Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Shqipëria merr 120 milionë dollarë kredi për zhvillimin e gjelbër. Borxhin do ta paguajnë qytetarët deri në 2040-ën

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Banka Botërore konfirmoi se ka nënshkruar një marrëveshje kredie prej 120.3 milionë dollarë me Shqipërinë për të mbështetur një program të përqendruar te elasticitetit dhe zhvillimit të gjelbër.

Programi, që zgjat deri në dhjetor 2024, synon të forcojë qëndrueshmërinë, të përmirësojë kuadrin e tregut të energjisë dhe të rrisë energjinë e rinovueshme si dhe efikasitetin e energjisë, të mbrojë mjedisin dhe të reduktojë gjurmët e karbonit në vendit tonë, tha Banka Botërore në një deklaratë lidhur me akordimin e kredisë.

Shqipëria, sipas Bankës Botërore, ka vepruar për çështjet e mbuluara nga programi, duke përfshirë prezantimin e politikës së re fiskale, ka bërë gjithashtu përmirësime në ligjin për energjinë e rinovueshme, ka organizuar një treg me shumicë për tregtimin e energjisë dhe ka ndaluar përdorimin e qeseve plastike njëpërdorimshe nën një masë të caktuar. Financimi do të shlyhet me këste, ndërsa shlyerja duhet të fillojë në korrik 2028 dhe të përfundojë në korrik 2040, shtoi banka.

Ndërkohë që borxhet merren nga qeveritë dhe shlyhen nga qytetarët gjatë viteve dhe dekadës së ardhshme, mungon transparanca për mënyrën sesi ato shpenzohen dhe administrohen, dhe më pas nëse e kanë dhënë apo efektin e duhur ose të pritshëm.

Ndonëse borxhi i jashtëm nuk shihet si i fryrë nga institucionet financiare ndërkombëtare, megjithatë një i tillë mbetet një problem për ekonominë e brishtë të vendin tonë.

Borxhi i qeverisë së Shqipërisë përbënte 60,8 % të PBB-së nominale të vendit në mars 2023, krahasuar me raportin prej 62,0 % në tremujorin e mëparshëm. Borxhi arriti një nivel të lartë historik prej 74.5% në qershor 2020 dhe pati një rënie po ashtu historike prej 54.1% në dhjetor 2010.

Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë në një tjetër krahasim se në vitin 1995 Shqipëria kishte një borxh të jashtëm 35 për qind të GDP-së së saj, borxh që në vitin 2020 shkoi në 83 për qind. Edhe pse ka pasur një farë stabilizimi në dy-tre vitet e fundit borxhi mbetet një problem që mban “peng” ekonominë.  Gjatë dekadave të fundit qeveritë, ose kanë marrë borxh në obligacione në tregjet e huaja për t’i dhënë zgjidhje nevojave emergjente, ose kanë përdorur mekanizma të tjerë, në kurriz të qytetarëve siç ishte mbajtja e pandryshuar e TVSH-së, për mallrat e importuara pas rritjes së çmimeve, për të mbushur arkën.

Po ashtu edhe zhvlerësimi i Euros, luhatjet e inflacionit, janë të tjera mekanizma që janë përdorur për t‘i dhënë  zgjidhje nevojave emergjente, pavarësisht ndikimit negativ që ato kanë pasur dhe do të kenë në një periudhë më afatgjatë për qytetarët.  Politikat e gabuara, keqmenaxhimi dhe shpërdorimi i fondeve dëmtojnë mirëqenien e përbashkët të qytetarëve dhe ndikojnë në një perspektivë më të dobët të tyre, madje ato janë nxitëset kryesore që të rinjtë të largohen për të jetuar dhe punuar në një vend tjetër, që siguron një perspektivë më të begatë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH