Aktualitet

SHIFRA E DITËS: SHBA shpenzojnë më shumë për mbrojtjen sesa 10 vendet e tjera (me shpenzimet më të mëdha pas saj)

Shkruar nga Liberale

Shqiptarët mund të konsiderohen me fat që kanë aleat strategjik një superfuqi ushtarake si SHBA. Se cila është fuqia ushtarake e SHBA-së në praktikë, provën e dhanë bombardimet e vitit 1999 mbi ish-Jugosllavi, ku nuk zbriti asnjë ushtar në terren dhe brenda një muaji regjimi i Milosheviçit kapitulloi pa kushte.

Shpenzimet për mbrojtjen nga Shtetet e Bashkuara përbënin gati 40 për qind të shpenzimeve ushtarake krahasuar me të gjitha vendet e tjera në mbarë botën, në vitin 2022, sipas shifrave të publikuara së fundmi nga Instituti Ndërkombëtar i Kërkimeve për Paqen në Stokholm (SIPRI).

Shpenzimet e mbrojtjes amerikane u rritën me 71 miliardë dollarë nga viti 2021 deri në vitin 2022. Një pjesë e shpenzimeve u rritën për shkak të një ndihme ushtarake të dërguar për të mbështetur Ukrainën në konfliktin e saj me Rusinë. Aktualisht, Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për mbrojtjen sesa 10 vendet e tjera të mëdha të marra së bashku, të cilat kanë edhe buxhetin më të madh në shpenzimet ushtarake.

Studimi i SIPRI për shpenzimet e mbrojtjes është më i gjerë se përkufizimet që përdoren shpesh në diskutimet e politikave fiskale në Shtetet e Bashkuara dhe sipas llogaritjeve të tyre, Shtetet e Bashkuara shpenzuan 877 miliardë dollarë për mbrojtjen kombëtare në vitin 2022.

Mes shpenzimeve përfshihen shpenzime diskrecionale dhe të detyrueshme nga Departamenti i Mbrojtjes, Departamenti i Energjisë, Departamenti i Shtetit dhe Programi Kombëtar i Inteligjencës. Funksioni i buxhetit të mbrojtjes kombëtare (766 miliardë dollarë në 2022) përjashton shpenzimet nga Departamenti i Shtetit dhe programe të caktuara të Departamentit të Energjisë. Krahasimi ofron njohuri të dobishme mbi shkallën e madhe të shpenzimeve të mbrojtjes së SHBA-së në krahasim me kombet e tjera.

Megjithëse Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë për mbrojtjen se çdo vend tjetër, Zyra e Buxhetit të Kongresit parashikon që shpenzimet e mbrojtjes si pjesë e produktit të brendshëm bruto (PBB) do të ulen gjatë 10 viteve të ardhshme - nga 3.1 përqind e PBB-së në 2023 në 2.8 përqind në 2033. Kjo është dukshëm më e ulët se shpenzimet mesatare 50-vjeçare për mbrojtjen prej 4.3 për qind të PBB-së.

Shpenzimet e mbrojtjes së SHBA-së përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të buxhetit federal dhe Shtetet e Bashkuara shpenzojnë shumë më tepër se vendet e tjera. Në përcaktimin e nivelit të duhur të shpenzimeve të tilla në të ardhmen, do të jetë e rëndësishme të vlerësohet nëse ato po përdoren në mënyrë efektive apo edhe përshtatja me prioritetet e tjera kombëtare.

/Përgatiti: A. Muraçi/ Liberale.al

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH