Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Universitetet publike kthehen në ‘fabrikë diplomash’ infermierie për Gjermaninë, 94 degët që rrezikojnë mbylljen

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Universitetet publike kthehen në ‘fabrikë

Rënia e numrit të studentëve, nga rënia e lindshmërisë dhe emigracionit masiv, por edhe orientimi i të rinjve drejt degëve të cilat ofrojnë mundësi punësimi jashtë vendit, po çon në boshatisjen dhe në mbylljen e shumë prej degëve të tjera në universitetet tona publike. Kështu edhe në raundin e tretë, që është me zgjedhje të lirë, shumë degë rrezikojnë mbylljen. Rrezikojnë mbylljen degët e mësuesisë, shkencave, apo edhe ato degë që lidhen me sektorë si bujqësia dhe turizmi, minierat, gjuhët e huaja etj. As bursa që është sa paga minimale nuk po i shpëton dot nga kolapsi shumë degë, aq sa po rrezikojnë mbylljen edhe vetë disa universitete të rretheve.

Sipas të dhënave të fundit rrezikojnë mbylljen mbi 30% e programeve të studimit në universitetet publike.

Universiteti i Elbasanit ka numrin më të madh të degëve që rrezikojnë mbylljen, pasi ka 46% të programeve të studimit që ofrojnë më pak se 10 studentë të regjistruar, prej të cilave 11 degë i ka me zero regjistrime.

Edhe në Gjirokastër nga 29 programe, 9 mbyllen sepse kanë më pak se 10 studentë.

Në raportin monitorues “Metamorfoza e Universiteteve” të realizuar nga Qëndresa Qytetare, mbi 41% e degëve prioritare rrezikojnë mbylljen pasi kanë pak studentë. Pavarësisht trajtimit me bursë sa paga minimale studentët nuk kanë shprehur interes të shtuar, sidomos për degët e mësuesisë. Raporti ngre shqetësimin se universitetet e rretheve janë kthyer në “fabrika” infermierësh.

Më konkretisht rrezikojnë mbylljen: Universiteti shtetëror i Tiranës 10 degë, Universiteti Politeknik 6 degë, ai Bujqësor 5 degë, i Durrësit 11 degë, i Elbasanit 11 degë, i Shkodrës 10 degë, i Gjirokastrës 9 degë, dhe i Korçës 10 degë.

Tronditje kanë pësuar edhe degët më popullore si ekonomiku dhe juridiku, në universitetet e rretheve, degë të njohura në mbarë botën për masivitetin e tyre. Trondije që po e ndjen edhe Tirana. Ekonomistët dhe juristët edhe pse janë profesione ndër më të kërkuara në tregun e punës, kudo në botë, fakti që maturantët kërkojnë të studiojnë një ndër degët e lidhura me mjekësinë do të thotë se ata jane duke bërë dekumentet për t’u larguar nga Shqipëria.

Aktualisht universitetet publike po mbahen në këmbë me studentët që regjistrohen në degët e Infermerisë dhe të Mamisë. Shumica e tyre pas studimeve synojnë tregun evropian, kryesisht Gjermaninë, ndërsa studiuesit e tregut të punës në Shqipëri si duket “studiojnë” dhe kërkojnë të zgjidhin problemet që shfaqen në hapësirat ndërplanetare.

Me këto ritme, brenda një dekade universitetet publike të cilat nuk reflektuan kur ishte koha, për mungesë vizioni rrezikojnë t’ju mbetet dekani dhe shefat e departamenteve me ndonjë degë si infermierija dhe studentë të cilët përmes saj duan të ikin në Gjermani.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH