Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Shqipëria në 10 vitet e fundit, vendi që po plaket më shpejt në kontinentin e vjetër

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Shqipëria në 10 vitet e fundit, vendi që po

Aranit Muraçi

Shqipëria është vendi që po plaket me ritme më të shpejta në Europë, kurse Italia aktualisht ka moshën mesatare më të lartë. Mplakja e popullsisë në vendin tonë fqinj është rritur ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Megjithatë, e gjithë Evropa po plaket dhe – sipas Eurostat – do të vazhdojë të plaket edhe në dekadat e ardhshme.

Analiza e fundit e Eurostat merr në konsideratë trendin e moshës gjatë dekadës së fundit, në vendet e Bashkimit Evropian dhe ato kandidate.

Italia është vendi më i vjetër, në Europën e plakur sipas studimit të Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Evropian. Shteti që ka shënuar plakjen më të fortë në Europë është Shqipëria, e cila nuk është anëtare e BE-së, por është një vend kandidat. Mosha mesatare në Shqipëri është rritur me pesë vjet duke shkuar në 38 vjeç, pasi dhjetë vjet më parë ishte tepër e ulët (33.2 vjeç). Shqipëria si një ndër vendet që kishte popullsinë më të re në moshë, në Europë, është marrë edhe për këtë arsye në konsideratë nga analiza e fundit Eurostat.

Mosha mesatare në Itali është 48 vjeç, sipas të dhënave të përditësuara më 1 janar 2022: kjo do të thotë se gjysma e popullsisë italiane është më e vjetër dhe gjysma tjetër më e re se 48-vjeç. Në të kundërt, për Bashkimin Evropian në tërësi mosha mesatare është 44.4 vjeç. Vendi më i ri në BE është Qipro, me një moshë mesatare prej 38.3 vjetësh.

Pas Italisë, Portugalia dhe Greqia plotësojnë podiumin e tre kombeve me moshën më të plakur mes vendeve të BE-së, të ndjekura nga Gjermania, Kroacia dhe Spanja. Kjo shpjegon edhe arsyen pse dy vendet fqinje me Shqipërinë, Italia dhe Greqia, nisur edhe nga nevoja e tyre për fuqi punëtore, kanë tërhequr numrin më të madh të emigrantëve shqiptarë, kryesisht të rinj, gjatë viteve të tranzicionit, duke kontribuar në plakjen e parakohshme të Shqipërisë.

Një moshë mesatare kaq e lartë dhe vazhdimisht në rritje mund të shpjegohet nga disa faktorë. Jetëgjatësia që po rritet gjithnjë e më shumë, por edhe një lindshmëria shumë e ulët prej dekadash. Është një fenomen që Eurostat e quan “plakje në themel”. Emigrimi është i njëjti faktor që ka ndikuar edhe në plakjen e Italisë në veçanti, sepse, sipas Eurostat një nga elementët që shpjegon një rritje kaq të shpejtë dhe të vazhdueshme është edhe emigrimi i shumë të rinjve italianë ndër vite, të cilët aktualisht banojnë në vende të tjera. Por nëse Italia po i vuan pasojat dramatike të mplakjes tani, dhe është një fuqi e madhe ekonomike që mund të rekrutojë emigrantë të rinj dhe të aftë për të ekuilibruar nevojat e saj emergjente në ekonomi, Shqipëria me këto ritme rrezikon ta përjetojë dramën e saj të më të madhe, pas një, dy e më tej dekadash.

Që nga viti 2012, mosha mesatare në Bashkimin Evropian është rritur me 2.5 vjet, ose 0.25 vjet (rreth tre muaj) më shumë çdo vit. Pothuajse të gjitha vendet europiane janë plakur gjatë dekadës së fundit. Në veçanti, veç Shqipërisë, nga vendet e BE-së janë edhe Spanja, Portugalia, Greqia, Sllovakia dhe vetë Italia, të cilat të gjitha janë plakur më shumë se katër vjet. Ekziston një përjashtim në Europë: Suedia, mosha mesatare e së cilës ra nga 40.8 në 40.7 vjet. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH