Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Raporti i Bankës Botërore skeptik me Shqipërinë për vitin 2024, për shkak të bujqësisë

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Ndërsa madhësia e sektorit të bujqësisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor është duke u tkurrur gjatë dekadave të fundit (shkak emigracioni dhe zhvillimi i sektorëve të tjerë si turizmi, shërbimet dhe industria) ky sektor mbetet ende shumë i rëndësishëm në ekonominë e secilit vend, sepse punëson nga shtatë deri në 35 për qind të popullsisë në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Shifrën më të lartë të punësimit sektori bujqësor e ka në Shqipëri, me 35 për qind, sikurse çuditërisht ka marrë në tri dekada edhe vëmendjen më të ulët nga shteti. Thuajse tre-çereku i fermerëve në të gjithë Shqipërinë ka mbetur si në ’90, pa asnjë investim, çka është shoqëruar me perspektivë të ulët dhe emigracion masiv, kryesisht nga të rinjtë e zonave rurale. Megjithatë, në raportin e fundit të Bankës Botërore për rajonin tonë, thuhet se zhvillimi i bujqësisë ofron një mundësi të mirë për të rritur produktivitetin, konkurrencën dhe qëndrueshmërinë e sektorit e të ekonomisë, duke përdorur efektivisht fondet publike, njohuritë dhe inovacionin më të mirë të mundshëm.

Pas ngadalësimit në vitin 2023, rritja ekonomike në Ballkanin Perëndimor pritet të përshpejtohet në 2024 për të arritur në tre për qind në mes të rimëkëmbjes së vazhdueshme në Bashkimin Evropian, partneri kryesor tregtar i rajonit. Për Shqipërinë, Bashkimi Europian është akoma edhe më i rëndësishëm pasi kryen mbi 70 për qind të volumit tregtar me vendet anëtarë te BE-së.

Po ashtu synohet të ulet dhe të rikthehet në normalitet inflacioni pas krizës së çmimeve, që të ndihmojë të forcojë të ardhurat e disponueshme dhe të mbështesë konsumin, thotë Raporti i ri Ekonomik i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor , i publikuar këtë javë.

Norma e rritjes rajonale në vitin 2024, edhe pse më e shpejtë se në vitin 2023, mund të jetë 0.1 për qind më e ulët se sa ishte parashikuar nga Banka Botërore në edicionin e mëparshëm të raportit në muajin prill. Projeksioni i rritjes për vitin 2025 u mbajt i pandryshuar në 3.5 për qind.

Rimëkëmbja dhe kthimi në nivelet para pandemisë do të shoqërohet me dallime midis vendeve të rajonit. Rritja në Mal të Zi dhe Shqipëri ishte më e fortë se sa pritej në vitin 2023, e nxitur, ndër faktorët e tjerë, nga një sezon i fortë turistik, por në të dyja këto vende mund të ngadalësohet në vitin 2024. Rritja në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë parashikohet të përshpejtohet në 2024, mbështetur nga një rritje e konsumit dhe e investimeve.

“Pavarësisht goditjeve të shumta, Ballkani Perëndimor ia ka dalë të rritet, të krijojë vende pune dhe të reduktojë varfërinë, dëshmi e bazave të forta ekonomike të rajonit,” tha Xiaoqing Yu, Drejtor i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor. “Inkurajuese është se Ballkani Perëndimor vazhdon të përparojë krah ekonomive të tjera të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Megjithatë, konvergjenca po zhvillohet me një shpejtësi të pabarabartë, e cila kërkon reforma të synuara për të konsoliduar rimëkëmbjen drejt rritjes së qëndrueshme.”

Në vitin 2023, tregu i punës i Ballkanit Perëndimor vazhdoi të forcohej. Shkalla mesatare e punësimit në rajon arriti një nivel të ri historik në pothuajse 48 për qind me 103,000 vende pune të tjera të krijuara midis mesit të 2022 dhe mesit të 2023. Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina dhe Mali i Zi treguan fitimet më të larta. Në të njëjtën kohë, mungesa e fuqisë punëtore vazhdon të jetë ndër shqetësimet kryesore, të ngritura nga bizneset në Ballkanin Perëndimor. Pavarësisht vrullit të fundit në vitet e pas-pandemisë, pjesëmarrja në fuqinë punëtore mbetet e ulët dhe, së bashku me boshllëqet e konsiderueshme gjinore, po ndikon dhe po kufizon uljen e mëtejshme të varfërisë.

Sipas raportit, rajoni duhet jo vetëm të adresojë barrierat për pjesëmarrje më të madhe të fuqisë punëtore, por gjithashtu të përshpejtojë konvergjencën ekonomike me ekonomitë më të përparuara të Evropës. Këto përpjekje duhet të plotësohen me tranzicion më të shpejtë dhe më shumë investime për të rritur rezistencën ndaj fatkeqësive natyrore, përfshirë bujqësinë.

“Bujqësia është një nga sektorët më të prekur nga thatësirat, ndryshimi i stinëve dhe modelet e paparashikueshme të motit. Mbrojtja e bujqësisë nga rreziqet natyrore dhe bërja e saj më e qëndrueshme mund t'u lejojë ekonomive të Ballkanit Perëndimor të vazhdojnë rritjen e produktivitetit bujqësor kundër qasjes së kundërt të ndryshimit të klimës me qëllim që të jenë në gjendje të prodhojnë në mënyrë të qëndrueshme më shumë ushqime, me cilësi të lartë për qëllime të brendshme, por edhe për eksporte, përfshirë ato në BE”, tha Natasha Rovo, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe autore kryesore e raportit.

Qeveria shqiptare është duke hartuar ligjin për sigurimin e pronave bujqësore, me qëllim që të përballohen më sukses dëmet që u shkaktohen fermerëve nga fatkeqësitë natyrore dhe ndryshimet klimatike.

Por në raportin e saj Banka Botërore thotë se zhvillimi “kërkon përmirësimin e politikave publike dhe investimeve për të rritur një adoptim të gjerë të teknologjive dhe praktikave për klimën, nga fermerët që duhen të ishin mbështetur shumë më tepër nga institucione publike, çka ka rezultuar deri tani kritike për të shpresuar në një rritje sa më të qëndrueshme në sektorin bujqësor.” /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH