Aktualitet

"Shkele Kushtetutën", Bardhi kërkesë kryetares së Kuvendit: Anulo votimin e seancës së djeshme

Shkruar nga Liberale

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi i është drejtuar me një kërkesë Kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla dhe Komisionit të Votimit për të anuluar votimin e akteve të seancës plenare të djeshme të datës 23.02.2023. Në kërkesë Bardhi argumenton se Kryetarja e Kuvendit ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke konsideruar të miratuar 3 akte me pjesëmarrjen e vetëm 64 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në procesin e votimit.

“Nga ana ime si deputet, është ngritur në mënyrë të përsëritur mungesa e kuorumit të nevojshëm për vendimmarrje, çka i bënte tre votimet e kryera absolutisht të pavlefshme, mirëpo në injorim të detyrimit kushtetues dhe të Rregullores së Kuvendit, Kryetarja e Kuvendit i ka konsideruar aktet të miratuara. Kjo përbën një shkelje kushtetuese dhe ligjore shumë të rëndë, duke anashkaluar detyrimin e parashikuar nga neni 78 i Kushtetutës dhe neni 55 i Rregullores së Kuvendit”, shprehet Bardhi në kërkesë.

Deputeti Bardhi thekson se Kryetarja e Kuvendit me veprimin e saj ka shkelur dy vendime të Gjykatës Kushtetuese ku saktësohet se “për përcaktimin e kuorumit në një proces votimi duhet t’i referohemi vetëm numrit të deputetëve që kanë votuar dhe jo numrit të përgjithshëm të deputetëve që ndodhen në sallë dhe që nuk votojnë…një deputet që nuk shpreh vullnet me votën e tij dhe si rrjedhojë nuk ndikon në procesin e votimit në Kuvend nuk duhet të llogaritet në konceptin “shumicë e të pranishmëve” për efekt të kuorumit të votimit.”.

“Në rast të kundërt të gjitha aktet e miratuara janë antikushtetuese dhe Kryetari i Kuvendit do të ishte në kushtet e falsifikimit të akteve, duke konsideruar të miratuara, akte që në fakt Kuvendi nuk ka arritur me shumicën e kërkuar ti miratoi”, shprehet ai në kërkesën e dorëzuar në Kuvend.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH