Aktualitet

Shifrat/ Kriza e çmimeve, si ‘shpërblim’ qeveria u çon më pak para të varfërve

Shkruar nga Liberale

Kriza e çmimeve siç po ndodh kudo në kontinent, e ka ulur ndjeshëm fuqinë blerëse gjatë muajve të fundit, por më shqetësuese se kaq familjet e varfra po varfërohen edhe më shumë. Institucionet ndërkombëtare si OKB dhe FMN vazhdimisht u kanë bërë thirrjeve qeverive të vendeve në zhvillim që gjatë kësaj periudhe krize të fokusohen te shtresat në nevojë, pasi jeta për më të varfrit mund të bëhet e papërballueshme.

Më vendin tonë si të mos mjaftojë fakti i shtrenjtimit të kostos së jetesës nga rritja e menjëhershme e çmimeve të shportës (konsumi i përditshëm), paradoksalisht qeveria ka ndarë më pak fonde në 5-mujorin e parë të vitit, edhe pse vendosi të mos ulë taksat.

Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se, pavarësisht rritjes së çmimeve, pagesa e ndihmës ekonomike shënoi rënie vjetore me 2%  gjatë janar-maj 2022.

Në të dhënat fiskale të qeverisë raportohet se në 5 mujor në zërin “Ndihmë Ekonomike” u shpenzuan 9,4 miliardë nga 9.7 miliardë lekë që u dhanë në të njëjtën periudhe të vitit të kaluar.

Mes raportimeve të ndryshme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që menaxhon të gjithë programin e ndihmës ekonomike tha se vitin e kaluar u shpenzuan 6.4 miliardë lekë, ndërsa për të njëjtën periudhë INSTAT raporton një vlerë edhe më të ulët.

Trajtimi në këtë mënyrë i shtresës më të varfër në vend vjen në një kohë kur Shqipëria kryeson renditjen europiane për përqindjen më të lartë të personave në varfëri.

Rritja e paprecedentë e çmimeve si kudo në botë pritet të çojë në varfëri edhe familje të tjera. Veç karburantit që shqiptarët e blejnë me një çmim më të lartë se vendet e tjera të rajonit, muajin e kaluar çmimi i vajit pësoi rritje vjetore me 29%, bulmetrat me 18 % më shumë se një vit më parë kurse buka kushtoi 19 për qind më shumë. Këto produkte janë baza e konsumit në familjet e varfra.

Nga ana tjetër, edhe pse nga rritja e çmimeve janë mbledhur më shumë të ardhura në arkën e shtetit si pasojë e taksave direkte, masa e ndihmës ekonomike në 5-mujorin e parë 2022, pagesat për ndihmën ekonomike, në raport me totalin e shpenzimeve buxhetore, arritën nivelin më të ulët që nga viti 2018. Fondet e alokuara për këtë zë ishin 4.4 % e shpenzimeve totale buxhetore, nga 4.6 % në të njëjtën periudhë të vitit 2021. Qeveria e argumenton se çmimet më të larta të karburantit lidhen me faktin se të ardhurat që mblidhen (mbi 342 mln euro më shumë janë mbledhur gjatë krizës së çmimeve) u shpërndahen shtresave më në nevojë, çka ky pretendim nuk përputhet me shifrat zyrtare që deklaron së fundmi Ministria e Financave.

Të dhënat tregojnë se shpenzimet buxhetore në përgjithësi janë rritur më shumë se pagesat për të varfrit, kurse rënia duhet të jetë edhe më e madhe për shkak të inflacionit të lartë gjatë kësaj periudhe. Çmimet mesatare në 4-mujorin 2022 u rritën 5% dhe po kaq është zhvlerësuar edhe fondi i ndihmës ekonomike për familjet e varfra.

Kujtojmë se qeveria shqiptare pagoi një kredi të shtrenjtë për të reformuar fondin e ndihmës ekonomike në vitin 2014, për të rritur pagesat për familjet e varfra që me të vërtetë e meritojë të trajtohen me ndihmë ekonomike, pagesat sërish mbeten poshtë nivelit të varfërisë relative.

Ekspertë vendas të ekonomisë dhe institucionet financiare thanë se qeveria çon shumë pak fonde për shtresat në nevojë, në raport me mundësitë e saj.

Kur shqiptarët e paguajnë më shtrenjtë karburantin dhe të varfrit marrin më pak kompensime, atëherë ku i çon paratë qeveria? /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH