Sport

SHIFRA E DITËS: Vlera e një stadiumi! Vetëm Roma-Fejnord i sjell vendit 100 mln euro

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Vlera e një stadiumi! Vetëm Roma-Fejnord i sjell

Nga Aranit Muraçi

Një dekadë më parë, Shqipëria nuk kishte asnjë stadium që të plotësonte standardet e UEFA-s dhe të FIFA-s. E mbetur me stadiumet që ishin ndërtuar në periudhën e komunizmit, nga dy institucionet qeverisëse të futbollit europian dhe atij botëror, vetëm 10 vite më parë vendit tonë iu dha ultimatum për të ndërtuar stadiume të reja, ose në të kundërt ndeshjet ndërkombëtare do t’i duhej t’i luante në një vend tjetër asnjanës.

Në këto kushte qeveria e majtë e sapoardhur në pushtet u detyrua të ndërtonte dy stadiume emergjence, në Elbasan dhe Shkodër, për t’i hapur rrugë ndërtimit të impiantit të parë modern, me standarde bashkëkohore. Bëhet fjalë për stadiumin “Arena Kombëtare”,  ndërtimi i së cilës kushtoi 75 milion euro. Për ndërtimin e saj dhanë kontribut financiar UEFA dhe FIFA (10 milionë euro), po kaq edhe qeveria shqiptare, ndërsa pjesa tjetër (55 milionë euro) u mbulua nga kompania italiane, e cila në projektin e saj, nga rreziku i kthimit të investimeve parashikoi edhe një kullë brenda stadiumit. Qoftë kostoja e lartë, qoftë edhe kulla ndezën asokohe debate politike. Në fakt, buxheti i shtetit duhej të kishte parashikuar më herët ndërtimin e një stadiumi bashkëkohor, pasi Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë, pa një të tillë. Në Londër, ndonëse është e qartë diferenca ekonomike dhe buxheti mes dy vendeve, rikonstruksioni i “Wembley” rreth një dekadë më parë i kushtoi buxheti të shtetit britanik plot 1.2 miliard stërlina.

I projektuar nga grupi italian “Serenissima Costruzioni” stadiumi i ri u ndërtua për rreth dy vite. Nga mungesa e financimit, duke qenë se qeveria shqiptare nuk kishte parashikuar asgjë në buxhet dhe nuk mund të siguronte dot financime, projekti fillestar që parashikonte një kapacitet prej 40 mijë vendesh ndryshoi, duke shkuar në kapacitetin që ka sot: 22.500 vende të ulura. Fituese e koncesionit u shpall kompania “Albstar” dhe punimet për ndërtimin nisën në qershor të vitit 2016, me shembjen e stadiumit “Qemal Stafa” për t’i hapur rrugë impiantit të ri që kemi sot.  Sipas të dhënave zyrtare nga Federata Shqiptare e Futbollit, stadiumi i ri ka kushtuar minimalisht  75 milionë euro (85 milionë euro vlerësohet sot). Kompania private ka përfituar 20 mijë metra katrorë mjedise tregtare në trupin e stadiumit dhe një kullë 24 katëshe, ndërsa Federata mori 4 mijë metra katrorë zyra

A ishte një investim me vlerë? Sigurisht!

A duhej që shteti shqiptar t’i kishte siguruar paratë vetë, me qëllim që, qoftë për investimin apo për projektin, stadiumi as të mos jepet me koncension dhe as të ndërtohej në varësi të preferencave private duke qenë se si kudo në Europë dhe botë vetëm një është stadium kombëtar? Patjetër!

Megjithatë, pikërisht, vetëm për faktin sepse sot kemi një stadium bashkëkohor, më 25 maj në Tiranë do të luhet një finale europiane. Roma-Fejnord, dy nga skuadrat më të njohura të kontinentit do të diskutojnë më 25 maj, në “Arena Kombëtare”  një nga tre finalet e kupave të Europës, e cila njihet me emrin “Conference League”.

UEFA organizon finalen, ndërsa biletat e ndeshjes së Tiranës nuk janë të larta në krahasim me ndeshjet e tjera të Champions League dhe Europa League. Më e shtrenjta e kësaj ndeshjeje është 125 euro, ndërsa më e lira 25 euro. Nga kapaciteti i stadiumit pritet të arkëtohen vetëm nga shitja e biletave për këtë ndeshje rreth 1.5 milion euro. Por ka edhe një vlerë tjetër, atë të imazhit dhe të turizmit, duke qenë se Tirana do të jetë në fokusin e miliona tifozëve në mbarë Europën.

Kostot, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, janë vërtetë  të jashtëzakonshme. Duka thotë se UEFA i mbulon kostot e këtyre të ardhurave jo nëpërmjet stadiumit, por nëpërmjet të ardhurave që vijnë nga sponsorët apo të drejtat televizive. Sa i përket të ardhurave që krijon vendi ynë, nga llogaritjet paraprake të FSHF-së, Duka tha se flitet për shifra mbi 100 milionë euro. Mjafton kjo shifër për të kuptuar vlerën e stadiumit, në ekonominë tonë sikurse nevojën që ai të ishte ndërtuar një ditë e më parë. Stadiumi për të mbuluar kostot e ndërtimit, duke qenë se qeveria nuk pati para për financimin e tij mban sot emrin e kompanie ajrore “Air Albania”, në vend të emërtimit fillestar “Arena Kombëtare”.  Në Europë stadiumet private mund të marrin një emër biznesi, kurse ato kombëtare dhe publike mbajnë një emërtim që lidhet me sportin “Arena”, Olimpik” “Park de Prince” ose të një ikone futbolli si  ai i Amsterdami “Johan Cruyff”, apo i Budapestit “Ferenc Puskás”.

Kryeqyteti shqiptar pritet të "pushtohet" më 25 maj nga rreth 50 mijë tifozë holandezë dhe italianë, si dhe do të vizitohet nga personalitete të shumta të botës së futbollit, por jo vetëm, prandaj e sigurt është që të nesërmen pas finales në Tiranë do të shtohet oreksi për të ndërtuar një stadium tjetër bashkëkohor, në vend të atij që sot mban emrin “Selman Stërmasi”.   /Liberale.al/

Poll
SHQIPENGLISH