Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Rreth 100 milionë euro të ardhurat vjetore, si i ndajnë humbjet dhe fitimet TV shqiptare

Shkruar nga Liberale

Prej 51 shoqërive të licencuara si media audiovizive, vetëm 36 prej tyre rezultojnë me licencë dhe NIPT aktiv në 1 mars 2023. Rezulton se për vitin 2021, totali i të ardhurave për 25 media Audiovizive të cilat kanë raportuar pasqyrat financiare, është rreth 10.4 miliardë lekë (rreth 100 milionë euro). Gjatë vitit 2020, që përkon dhe me vitin e pandemisë, totali i të ardhurave për të njëjtat media fiksohej në 9.7 miliardë lekë. Pra në harkun e një viti, xhiro e tregut në fjalë është rritur plot 7.05%.

Sa i takon Fitimit pas Tatimit për këto media ka rezultat ne vlerë negative (humbje) më e lartë sesa vlera totale për mediave që rezultojnë me fitim për vitin 2021, ndërkohë që në vitin 2020 fitimet në total ishin 423 160 095 (katërqind e njëzet e tre milion e njëqind e gjashtëdhjetë mijë e nëntëdhjetë e pesë) lekë.

Digitalb shënon një rezultat të lartë sa u takon të ardhurave. Ky biznes mediatik përfaqëson rreth 40% të të ardhurave në sektorin Media Audiovizive, të paktën mes 25 kompanive që i kanë deklaruar pasqyrat financiare për vitin 2021. Edhe gjatë vitit 2020 shoqëria mbante vendin e parë, me të ardhura rreth 4.6 miliardë. Në vend të dytë gjejmë të pozicionuar Televizionin Klan, me rreth 2 miliardë lekë të ardhura. Të ardhurat e shoqërisë përbëjnë 20% të totalit të ardhurave nga biznese mediatike audiovizive, dhe kompania në 2020 renditej po ashtu në vend të dytë me 1.4 miliardë lekë të ardhura. Ashtu si një vit më parë, në vend të tretë gjejmë të pozicionuar Top Channel, televizion i cili raporton rreth 1.6 miliardë lekë të ardhura për vitin 2021, të cilat përfaqësojnë 15% të të ardhurave total nga këto subjekte mediatike audiovizive.

Euro News Albania, duke u ngjitur me tre vende krahasuar me vitin paraardhës, rezulton në vend të katërt, me 410 milion lekë të ardhura për 2021-shin. Në vend të pestë pozicionohet ABC News me 405 milion lekë të ardhura për 2021-shin, e cili ngjitet me 5 vende krahasuar me vitin paraardhës.

Renditja shoqërive të biznesit licensuara si media, sipas të ardhurave për vitin 2021 vijon më pas me A2, Vizion +, Report Tv, Tv Scan, Syri Tv, Fax News, Tv Ora, ADTN, Tv Ora News, etj.

Tre mediat me të ardhura të raportuara më të ulëta për 2021 rezultojnë Televizioni Sot 7, me 1.4 milion lekë të ardhura; Shijak Tv me 467 mijë lekë të ardhura; dhe Televizioni Tema, i cili pozicionohet në vend të fundit me 0 lekë të ardhura të raportuara për vitin 2021. Përsa i përket fitimeve Televizioni Klan dhe Top Channel, në një renditje sipas fitimeve, ngjiten me një pozicion. Në vend të parë gjejmë pikërisht televizionin Klan me rreth 191 milion lekë fitim, i cili raporton marzh fitimi kundrejt të ardhurave 9.4%. Ndërsa në vend të dytë, Top Channel fikson fitim për vitin 2021 në 169 milion lekë, duke rezultuar në marzh fitimi 10.6%.

Marzh më të lartë fitimi kundrejt të ardhurave për 2021 raporton Report Tv rreth 34%, i cili pozicionohet në vend të tretë në një listë të mediave sipas fitimit neto, me vlerë fitimi prej 115 milion lekë. Renditja sipas fitimit neto vijon ABC News 98 milion lekë; Euro News 16 milion lekë; Fax News 14 milion lekë; etj. Në total për 2021, mediat me rezultat finaciar pozitiv, pra me fitim, fiksojnë vlerë të fituar pranë 620 milion lekë. Televizionet apo mediat që rezultojnë me humbje (rezultat financiar negativ) për vitin 2021, janë Star Plus, Club Tv, Shijak Tv, Tv Sot 7, Tema Tv, UTV Education, Scan Tv dhe Digitalb.

Në këtë analizë janë përfshirë vetëm mediat që kanë raportuar, dorëzuar dhe u janë afishuar në QKB pasqyrat financiare për vitin 2021, ku nga 36 media aktive, vetëm 25 i kanë deklaruar pasqyrat financiare. Për më shumë, për secilën shoqëri biznesi të licencuar si media audiovizive, në databazën me të dhëna të hapura Open Corporates Albania, është e aksesueshme Pasaporta me informacion të  mirëstrukturuar për themelimin, objektin e veprimtarisë, aksionarët ndër vite, origjinën e kapitalit, çështjet ligjore dhe performancën ekonomike.

Të dhënat janë përpiluar sipas hulumtimit të fundit të Open Data Albania, në lidhje me të ardhurat dhe fitimet e shoqërive të biznesit të licencuara si media audiovizive.  Të dhënat në hulumtim janë marrë nga Qendra Kombëtare e Biznesit (QKB) dhe përfshijnë vetëm statistikat për shoqëritë me Licencë dhe NIPT aktiv. Çdo e dhënë është e paraqitur një format të mirë strukturuar në databazën Open Corporates Albania kategoria për biznese mediatike.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH