Ai përshkruan punën stadiale të bërë në Shqipëri gjatë viteve 1992-2002 ku ai udhëhoqi me besimin dhe argumentet se shkolla është vendi ku mësohet dhe aplikohet demokracia. Prof. Kaltsounis përshkruan instrumentet, dimensionet dhe strategjitë e domosdoshme në fushën e edukimit për demokraci.

Përgjatë këtij libri shumë interesant, Prof. Kaltsounis rithekson besimin se të dokumentosh filozofinë, dilemat, paradokset, sfidat, zgjidhjet dhe gjithë itinerarin që kaloi projekti kombëtar “Edukimi për demokraci në shkollën Shqiptare”, në vitet 1995-2005, më shumë se detyrim vetiak i ndërmarrë që në vitin 1946, është detyrim profesional për t’i lënë shkollës shqiptare një histori suksesi në fushën e edukimit për demokraci. Ai përshkruan qëllimin, fazat, objektivat, terrenin shkollor shqiptar, ekspertizën shqiptare, ekspertizë që jo vetëm dëshironte, por dhe mësoi të përmbushë qëllimshëm disa nga dimensionet e edukimit për demokraci në gjithë hapësirën shkollore në Shqipëri.

Prof. Kaltsounis vjen me bilancin e aktiviteteve për demokraci së brendshmi që u shtrinë në një hark kohor relativisht të gjatë dhe që ngërthyen gjithë sistemin arsimor në mbarë vendin. Ai analizon perspektivat që hapën konferencat kombëtare fokusuar në edukimin qytetar demokratik në shkollë, potencialin që krijuan rreth 2500 mësues të trajnuar në gjithë vendin, shansin që dha botimi i 23 manualeve shkollore mbi demokracinë dhe mësimin e saj, qëndrueshmërinë që solli përfshirja e universiteteve të përgatitjes së mësuesve dhe vijimësinë qe solli ngritja e pesë Qendrave Universitare të Edukimit Qytetar Demokratik në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Elbasan dhe Tiranë.

Mirënjohje për këtë botim që vjen si dokumentim dhe si memorie, për t’ju rikthyer edukimit për qytetari demokratike në shkollë, tashmë në një kontekst të ri.

Largohet nga Shqipëria fëmijë, për t’u kthyer si akademik i edukimit qytetar…

Parathënie për botimin anglisht

Stephen E. Hanson, Herbert J. Ellison

Libri i Theodore Kaltsounis është sa i kohës, aq edhe i rëndësishëm dhe frymëzues. Në një kohë kur shpresat për demokraci në mbarë botën janë zhgënjyer, libri “Demokratizimi i Shqipërisë: demokracia nga brenda”, frymëzon aktivistët e demokracisë kudo që ndodhen.

Kaltsounis-i paraqet historinë e transformimit gradual demokratik të Shqipërisë post-komuniste – një transformim i ngadaltë i një prej vendeve më të varfra në Europë, i cili ka vuajtur për dekada të tëra nën një diktaturë veçanërisht të ashpër leniniste. Ky rast studimor nxjerr mësime të shumta për këdo që është i interesuar në fushën e reformave demokratike.

Së pari, Kaltsounis-i tregon ndikimin e thellë që ushtron edukimi qytetar në pjesëmarrjen demokratike, veçanërisht tek të rinjtë. Në një kohë kur studiuesit e shkencave sociale janë përqendruar më tepër në hartimin e kushtetutës dhe të sistemeve elektorale, të konsideruara si vendimtare për demokracinë, se sa në ndryshime më afatgjata, për shembull, në ato që lidhen me kulturën politike, rëndësia që Kaltsounis-i i jep edukimit është për t’u përshëndetur.

Së dyti, pavarësisht se nëntitulli është “demokracia nga brenda”, libri është një ndihmesë e vyer për të kuptuar shumë më qartë se ç’mund të bëjnë politikëbërësit perëndimorë për të mbështetur “demokracinë nga jashtë”. Specifikisht, duke synuar në gjetjen e fondeve dhe granteve të jashtme për të mbështetur mësuesit parimorë, pasi janë ata që realizojnë, në periudha afatgjata, edukimin qytetar në shkolla dhe universitete në rajone të ndryshme. Pra, në vend që të sigurojnë thjesht ndihma afatshkurtra për punonjësit me përvojë në kryeqytet, sikundër ka ndodhur në të shkuarën me shumë projekte të dështuara që kanë dhënë asistencë për demokratizim, donatorët perëndimorë mund t’u japin një ndjenjë sigurie individëve kyç në rrjetet e izoluara të aktivistëve të demokracisë.

Së treti, libri i Kaltsounis-i paraqet një udhëtim të paharrueshëm personal të autorit, i cili u largua nga Shqipëria si fëmijë dhe më vonë u bë një akademik i njohur i edukimit qytetar në Shtetet e Bashkuara. Kur rënia e komunizmit në Evropën Qendrore dhe Lindore i dha mundësi të vinte në zbatim të gjithë dijen që kishte fituar gjatë karrierës së tij akademike, ai e përqafoi me shumë dëshirë këtë sfidë. Ndikimi pozitiv i punës prej dy dekadash të Kaltsounis-it në Shqipëri, tregon qartazi se fati i demokracisë varet jo vetëm nga faktorë gjeografikë apo socio-ekonomikë, por edhe nga veprimet e individëve të përkushtuar, sikundër është edhe vetë autori. /Gazeta Liberale


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back