Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Dhjetë themeltarët e parë të listës me 345 emra, 33 vite nga krijimi i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Sot mund të numërohen me dhjetra parti, që për ironi, në disa raste me humor thuhet se edhe kryetari ia harron ndonjëherë emrin partisë që drejton. Por ka parti që kanë bërë histori në Shqipëri në 100 e ca vite shtet. Dhe nëse të tjerat janë thjesht numra, nuk janë shumë partitë që u krijuan për të mbetur në histori.

Në fakt, pas rrëzimit të regjimit komunist është vetëm një parti që mbeti në historinë e pluralizmit si partia që i dha fund dominimit njëpartiak.

Sot mund të mos jetë në ditët e saj më të mira, mund të jetë madje shumë larg idealeve të 11 Dhjetorit të vitit 1990, kur u krijua si parti, për njëmijëenjë arsye. Por Partia Demokratike vazhdon të jetë ende forca kryesore opozitare, pavarësisht përçarjes dhe ndasive gjatë viteve të fundit. Partia Demokratike u krijua si një parti e djathtë me vlera properëndimore europiane dhe me bekimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Si e tillë, rruga e saj është e përcaktuar që në ditën e parë të themelimit.

Kush ishin ata që e themeluan Partinë Demokratike në fund të vitit 90’? Sa ishin themeltarët, nga u frymëzuan, kush e mori i pari iniciativën?

Për të njohur historinë e viteve të para të pluralizmit mjafton të lexohet libri “Fillimet”, Botimi I dhe II i shkrimtarit, publicistit dhe një prej themeluesve të Partisë Demokratike, Preç Zogaj.

E ndërsa një përfaqësi e studentëve të Dhjetorit ‘90 zhvillonte takimin e shumëpritur me Ramiz Alinë, udhëheqësi i fundit komunist në Europën Lindore, Zogaj, në librin e tij thotë se pas takimit, udhëheqësi i regjimit të kaluar që po numëronte ditët e tij të fundit, ia kishte dalë “të ndante bashkëautorësinë me studentët për vendosjen e pluralizmit në Shqipëri”.

Paralelisht në mbledhjen mes përfaqësuesve të studentëve me drejtuesit e Partisë së Punës që zhvillohej në Pallatin e Brigadave, në sheshin kryesor të Qytetit Studenti, mijëra studentë dhe intelektualë të tjerë prisnin me padurim t’i bashkoheshin projektit të ri politik, në rrugëtimin e ri drejt hapjes me Europën dhe pjesën tjetër të botës pas izolimit gjysmë-shekullor.

Emrin “Partia Demokratike” Preç Zogaj thotë në librin e tij se, pas dy varianteve të para që u rrëzuan teksa po jepeshin propozime të ndryshme, në momentin historik të shpalljes zyrtarisht të pluralizmit, e dëgjoi ta thoshte e para Elsa Ballauri, megjithëse ka dëshmi dhe pretendime të tjera por kjo pak rëndësi ka nëse dikush tjetër mund të ketë thënë apo përmendur para saj.

Në një dokument i botuar sipas origjinalit të dërguar në Ministrinë e Drejtësisë, mbi themeltarët e Partisë Demokratike në librin e tij “Fillimet”- Botimi II” - Ngjarje, dëshmi, kronikë, refleksione nga vitet 90-‘92, Preç Zogaj përmend 345 emra.

Ndër 10 emrat e parë në listë figurojnë ata të cilët do të merrnin drejtimin e partisë së parë pluraliste në fillimet e viteve ‘90, parti që erdhi në pushtet më 22 mars 1992 dhe ata janë: Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Edmond Budina, Bardhyl Reso, Arben Imami, Genc Ruli, Preç Zogaj dhe Genc Pollo. Dokumenti vijon me Eduart Selamin, në vendin e 11-të, dhe përfundon me Vullnet Spahiun, student, i cili mbyll listën me 345 emra.

33-vjetori i themelimit e gjen Partinë Demokratike të Shqipërisë, përballë sfidës së ringritjes rreth frymës dhe idealeve mbi të cilat ajo u krijua si parti në vitin 1990.

Për këtë arsye, më 11 Dhjetor 2023, ora 16:30, në Pallatin e Kongreseve, kryetari i saj legjitim, Lulzim Basha, thotë në ftesën e tij, drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të Shqipërisë se ka nderin dhe fton “të kremtojmë së bashku themelimin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, të nderojmë sakrificat, guximin dhe vendosmërinë e themeluesve, qëndresën e anëtarëve dhe mbështetësve ndër vite, si dhe guximin e të rinjve, si shpresa për të sotmen dhe për të ardhmen tonë.”

 

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH