Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Qeveria mbledh nga xhepat e qytetarëve 45 milionë euro përtej planit, në vetëm tetë muaj

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Në buxhetin e shtetit janë arkëtuar 425 miliardë lekë për 8-mujorin e vitit 2023, sipas të dhënave të Ministrisë së Financave.

Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me 48.5 miliardë lekë ose me 12.9% më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 8-mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 47.8 miliardë LEK nga rreth 8.07 miliardë LEK suficit i planifikuar për këtë periudhë, ose rreth 45 milionë euro më shumë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 233.1% më i lartë ose rreth 33.4 miliardë LEK më shumë.

Shumë qytetarë mund të habiten sesi mund të jenë rritur të ardhurat në arkën e shtetit, në një kohë kur inflacioni është rritur ndjeshëm. Është pikërisht kjo, që ndonëse rritja e çmimeve mund të ketë dobësuar xhepat e qytetarëve, mbledhja e të ardhurave nga TVSH shton të ardhurat në arkën e shtetit, shto edhe politikat fiskale që janë ndjekur nga qeveria për pagat dhe tatimi mbi fitimin.

Asnjë teori ekonomike nuk pretendon se mbledhja e të ardhurave nga xhepat e qytetarëve të jetë sukses, edhe nëse për rishpërndarjen e tyre mungon transparanca ose paratë nuk adresohen aty ku edhe është nevoja më e madhe. Për një vend me një nivel më të lartë varfërie siç është Shqipëria, mbështetja e shtresave në nevojë duhet të ishte më e madhe dhe më e theksuar se në vendet e tjera dhe jo taksimi pa dallim.

Në të ardhurat ecurinë më të mirë e kanë pasur tatimet, të cilat janë arkëtuan 35.3 miliardë ose 18.4% më shumë se 8 mujori i vitit të kaluar. Efektin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë tatimi mbi fitimin (+10.9 miliardë lekë, +36%), Tatimi mbi të ardhurat personale (+8.7 milardë lekë ose 28.4%), TVSH (+5.9 miliardë lekë, +23.8%).

Në fakt efektin më të lartë në rritjen e të ardhurave e kanë dhënë taksat mbi pagën, si rrjedhojë e rritjes së pagës minimale e maksimale, në administratën shtetërore dhe tek bizneset. Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), ishin 13.7 miliardë lekë ose 17.6% më shumë se 8 mujori 2022.

Ndërsa të ardhurat janë rritur ndjeshëm, buxheti është treguar më i kursyer me shpenzimet. Shpenzimet e përgjithshme publike, për 8 – mujorin e vitit 2023, arritën në rreth 377.4 miliardë LEK me një realizim në 92.8 përqind të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me vitin 2022 shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë +4.2 përqind më të larta ose rreth +15.1 miliardë LEK më shumë.

Si rrjedhojë e rritjes së të ardhurave me ritme më të larta sesa shpenzimet, buxheti ka kursyer për periudhën janar-gusht. Niveli i sufiçitit për periudhën 8 – mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 47.83 miliardë LEK nga rreth 8.07 miliardë lekë sufiçit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, niveli i sufiçitit rezultonte në masën prej rreth 14.36 miliardë LEK.

Analiza e të Ardhurave

Të ardhurat totale për 8 – mujorin e vitit 2023 u realizuan në masën 425 miliardë Lekë ose 102.5% të planit të të njëjtës periudhë. Krahasuar me një vit më parë të ardhurat janë rritur me +48.5 miliardë lekë ose +12.9% më shumë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 368 miliardë lekë, 32.9 miliardë ose 9.8% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, si dhe 12.7 miliardë ose 3.6% më shumë se plani 8-mujor për vitin 2023.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 141.4 miliardë lekë, 2.4 miliardë lekë ose 1.7% më pak se 8 mujori 2022, si dhe 10 miliardë lekë ose 6.6 % më pak se plani i të ardhurave doganore për 8 mujorin e vitit 2023.

Të ardhurat nga TVSH në import për 8 mujorin rezultojnë 95.3 miliardë lekë, 5.2 miliardë lekë ose 5.2 % më pak se e njëjta periudhë e një viti më parë, si dhe 8.8 miliardë ose 8.5% më pak se plani për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 38.2 miliardë lekë, 3.5 miliardë lekë ose 9.9% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2022, si dhe 343 milionë lekë ose 0.9% më pak se plani i akcizës për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 2 miliardë lekë, 1 miliardë ose 33.5% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar dhe realizim në masën 63.1% kundrejt planit për 8-mujorin 2023.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 5.9 miliardë lekë, 400 milionë lekë ose 7.3% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe realizim në masën 106.6% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 8 mujorin 2023 u realizuan në masën 226.6 miliardë lekë, 35.3 miliardë ose 18.4% më shumë se 8-mujori i vitit të kaluar, si dhe 22.6 miliardë lekë, ose 11.1% më shumë se plani i 8-mujorit 2023.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 30.9 miliardë lekë, 5.9 miliardë ose 23.8% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe 3.5 miliardë ose 12.8% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 8-mujorin 2023.

Rimbursimet për periudhën 8-mujore 2023 janë 12.3 miliardë lekë, 764 milionë lekë ose 6.6% më shumë se 8-mujori 2022, si dhe 556 milionë lekë ose 4.7% më shumë se plani i rimbursimit të TVSH-së për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 40.9 miliardë lekë 10.9 miliardë lekë, ose 36.2% më shumë se 8-mujori 2022, si dhe 9.4 miliardë lekë ose 30% më shumë se plani i 8 mujorit të vitit 2023 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 39.3 miliardë lekë, 8.7 milardë lekë ose 28.4% më shumë se 8 mujori 2022, si dhe 5.9 miliardë ose 17.6% më shumë se plani i 8-mujorit 2023.

Taksat nacionale, për periudhën 8 mujore 2023 u realizuan në masën 24.3 miliardë lekë, 3.9 miliardë lekë ose 13.8% më pak se 8-mujori 2022, si dhe 5.3 miliardë lekë ose 18% më pak se plani për 8 mujorin 2023.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 91.1 miliardë lekë, 13.7 miliardë lekë ose 17.6% më shumë se 8-mujori 2022, si dhe realizim 111.1% të planit për 8-mujorin 2023.

Analiza e shpenzimeve

Shpenzimet e përgjithshme publike, për periudhën 8-mujore të vitit 2023, arritën në rreth 377.4 miliardë LEK me një realizim në masën 92.8% të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022 ky zë ka rezultuar 4.2% më i lartë ose rreth 15.1 miliardë LEK më shumë.

Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për periudhën 8-mujore të vitit 2023 u realizuan në masën 54.1% të planit vjetor.

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 98.2% dhe 74.4% të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 61.4 përqind dhe 33.6% të tij.

Shpenzimet korente për periudhën 8-mujore të vitit 2023 rezultuan në rreth 335.6 miliardë LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 10.6 për qind më i lartë ose 32.2 miliardë LEK më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 8 mujore të vitit 2023 paraqesin një realizim në masën rreth 41.6 miliardë LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, ky zë rezulton 3.1 për qind më i ulët ose rreth 1.3 miliardë LEK më pak.

Niveli i suficitit për periudhën 8-mujore të vitit 2023 rezultoi në rreth 47.8 miliardë LEK nga rreth 8.07 miliardë LEK suficit i planifikuar për këtë periudhë. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë niveli i suficitit ka rezultuar 233.1% më i lartë ose rreth 33.4 miliardë LEK më shumë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH