Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Peshkimi bie 3,8 % në vendin tonë, rritje 7% në Greqi

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Vendit tonë natyra i ka falur gjithçka. Ka vijë bregdetare të lakmueshme, liqene dhe lumenj. Industria e peshkimit është një ndër më të rëndësishme për shumë vende të Europës, qoftë për konsum të brendshëm, qoftë edhe për eksport. Është një sektor i rëndësishëm për Norvegjinë, prodhuesin kryesor të peshkut në Europë, por edhe për vendin tonë fqinj, Greqinë. Shqipëria, një vend që kërkon të zhvillojë dhe rrisë ekonominë, duket se ka vuajtur historikisht nga mungesa e vizionit për të investuar në ato degë ku ekzistojnë edhe mundësitë më të mëdha për të pasur sukses. Të dhënat e fundit të INSTAT tregojnë për një rritje të këtij sektori edhe në Shqipëri, por megjithatë, industria e peshkimit në vendin tonë përballet me vështirësi dhe problematika të shumta.

Peshkimi në vendet e BE-së

Në vitin 2021, qytetarët evropianë vazhduan të konsumonin më shumë peshk dhe produkte deti. Shpenzimet e familjeve për peshkun dhe ushqimet e detit në 27 vendet anëtare të BE-së u rritën me 7% nga viti 2020, duke vazhduar trendin rritës të regjistruar midis viteve 2019 dhe 2020. Sipas vlerësimeve të Euromonitor, konsumi i peshkut si në shtëpi ashtu edhe jashtë shtëpisë është rritur: një rritje që pritet të vazhdojë dhe më pas të stabilizohet gjatë periudhës 2024-2026.

Në vitin 2021, rritja e importeve dhe ulja e eksporteve të BE-së me vendet e treta të peshkut dhe produkteve të detit shkaktuan një deficit të bilancit tregtar prej 10%, ose 1.80 miliardë euro, shifwr më e lartë se ajo e vitit 2020 . Vlera totale e importeve është rritur më shumë se vëllimi, si pasojë e rritjes së çmimeve. Kjo rritje mund të shpjegohet pjesërisht me nënçmimin e euros kundrejt koronës norvegjeze, e cila i bëri më të shtrenjta importet nga Norvegjia, një nga furnizuesit kryesorë të BE-së me produkte peshku.

Në vitin 2020, konsumi i vlerësuar i dukshëm i BE-së arriti në 10.41 milion ton ekuivalent me peshë të gjallë, e barabartë me 23.28 kg për person. Në kontrast me tendencën negative në nivel të BE-së, pati rritje të lehta për disa vende - më e larta konsumi i vlerësuar +6% për Bullgarinë. Portugalia vazhdon të shquhet si konsumatori kryesor i produkteve të peshkimit dhe akuakulturës në BE.

[caption id="attachment_1367059" align="alignnone" width="712"] Konsumi i peshkut sipas vendeve të BE-së[/caption]

Peshkimi në vendin tonë

Në vitin 2022, zënia e peshkut nga të gjitha kategoritë ujore, ka qenë 17.799 tonë nga 18.503 tonë që ishte në vitin 2021, duke shënuar një rënie me 3,80 %.

Kategoritë kryesore që zënë përqindjen më të lartë të peshkimit janë, “Akuakultura” me 44,87 % dhe peshkimi “Detar” me 24,27 %, pasuar nga “Ujërat e brendshme” me 19,03 %, ndaj prodhimit gjithsej.

Në vitin 2022, rritjen më të madhe, e ka shënuar kategoria “Molusqe” me 55,48 % të zënieve gjithsej, krahasuar me një vit më parë, ndjekur nga kategoria “Bregdeti” me 18,34 %. Kategoria ujore “Laguna” ka pësuar rënie me 27,25 % në vitin 2022, krahasuar me një vit më parë.

Në vitin 2022, për sa i përket kategorive ujore, det, bregdet dhe laguna, specia e cila ka rezultuar me përqindjen më të madhe të zënë është “Karkaleci i thellësisë” me 18,08 % ndaj zënieve gjithsej, pasuar nga “Açuga” me 17,94 % dhe “Merluc” me 12,45 %. Përsa i përket zënieve në ujërat e brendshme, specia “Karas” zë përqindjen më të madhe të zënieve gjithsej me 25,62 %, pasuar nga “Skortë” me 17,80 % dhe specia “Krap” me 17,30 %.

Në vitin 2022, janë 784 subjekte të licensuara për të ushtruar aktivitetin e peshkimit. Flota vepron pothuajse plotësisht në Nën-Zonën Gjeografike (NZGJ) 18 (Adriatiku i Jugut). Gjatë vitit 2022 janë regjistruar 32 subjekte më shumë se një vit më parë.

Në vitin 2022, porti me numrin më të madh të anijeve të licensuara është porti i Durrësit me 37,24 % të flotës së përgjithshme, porti i Vlorës ka 30,48 % të numrit të përgjithshëm të flotës, pasuar nga porti i Sarandës me 15,18 %. Portet e peshkimit me përqindjet më të vogla të subjekteve të licensuara për peshkim janë ato të Lushnje-Fier me 2,30 % dhe Himarës me 1,53 %.

Flota detare shqiptare nisur nga qëllimi i anijes ndahet në gjashtë lloje të ndryshme anije peshkimi. Pjesa më e madhe e flotës sonë është e përbërë nga anije me njica me 70,92 % si dhe anije peshkimi me tërheqje (fundore dhe pelagjike) me 25,00 %, të cilat përdoren kryesisht për të peshkuar peshqit fundorë. Pjesa tjetër janë anije shumëpërdorimshe dhe anije për qëllime të tjera.

Një fokus të veçantë po i kushtohet prodhimit të rasateve si: Trofta Ylber, Koran dhe Krap si një vëmendje e shtuar dhe ndihmesë për ruajtjen e biodiversitetit. Në vitin 2022, u prodhuan dhe u hodhën në liqenin e Ohrit 9 milion rasate të Troftës Ylber, 1,60 milion rasate të Koranit dhe 1,60 milion rasate Krap.

Peshkimi në Greqi

Si krahasim në Greqi, të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se shitjet e akuakulturës u ngjitën në nivelin më të lartë 10-vjeçar në vitin 2021, por industria po shpreh shqetësim për ndikimin e presioneve të rritura inflacioniste në ekonomi, tha Organizata Helenike e Prodhuesve të Akuakulturës (HAPO) në një anketë të publikuar të premten.

Më konkretisht, shitjet nga fermat e peshkut arritën në 131,250 ton, me vlerë 636 milionë euro, me rritje 7% në volum dhe 10% në vlerë krahasuar me vitin 2020. 96% e shitjeve përbënin krapi dhe levreku (125,550 ton).

Eksportet arritën në 100,361 tonë me vlerë 499 milionë euro në vitin 2021, me 9% rritje në vëllim dhe në vlerë krahasuar me vitin 2021. Rreth 80% e eksporteve u shpërndanë në vendet e BE-së dhe vendet e treta, me 20% të mbetur të shitur në tregun e brendshëm.

Italia, Spanja dhe Franca mbeten tregjet kryesore të destinacionit të eksportit, duke zënë 58% të prodhimit grek.  Pavarësisht rritjes së konkurrencës, çmimet mesatare për krapin dhe levrekun u rritën përkatësisht me 1.5% dhe 6%. Industria greke e peshkimit tha se ndikimet negative që vijnë nga pandemia dhe pushtimi rus i Ukrainës kanë rritur kostot e prodhimit me 25%.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH