Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Mbi 5 milionë turistë në 7 muaj, 40 për qind nga Kosova. Nga vijnë turistët e huaj, dallimi me Greqinë!

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: Mbi 5 milionë turistë në 7 muaj, 40 për

Aranit Muraçi

Vendin tonë e vizituan sipas shifrave zyrtare 5.167.656 turistë në 7 muaj të parë të këtij viti (1.7 milionë vetëm në korrik), ndërsa, si krahasim Greqia mirëpriti mbi 10 milionë turistë në 6 muajt e parë të vitit 2023. Në numrin total të turistëve, vendi ynë ka llogaritur edhe numrin e emigrantëve apo të shtetasve shqiptarë që vijnë nga Kosova, Mali i Zi apo Maqedonia e Veriut. Si dallim, në Greqi dominojnë turistët nga vendet më të mëdha dhe më të pasura të Perëndimit, si Gjermania, Franca, Britania e Madhe dhe SHBA. Rreth 40% të turistëve që erdhën në Shqipëri në gjysmën e parë të këtij viti ishin shtetas nga Kosova, çka tregon se “turizmi patriotik” vijon të mbajë peshën kryesore të turizmit.

Turistët në Shqipëri  

Hyrjet e shtetasve të huaj kanë arritur nivele rekord në pjesën e parë të këtij viti duke treguar për një rritje të ndjeshme të aktivitetit të turizmit në vend. INSTAT bën të ditur se për periudhën janar-korrik 2023 në vendin tonë kanë hyrë gjithsej 5.167.656 shtetas të huaj. Ky numër është rritur me 30,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.

Vetëm në korrik, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.770.724. Ky numër është rritur me 26,2 %, krahasuar me Korrik 2022. Të dyja këto shifra janë nivele rekord të paregjistruara ndonjëherë më parë.

Sipas INSTAT, në Korrik 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 1.694.657 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Lindja e Mesme, përkatësisht me 45.821 dhe 14.805 shtetas.

Në Korrik 2023, krahasuar me Korrik 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur:

– për qëllime personale me 26,0 %;

– për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 22,8 %;

– për biznes dhe qëllime profesionale me 63,3 %

Të dhënat e disponueshme deri në qershor treguan se peshën kryesore të hyrjeve të shtetasve të huaj vijon ta mbajë Kosova, me 40% të totalit, ndërsa për herë të parë në vend të dytë kaluan italianët, me 9% të totalit. Sipas INSTAT, daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit Korrik 2023 janë 710.711. Krahasuar me Korrik 2022, ky tregues është rritur me 27,8 %.

Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë shtatë-mujorit 2023, është 3.734.813, duke u rritur me 21,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Krahasimi me Greqinë

Greqia mirëpriti mbi 10 milionë turistë në gjysmën e parë të 2023. Flukset hyrëse të udhëtarëve u rritën me 26,0 për qind në gjysmën e parë të vitit, duke shtuar të ardhurat nga udhëtimet me 23,9 për qind dhe duke reflektuar dinamikën e fortë të turizmit të vendit tonë fqinj.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Greqisë këtë javë, numri i hyrjeve nga janari deri në qershor të këtij viti u rrit me 26,0 për qind duke shkuar në 10,061,8 mijë (mbi 10 milionë turistë) krahasuar me 7,983.3 mijë (rreth 7,9 milionë) që ishin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Numri i mbërritjeve përmes aeroporteve të Greqisë u rrit me 19,4 për qind dhe përmes pikave kufitare rrugore me 52,8 për qind. Hyrjet nga vendet e BE u rritën me 21,8 për qind dhe ato jashtë BE-së me 32,4 për qind.

Turistët kryesorë për Greqinë në periudhën e parë gjashtëmujore të këtij viti ishin nga Gjermania, me një rritje të numrit të udhëtarëve me 9.3 për qind duke shkuar në 1.555.3 mijë, Franca me 639.9 mijë udhëtarë, Britania e Madhe 1.294.3 mijë dhe SHBA me një rritje 62.7 për qind duke shkuar në 528.3 mijë. Flukset e udhëtimeve nga Rusia ranë me 16.8 për qind në 13.3 mijë.

Në muajin qershor, flukset hyrëse të udhëtarëve u rritën me 17.9 për qind në 4302.2 mijë, duke shtyrë arkëtimet e udhëtimeve me 17.2 për qind.

Vetëm në qershor Gjermania kontribuoi me 684.3 mijë udhëtarë që vizituan Greqinë, Franca me 238.9 mijë mbërritje, Britania e Madhe me 654.4 mijë, SHBA me 209.3 mijë dhe Rusia me 5.5 mijë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH