Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Financimet për kontratat koncesionare në shëndetësi u rritën me 127 për qind, në spitale të mbyllet dera, ku shkojnë paratë e shqiptarëve

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Shëndetësia në Shqipëri vazhdon të mbetet e fundit në rajon sa i përket shpenzimeve publike në raport me shpenzimet e përgjithshme publike. Ndërkohë, politikat shëndetësore dhe ato të mbrojtjes sociale mbeten të nën-financuara, duke bërë që shpenzimet publike të sektorit të realizohen të paprioritarizuara, pa vëmendjen e nevojshme të qeverisë në llogaridhënie, duke riskuar kështu edhe keqpërdorimin e fondeve buxhetore.

Financimet buxhetore për kontratat koncesionare në shëndetësi nga viti 2020 në programin e 2024 u rritën me 127%, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave.

Në vitin 2024 janë programuar 5,4 miliardë lekë financime për të katër kontratat, kontrollin bazë, sterilizimin, laboratorin dhe dializën. Kostot e financimit për këto PPP dolën jashtë kontrollit vit pas viti, në një kohë që po rrezikohen edhe shërbimet spitalore për të cilat janë dhënë.

Sipas të dhënave të siguruara nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Databaza e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, krahasuar me Rajonin, shpenzimet në sektorin e shëndetësisë për Shqipërinë në raport me shpenzimet e përgjithshme publike rezultojnë më të ulëtat, me mesatarisht 9.8% përgjatë periudhës 2015-2020, ndërkohë që kryeson listën e vendeve të rajonit me shpenzimet më të larta për shëndetësinë Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

Buxheti i shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në përqindje ndaj PBB rezulton në rënie në vitin 2022 krahasuar me dy vite më parë, rënie kjo pjesërisht e shpjegueshme prej faktit që në vitet 2020-2021 buxheti për sektorin e shëndetësisë pësoi rritje më të madhe se normalisht për të financuar shpenzimet e lidhura me menaxhimin e pandemisë së shkaktuar nga virusi i SARS COV-2 (COVID-19). Sa i përket buxhetit të shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale në raport me shpenzimet e përgjithshme publike, ruhet një nivel mesatar prej 12.5%. Ajo që bie në sy është fakti që në vitin 2022 shpenzimet faktike të MSHMS shkojnë në nivelin 12%, në të njëjtin nivel si në vitin 2017, pavarësisht rritjes në vlerë nominale të trendit të shpenzimeve.

Europa, si shpenzohen paratë për shëndetësinë

Në vitin 2022, shpenzimet për sëmundjet e mbrojtjes sociale dhe për kujdesin shëndetësor, të matura si përqindje e PBB-së, ishin në nivelin mesatar 8.1% në BE, duke reflektuar rënie me 0.4 pikë përqindje (pp) krahasuar me vitin 2021 (8.5%).

Midis 24 vendeve të BE-së për të cilat Eurostat kishte të dhëna në publikimin e sotëm (28 nëntor 2023) dhe vlerësime të vitit 2022, shpenzimet për sëmundjet e mbrojtjes sociale dhe kujdesin shëndetësor ishin më të lartat në Francë (10.0% e PBB-së), Gjermani (9.7%), Slloveni (8.6%), Austri (8.5%) dhe Belgjikë (7.3 %), ndërsa më e ulëta ishte në Bullgari (4.2%), Irlandë (4.6%), Hungari, Lituani (të dyja 4.7%) dhe Estoni (4.8%).

Pothuajse të gjitha vendet e BE-së regjistruan një rënie në shpenzimet e sëmundjeve për mbrojtjen sociale dhe kujdesin shëndetësor midis 2021 dhe 2022. Rënia më e madhe në shpenzimet për sëmundjet dhe kujdesin shëndetësor u regjistrua në Bullgari (-1,1 pp), e ndjekur nga Hungaria (-0,9 pp), Lituania dhe Irlanda ( të dyja -0,8 pp). Vendet e vetme të BE-së që raportuan një rritje ishin Luksemburgu (+0,3 pp) dhe Sllovenia (+0,1 pp), kurse Qiproja i mbajti shpenzimet e saj në nivelin e vitit 2021.

Në spital të mbyllet dera, ku shkojnë paratë në Shqipëri

Referuar klasifikimit ekonomik të shpenzimeve, sipas natyres së transaksionit, vërehet se shpenzimet korrente dominojnë shpenzimet e shëndetësisë, përkatësisht rreth 95.6 përqind kundrejt vetëm 4.4% Investime. Shpenzimet korrente shkojnë për: paga, shperblime dhe te tjera shpenzime personeli; kontribute per sigurime shoqerore dhe shendetesore; mallra dhe sherbime te tjera; subvencionet; transferimet korrente te brendeshme; transferimet korrente jashte; transferta per buxhetet familiare dhe individet; fondi i veçante dhe rezervat. Nga ana tjetër shpenzimet kapitale apo investime janë thuajse të papërfillshme në shëndetësi 4.4% ose 2.9 miliardë lekë.

Për vitin 2022 u dhanë rreth 65 miliardë lekë nga buxheti për ofrimin dhe garantimin publik të funksionit shëndetësor nga 638 miliardë lekë që është planifikuar totali i shpenzimeve buxhetore, ose sa 10.2% e totalit shpenzime buxhetore të vitit. Kjo vlerë parashikonte rritje nominale të mbështetjes buxhetore për shëndetsinë me rreth 7.5 miliardë lekë më shumë së plani i vitit 2021. Vlera e shpenzimeve në shendetësi është rritur në vitin 2023 dhe pritet të rritet edhe më tej, kryesisht për rritje pagash, por nuk pritet të ketë ndryshim në raport me shpenzimet totale.

Shpenzimet Shëndetësi zënë 3.5% të Produktit të Brendshëm Bruto. Nga analiza kosto-përfitime konstatohet se detyrimet e një individi me pagë mesatare apo pagë mbi atë mesataren, janë shumë më të larta se mbulimi shëndetësor që përfitojnë publikisht nga shteti. Madje një individ me pagë minimale paguan më shumë detyrime direkte dhe indirekte për mbulim shëndetësor krahasuar më nivelin mesatar të përfitimit. Sa më e lartë është paga që përfiton një i punësuar aq më i lartë dhe kontributi shëndetësor që paguan, kështu hendeku detyrim-përfitime sa vjen e thellohet.

Defekti dhe Deficiti në Skemat dhe Fondin Publik të Detyrueshëm për efekt Sigurime Shoqërore dhe Shëndetësore, vjen gjithnjë e në thellim. Kjo e ndikuar edhe nga politika fiskale që aplikon shteti ku vetëm të punësuarit tatohen në mënyrë progresive, ndërkohë që rreth 48% të të punësuarve në vend të deklaruar si të punësuar me pagë minimale ose të vetëpunësuar.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH