Aktualitet

Shkaktohet nga vaksina dhe u përhap qëllimisht, teoritë konspirative për linë e majmunëve

Shkruar nga Liberale

Me shpërthimin e lisë së majmunëve, të raportuar deri tani në të paktën një duzinë vendesh, spekulimet mbi origjinën e sëmundjes virale kanë bërë xhiron e mediave sociale.

Autoritetet e shëndetit publik në Evropë dhe Amerikën e Veriut po hetojnë më shumë se 100 raste të dyshuara dhe të konfirmuara të infeksionit viral, në shpërthimin më të keq të virusit jashtë Afrikës, ku dhe është endemik.

Bashkë me përhapjen e virusit, po përhapen edhe teoritë konspirative. Deri më tani, tre teori konspirative janë shfaqur që nga përhapja e sëmundjes virale në të gjithë globin:

1. Vektori i adenovirusit të shimpanzesë në vaksinën AstraZeneca shkakton linë e majmunëve

Pretendimet se shpërthimi i lisë së majmunëve u shkaktua nga përdorimi i një vektori adenovirus të shimpanzesë në vaksinën Oxford/AstraZeneca COVID-19, po shpërndahet me shpejtësi në internet.

Një deputet britanik shkroi më 20 maj në Twitter: "Kush habitet, që pasi miliona njerëzve u është injektuar virusi i shimpanzes së modifikuar gjenetikisht, tani ka një shpërthim të lisë së majmunëve?" Postimi i tij që atëherë ka marrë gati 2,000 retweet dhe është pëlqyer mbi 6,000 herë.

I njëjti sugjerim është bërë jehonë në Twitter, si dhe në Facebook, me përdoruesit që theksojnë një listë të përbërësve që përbëjnë vaksinën AstraZeneca COVID-19.

Ndërsa është e vërtetë që vaksina AstraZeneca përdor një vektor adenovirus të shimpanzesë në formulën e saj, ajo nuk ka lidhje me linë e majmunëve, sqaroi Reuters Fact Check. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, lija e majmunëve shkaktohet nga virusi i lisë së majmunëve.

"Është krejtësisht ndryshe nga lija e majmunëve dhe nuk ka asnjë mundësi që të dyja të jenë të lidhura," tha Ian Jones, profesor i virologjisë në Universitetin e Reading. "Virusi i përdorur në vaksinën AZ është një adenovirus që është mutuar për të parandaluar rritjen në qelizat njerëzore," tha ai.

Meqenëse ka pak ose aspak imunitet ndaj tij tek njerëzit, ai mund të përdoret si një vaksinë ose vektor vaksine, tha ai. "Gjithçka që bën vektori është të bartë përbërësin e vaksinës në qelizat njerëzore dhe nuk krijon vetë asnjë lloj infeksioni."

Fjalët e Jones u bënë jehonë nga ekspertët në Meedan Health Desk, një grup shkencëtarësh të shëndetit publik që punojnë për të trajtuar dezinformatat mjekësore në internet, të cilët i thanë Reuters: "Shkencëtarët përdorin një adenovirus shimpanzeje si një vektor, një mënyrë për të marrë udhëzime për prodhimin e antigjeneve që luftojnë virusin. në trup.” "Duhet të theksohet se shimpanzetë nuk janë majmunë," shtoi Meedan.

2. SHBA-të lëshuan linë e majmunëve

Përdoruesit kinezë të mediave sociale po spekulojnë se SHBA mund të jetë burimi i lëshimit të infeksionit të lisë së majmunëve.

Infeksioni viral është tema më trendi në platformën e njohur të mediave sociale Weibo gjatë tre ditëve të fundit me një hashtag, që raporton dy raste të dyshuara të lisë së majmunëve në SHBA dhe që kanë tërhequr më shumë se 51 milionë shikime.

Ndërsa media shtetërore kineze është përmbajtur dhe nuk ka hedhur akuza ndaj SHBA-së për përhapjen e qëllimshme të lisë së majmunëve.

Një raport i vitit 2021 mbi planifikimin e gatishmërisë për biosigurinë, nga një organizatë joqeveritare e SHBA-së, "Nisma e Kërcënimit Bërthamor", e cila përfshinte një skenar të një pandemie të lisë së majmunëve, është nxjerrë jashtë kontekstit, për të akuzuar qeverinë e SHBA, se ajo dinte se shpërthimi po vinte.

Ndikuesi nacionalist Shu Chang, i cili ka 6.41 milionë ndjekës të Weibo-s, qëllimisht e keqinterpretoi raportin, teksa shkruante se ai tregonte "një plan të SHBA-së për të nxjerrë virusin e lisë së majmunëve".

Postimi u pëlqye nga më shumë se 7,500 përdorues dhe mori më shumë se 660 komente, shumë prej tyre ishin dakord me të. Njëri tha se SHBA-të ishin "të liga përtej imagjinatës së njerëzimit".

Dezinformimi mbi shëndetin ka qenë i përhapur në Kinë dhe SHBA gjatë pandemisë COVID. Të dy vendet ishin përfshirë në një grindje mbi origjinën e virusit. Pekini bëri pretendime të pavërtetuara se SHBA-ja e projektoi virusin në një bazë ushtarake, ndërsa disa media amerikane vunë në dyshim nëse virusi mund të kishte rrjedhur nga një strukturë kërkimore në Wuhan, qyteti ku u zbulua për herë të parë COVID.

3. Lija e majmunëve përhapet me anë të seksit 

Një këshilltar kryesor në OBSH-së e përshkroi shpërthimin e paprecedentë të lisë së majmunëve në vendet e zhvilluara si "një ngjarje të rastësishme" që duket se është shkaktuar nga aktiviteti seksual, në dy raste në Evropë.

Dr. David Heymann, i cili më parë drejtoi departamentin e urgjencave të OBSH-së, i tha Associated Press se teoria kryesore për të shpjeguar përhapjen e sëmundjes ishte transmetimi seksual, në Spanjë dhe Belgjikë.

“Ne e dimë se lija e majmunit mund të përhapet kur ka kontakt të ngushtë me lezionet e dikujt që është i infektuar dhe duket sikur kontakti seksual tani e ka përforcuar atë transmetim,” tha Heymann.

Ky është një zhvillim i ri, ndryshe nga modeli tipik i përhapjes së sëmundjes në Afrikën qendrore dhe perëndimore, ku njerëzit zakonisht infektohen nga kafshë të tilla, si brejtësit e egër dhe primatët.

Zyrtarët shëndetësorë thonë se shumica e rasteve të njohura në Evropë kanë qenë mes meshkujve që kryejnë marrëdhënie seksuale me meshkuj, por çdokush mund të infektohet përmes kontaktit të ngushtë me një person të sëmurë, veshjeve apo çarçafëve të tyre. Shkencëtarët thonë se do të jetë e vështirë të zgjidhet nëse përhapja është shkaktuar nga seksi, apo thjesht nga kontakti i ngushtë.

"Për nga natyra, aktiviteti seksual përfshin kontakt intim, i cili do të pritej të rrisë gjasat e transmetimit, pavarësisht nga orientimi seksual i një personi dhe pavarësisht nga mënyra e transmetimit," tha Mike Skinner, një virolog në Imperial College London.

Të hënën, drejtori i Qendrës Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Andrea Ammon tha se “mundësia e përhapjes së mëtejshme të virusit përmes kontaktit të ngushtë, për shembull gjatë aktiviteteve seksuale mes personave me partnerë të shumtë seksualë, konsiderohet të jetë e lartë”.

Rastet e lisë së majmunëve deri më tani kanë qenë të lehta, pa asnjë vdekje të raportuar. Në mënyrë tipike, virusi shkakton ethe, të dridhura, skuqje dhe lezione në fytyrë ose në organet gjenitale. Shumica e njerëzve shërohen brenda disa javësh pa kërkuar shtrimin në spital./Përshtatur nga Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH