Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Tregtia e Jashtme, Eurozona në një vit suficit 25.6 miliardë euro (pse nuk është lajm i mirë për Shqipërinë)

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Pjesën më të madhe të shkëmbimeve tregtare, Shqipëria e kryen me vendet e Bashkimit Evropian. Sipas raportit të INSTAT, brenda tre mujorit të parë të këtij viti shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me  vendet e BE zënë 59.3% të të gjithë volumit tonë tregtar. Eksportet drejt vendeve të BE-së zënë 73.6% të eksporteve në total ndërsa importet nga po këto vende arrijnë shifrat deri në 50.9% të të gjithë importeve në total. Nga vendet e BE-së, Italia partneri më i rëndësishëm tregtar i Shqipërisë.

Eksportet në vitin 2022 u rritën me 41%, ose me rreth 2 miliardë euro në vendin tonë, sipas të dhënave zyrtare, duke ngushtuar raportin e deficitit tregtar me importet, ndërsa investimet e huaja direkte u rritën me 33%, ose me rreth 340 milionë euro. Rritje patën edhe remitancat me 9.6%, ose me rreth 72 milionë euro, ndërsa borxhi publik u ul nga 74.5 në 64.6%.

Si e tillë, ekonomia e Shqipërisë është thuajse e varur nga ajo e BE-së, ose qoftë edhe një prej vendeve të Bashkimit Europian ku punojnë dhe jetojnë shqiptarët, siç edhe tregoi shembulli i Greqisë në vitin 2008. Shembull tjetër ishte kriza energjetike, e cila dha ndikim indirekt në inflacion, ndonëse ekonomia shqiptare nuk varej nga gazi rus.  Por si importuese e mallrave, produkteve dhe shërbimeve nga BE, vuajti pasojat indirekte.

Ndërsa vendet e BE-së ka rritur ndjeshëm prodhimet e tyre pas krizë energjetike si dhe kanë ulur importet, çka do të thotë se do të thotë se eksportet e Shqipërisë në vendet e Bashkimit Europian do të kenë më të vështirë konkurrencën për të shënuar rritje në të ardhmen.

Vlerësimi i parë për eksportet e mallrave të eurozonës në pjesën tjetër të botës në mars 2023, sipas Eurostat, ishte 269.2 miliardë euro, një rritje prej 7.5% krahasuar me marsin 2022 (250.5 miliardë euro). Importet nga pjesa tjetër e botës ishin 243.6 miliardë euro, një rënie prej 10.0% krahasuar me marsin 2022 (270.6 miliardë euro).

Si rezultat, eurozona regjistroi një suficit prej 25.6 miliardë eurosh në tregtinë e mallrave me pjesën tjetër të botës, në mars 2023, krahasuar me një deficit prej 20 miliardë eurosh në mars 2022, që do të thotë se ka rritur prodhimet e saj. Tregtia brenda zonës euro u rrit në 246.4 miliardë euro në mars 2023, me rritje prej 0,6% krahasuar me muajin mars 2022.

Në janar-mars 2023, eksportet e mallrave të Eurozonës, me pjesën tjetër të botës u rritën në 724.5 miliardë euro (një rritje prej 8.5% krahasuar me janar-mars 2022), ndërsa importet mbetën pothuajse të pandryshuara në 727.1 miliardë euro, në lidhje me të njëjtën periudhë në vitin e kaluar. Si rezultat, zona e euros regjistroi një deficit prej -2,6 miliardë euro, krahasuar me -59,7 miliardë euro që ishte në janar-mars 2022. Tregtia brenda zonës së euros u rrit në 698,3 miliardë euro në janar-mars 2023, me 6,9% më shumë krahasuar me periudhën janar- Mars 2022.

Vlerësimi i parë për eksportet e mallrave jashtë BE-së në mars 2023 ishte 242.2 miliardë euro, me rritje prej 9.4% krahasuar me marsin 2022 (221.4 miliardë euro). Importet nga pjesa tjetër e botës qëndruan në 217.5 miliardë euro, me një rënie prej 13.2% krahasuar me marsin 2022 (250.5 miliardë euro). Si rezultat, BE-ja regjistroi një suficit prej 24,7 miliardë eurosh në tregtinë e mallrave me pjesën tjetër të botës në mars 2023, krahasuar me një deficit prej 29,1 miliardë euro në mars 2022. Tregtia brenda BE-së u rrit në 382,5 miliardë euro në mars 2023 , +1,7% krahasuar me Mars 2022.

Në janar-mars 2023, eksportet e mallrave jashtë BE-së u rritën në 649.0 miliardë euro (një rritje prej 9.4% krahasuar me janar-mars 2022), dhe importet ranë në 659.1 miliardë euro (2.7% krahasuar me janar-mars 2022). Si rezultat, BE regjistroi një deficit prej 10,1 miliardë euro, krahasuar me -84,1 miliardë euro në janar-mars 2022. Tregtia brenda BE-së u rrit në 1 079,4 miliardë euro në janar-mars 2023, +7,4% krahasuar me janar-mars 2022.

Përsa i përket importeve jashtë BE-së, tabloja është e kundërt. Në janar 2023 krahasuar me janarin 2022, shumica e shteteve anëtare regjistruan ulje, ndërsa pesë shtete anëtare regjistruan rritje në importet jashtë BE-së. Uljet më të larta janë vërejtur në Estoni (-46.5%), Irlandë (-37.8%) dhe Lituani (-31.6), ndërsa rritjet më të larta janë vërejtur në Luksemburg (+40.4%) dhe Slloveni (+26.2%).

Zona e euros (EA20) përfshin Belgjikën, Gjermaninë, Estoninë, Irlandën, Greqinë, Spanjën, Francën, Kroacinë, Italinë, Qipron, Letoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Maltën, Holandën, Austrinë, Portugalinë, Slloveninë, Sllovakinë dhe Finlandën. Bashkimi Evropian (BE 27) përfshin Belgjikën, Bullgarinë, Çekinë, Danimarkën, Gjermaninë, Estoninë, Irlandën, Greqinë, Spanjën, Francën, Kroacinë, Italinë, Qipron, Letoninë, Lituaninë, Luksemburgun, Hungarinë, Maltën, Holandën, Austrinë, Poloninë, Portugalia, Rumania, Sllovenia, Sllovakia, Finlanda dhe Suedia. /Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH