Globi

Shkarkimi i Trump, sot votohet në dhomën e përfaqësuesve

Shkruar nga Liberale
Shkarkimi i Trump, sot votohet në dhomën e përfaqësuesve

Dhoma e Ulët e Kongresit Amerikan pritet të votojë sot për nisjen e hetimit penal ndaj Presidentit amerikan Donald Trump. Komisioni i Ligjeve miratoi të martën procedurën e votimit, që do të paraprihet nga një debat 6 orësh.

Hetimi bazohet tek dyshimet se Presidenti Trump ka mbajtur peng ndihmën ushtarake për Ukrainën me vlerë 400 milionë dollarë.

Sipas demokratëve, Trump i ka bërë presion homologut ukrainas Zelenski në një telefonatë të 25 Korrikut, duke i kërkuar nxitjen e hetimit për rivalin demokrat Joe Biden, në këmbim të dhënies së ndihmës.

Ndërkohë, me mijëra njerëz kanë zbritur në sheshe në disa qytete, nga Bostoni në Nju Jork, për të protestuar kundër Trump. “Regjimi Trump/Pence, duhet të rrëzohet”, lexohej në disa pankarta.

Në pritje të votimit, presidenti amerikan, i ka drejtuar një letër të ashpër kryesueses së dhomës së përfaqësuesve, demokrates Nensi Pelozi.

“Asnjë person me mend në kokë nuk beson atë që po thoni ju”, shkruan Trump, “nëse vazhdoni në këtë rrugë, atëherë do të jetë historia ajo që do t’ju gjykojë ju pa mëshirë.”

Trump e akuzon Pelosin se i ka shpallur luftë të hapur demokracisë amerikane ndërkohë që edhe një herë, deklaron se nuk ka bërë asnjë shkelje. Akuzat në adresë të Trump, që do të votohen gjatë orëve të vona të mbrëmjes, sipas orës sonë, me shumë gjasë do të kalojnë në dhomën me shumicë demokrate.

Por do të duhej edhe një votë pro në senatin me shumicë republikane për të çuar në gjykim presidentin. Në teori, kjo do ta shkarkonte atë nga detyra, edhe pse ka pak gjasa të ndodhë pasi në senatin e kontrolluar nga republikanët, duhet një shumicë prej dy të tretave të votave.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH