Aktualitet

Shkëlqimi i Lulzim Bashës dhe njeriu në kodër

               Publikuar në : 10:40 - 13/09/21 liberale

Nga Armand Kullau

Besoj e keni dëgjuar fabulën e diellit me erën nga Ezopi. Të dy debatonin se kush ishte më i fuqishëm dhe për ironi të fatit atje tej në kodër shfaqet njeriu duke ndjekur udhën e vet. Era dhe dielli vendosin se kush ia heq pallton njeriut do të ishte dhe më i fuqishmi. Fillon era e para, nis stuhitë e saj më të tërbuara duke e përplasur njeriun sa andej këtej por njeriu mbahet fort, e shtrëngon pallton akoma më fort dhe vazhdon të ecë. Jep e merr dhe në fund ajo dorëzohet pa ia arritur qëllimit. I vjen radha diellit, ai fillon të lëshojë rrezet e tij derisa njeriu fillon e ndjen vapë duke e hequr pallton. Dielli fiton duke treguar se mjeti më i mirë për të nënshtruar njeriun nuk është forca por bindja.

E tillë është edhe situata politike në vend midis Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të bindur opinionin publik për qendrimet karshi njëri-tjetrit.  Basha nuk është drejtuesi ideal por fundja kush ka qënë i tillë? Ai po shkëlqen  këto ditë duke eklipsuar për herë të parë në karrierën  e tij jo vetëm Doktorin por edhe Kryeministrin Edi Rama duke krijuar bindjen se ai mund të jetë Kryeministër i Shqipërisë. Në fakt, sjellja politike e Bashës gjatë gjithë këtyre viteve ka qënë e errësuar prej Berishës të cilin ai e pati si mentorin e tij politik deri ditën që e përjashtoi nga Grupi Parlamentar. Ajo që të bie në sy në rrugëtimin e tij është fakti se asnjëherë nuk ka qënë një politikan që ka patur aftësi dalluese siҫ ka patur Berisha, Rama apo drejtues të tjerë shqiptarë.

Basha më shumë nga të gjithë politikanët e sotëm ka një strategji e cila i ngjason asaj të Enver Hoxhës i cili në momentin e marrjes së pushtetit absolut brenda partisë dhe të krejt vendit u tregoi të gjithëve se kush ishte dhe se ҫfarë ambiciesh kishte, një njeri i paparashikueshëm dhe i pamëshirshëm, të paktën politikisht. Kush mendon se fytyra e trishtë e Bashës vjen prej frikës nga reagimi i Doktorit gabohet rëndë, ajo  është thjesht fytyra e një njeriu që mori një vendim në dëm të njeriut që e ngriti në majat e pushtetit të cilin e “tradhëtoi” për interesat e vet, një vendim që nuk do donte ta bënte por nëse do i duhej ta përsëriste, do e bënte pa hezitim.

Askush nuk e imagjinonte që ditën e enjte në momentin e fundit, Basha do të merrte një vendim drastik të atillë por ja që ndodhi. Nën presionin  e kancelarive europiane dhe kërcënimeve prej Uraganit Amerikan nga përtej Atlantikut, ai u detyrua të tregonte forcën dhe natyrën e vërtetë të ambicieve të tija personale. Kryetari i PD-së i dha një goditje Berishës e cila mund të rezultonte fatale për partinë për shkak të ndarjes në fraksione politike por ja që nuk ndodhi e nuk ka për të ndodhur kjo gjë.

Gabimi i Berishës ishte Basha pasi ai nuk e parashikoi se ka qënë nën shënjestrën e të dyve prej kohësh që prej marrëveshjes së 2017, njëri për t’i marrë partinë dhe tjetri historinë duke e akuzuar Doktorin se e ka penguar që të bëjë një sërë reformash në Shqipëri dhe e la me probleme të rënda, barrën e të cilave e mori Rama. Kjo ngjarje nga e cila populli ka për të dalë i fituar është kthyer në  një tragji-komedi për politikën.

Berisha kundërshton vendimin në mënyrë të ashpër dhe me dëshpërim, Basha flet për vendimin si një ushtarak i cili hapet tek psikologu për traumat e pasluftës dhe ky i dëshpëruar megjithëse e “ekzekutoi” politikisht Berishën kur mund të dezertonte ndërsa Rama tashmë duhet të presë vendimin e KQZ-së për ҫertifikimin e mandateve, pjesën më të madhe të anëtarëve të cilën e zotëron Partia Socialiste duke luajtur edhe ai pjesën e vet në goditjen e Berishës për t’i garantuar Bashës partinë. Dëshpërimi ndjek dhe Ramën sepse kanibalizmi i Bashës do e detyrojë dhe Ramën të “kafshojë” figura të korruptuara brenda Partisë Socialiste duke treguar se ai është nismëtar i Reformës në Drejtësi dhe jo një ndër pengesat kryesore. Jo më kot Berisha i akuzon të dy si bashkëpunëtorë pasi marrëveshja e 2017 me dyer të mbyllura ka një produkt dhe ai është ligji i dekriminalizimit ku nëpërmjet vendimit “Non grata” nga SHBA mund të cënohet Doktori ku çdo ditë  e më tepër del në pah aleanca e Bashës dhe Ramës për t’i hequr pushtetin politik njeriut që të dy i janë druajtur dhe që të dy e kanë luftuar fshehurazi.

Doktori ka filluar të lëshojë stuhitë e veta për të bindur opinionin publik dhe mbështetësit e PD-së nëpërmjet medias dhe analistëve duke u përpjekur të zhbëjë një vendim të cilin me mbledhjen e kryetarëve të degëve të PD-së në të gjithë vendin ditën e shtunë të organizuar nga Basha, mundësitë janë të pakta për të rimarrë kreun e partisë.

Enigma si gjithmonë zgjidhet nga njeriu në kodër. E di që menduat se njeriu në kodër është populli por jo sot. Sot ai njeri është Kryeministri Rama i cili duke ndjekur rrugën e vet të zhvillimit të Shqipërisë gjithmonë ka akuzuar opozitën, Bashën, Berishën, diellin, erën, gazetarët, fatkeqësitë dhe me raste edhe shqiptarët se pse gjërat ecin mbrapsht në këtë vend dhe jo ata me të cilët bashkëqeveris apo narcizizmin e tij politik. Rama pasi kaloi me sukses stuhitë e Doktorit në 2013, po gjendet përballë shkëlqimit të vonuar por efikas të Zotit Basha të cilin askush nuk e di se sa do të shkëlqejë dhe se sa do e mundojë njeriun të cilit i pëlqejnë maratonat politike.

Sot Piktori ka hequr pallton, bluzen dhe me afrimin e ҫertifikimit të mandateve do t’i heqë të gjitha në mënyrë figurative sepse ai do t’i tregojë SHBA-së, Europës dhe popullit se  nuk ka të fshehta dhe se nuk e mban njeri peng për të mbajtur peng Shqipërinë.

Nëse ai gabon, në majë të kodrës është Basha i cili me mbështetjen e amerikanëve është gati ta zëvendësojë pasi si drejtues, tashmë ai ka treguar që ka kurajon dhe forcën të drejtojë dhe të jetë në krye të vendit dhe se nuk kompleksohet nga asgjë, as nga historia, as nga personazhet që e rrethojnë por vetëm nga mungesa e pushtetit. /Gazeta Liberale

Tags: , , , ,


KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

Back