Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Paketa fiskale 2024, 15-23% taksa për profesionistët e lirë. Zero për hotelet me pesë yje dhe kazinotë!?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Paketa fiskale 2024, 15-23% taksa për

Aranit Muraçi

E ndërsa po hartohet paketa fiskale 2024 dhe bashkë me të buxheti i i vitit të ardhshëm, në teori taksimi mbetet gjithnjë një çështje e debatueshme. Në praktikë paqartësitë shtohen edhe më shumë, nëse marrin parasysh evazionin fiskal apo edhe nivelin e lartë të korrupsionit çka bën që organet ligjzbatuese, në vend që të garantojnë një treg sa më “fair” dhe konkurrencë të ndershme, bëjnë të kundërtën.

Taksat përgjithësisht orientohen drejt kapitalit, fitimit dhe pasurisë së bizneseve apo individëve, dhe nuk rëndojnë mbi qytetarët, sipërmarrjet që hasin vështirësi në treg, apo profesionistët e lirë.

Ato duhet të justifikojnë së pari koston e shërbimit. Për shembull taksa e gjelbërimit është taksë lokale dhe paguhet për koston e mirëmbajtjes së hapësirave të gjelbërta nëse ato ekzistojnë. Nuk mund të paguajnë taksë gjelbërimi për qytetarët e Tiranës qytetarët e tjerë të Shqipërisë, si ata të Ersekës dhe të Tropojës, të cilët natyra i ka rrethuar me gjelbërim.

Taksimi në fakt është debati që ndan të djathtët me të majtët, kudo në botë. Janë të majtët ata të cilët taksojnë më të pasurit, bizneset e mëdha, sepse besojnë se roli shtetit është më i rëndësishëm sesa ai i individit, për progresin dhe zhvillimin në një ekonomi apo shoqëri.

Në vendin tonë ndodh e kundërta. Edhe pse qeverisin të majtët, ndiqet një politikë e djathtë por më shumë se sa kaq duket se janë zgjedhje preferienciale që favorizojnë target-grupe të caktuara të cilat operojnë në tregje të caktuara.

Kështu për shembull janë përjashtuar nga taksat hotelet me pesë yje, dhe kazinotë brenda tyre, me pretendimin e politik-bërësve se një politikë e tillë nxit rritjen dhe zhvillimin e turizmit.

Nuk taksohen mbi fitimin, nga ana tjetër, bizneset që fitojnë nga tregtia me produkte të shportës bazë, si ushqimet, apo karburanti, edhe pse ka dyshime të forta se çmimi i tyre fiksohet në rrugë të paligjshme ku gjen terren tregu oligopol, ndërsa mungon totalisht kontrolli dhe roli i shtetit. Por çuditërisht taksohen prodhimet vendase. Për ata që eksportojnë prodhimet bujqësore vendase nuk ka asnjë politikë favorizuese, me të njëjtin argument, zhvillimin e bujqësisë. Zhvlerësimi i euros, ndërkohë që shumë prodhues i kanë lidhur kontratat në monedhën europiane është një tjetër goditje, për prodhuesit.

Teksa kritikon vendimin e qeverisë për të taksuar me 15-23% profesionistët e lirë, eksperti Zef Preçi thotë se duhet taksuar së pari dhe mbi të gjitha kapitali.

Pra, veç heqjes së taksave të panevojshme është edhe domosdoshmëria për të hequr favorizimet e bëra në tatime për fusha të ndryshme të ekonomisë.

Për ndryshimet e reja në taksa që pritet të jenë pjesë e paketës fiskale për buxhetin e vitit 2024, ekspertët thonë se fokusi duhet të jetë tek barazia në taksim dhe tek eliminimi i favorizimeve të bëra në sektorë të ekonomisë, si në rastin e turizmit.

“Qeveria duhet të rishikojë me një optikë shumë të kujdesshme privilegjet që ju ka dhënë investitorëve, deri tek resortet turistike, pasi është keqpërdorur ky instrument inkurajimi duke mos bërë as investimet. Përjashtimet fiskale që u janë ofruar hoteleve me 5 yje apo kazinove nuk kanë asnjë impakt në shtimin e të ardhurave apo rritjen e punësimit, thotë Preçi.

Pse duhet të paguajë për shembull taksa taksixhiu që transporton turistë në një hotel me pesë yje dhe duhet të përjashtohet hoteli që i pret ata? E njëjta logjikë vlen edhe për të gjitha profesionet e lira?

Edhe bota e zhvilluar, madje në Itali ku thuhet se qeveris e djathta ekstreme po taksohen bankat mbi fitimin dhe mbi 70 për qind e kompanive që fitojnë direkt ose indirekt nga kriza energjetike e çmimit, me qëllim që me të ardhurat e siguruara të ndihmohen shtresat e mesme e të varfra për të mbajtur të karikuar ose për të mbrojtur fuqinë blerëse.

Taksimi i kapitalit ose i fitimit prej vitesh propozohet edhe nga deputetë socialistë, por që deri më tani duket se qeveria preferon të taksojë qytetarët, aq sa nëse taksohen të ardhurat e qytetarëve nga puna dhe jo miliarderët “e papunë” rrezikon të zhduket në një të ardhme të shpejtë e tëra shtresa e mesme.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH