Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Çmimet u rritën, qeveria i shton 96 mln euro arkës për 4 muaj

Shkruar nga Liberale

 Nga Aranit Muraçi

Sipas të dhënave zyrtare të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, 223 milionë euro u arkëtuan më shumë në arkën e shtetit gjatë 4 muajve të parë të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Mund të tingëllojë disi ironike për shumicën e qytetarëve, pasi katër muajt e parë të këtij viti përkojnë me rritjen më të lartë të çmimeve në dy dekadat e fundit. Por nëse qytetarët, nga rritja e çmimeve të shportës bazë si pasojë e luftës në Ukrainë, kursejnë më pak ose aspak krahasuar me një vit më parë, qeveria nga vjelja e taksës direkte e ka tejkaluar ndjeshëm planin e të ardhurave gjatë 4 muajve të parë të këtij viti.

Gjithçka lidhet me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH-në), akcizën dhe taksat e tjera. Me rritjen e çmimeve gjatë kësaj periudhe sidomos të produkteve që importohen, është rritur kryesisht shuma që del nga vjelja e TVSH-së (për shembull, nëse vaji i importuar para luftës shitej me 200 lekë litri, nga TVSH-ja shteti arkëtonte 40 lekë, por kur çmimi shkoi në 400 lekë, shteti arkëton 80 lekë. Në rastin e parë, pas TVSH-së konsumatori e blinte me 240 lekë, në rastin e dytë e blen me 480 lekë). TVSH-ja llogaritet 20 për qind të produktit përfundimtar, në vendin tonë, dhe me rritjen e çmimeve ka shtuar të ardhurat në arkën e shtetit, ndërsa taksimi veç çmimit ka rënduar direkt dyfish xhepat e qytetarëve.

Çështja shtrohet se në cilin sektor do të shkojnë paratë e mbledhura dhe si do të realizohet rishpërndarja e rreth 100 milion eurove që u arkëtuan në buxhet gjatë 4 muajve të parë të këtij viti. Logjikisht përderisa ato janë siguruar nga taksat direkte mbi çmimin, duhet të shkojnë si subvencionime ndaj sektorëve dhe kategorive më të prekura.

Mësohet se qeveria do të subvencionojë kompanitë që importojnë disa prej produkteve që janë prekur më tepër nga rritja e çmimit, siç janë materialet e ndërtimit. Kategoritë kryesore që do të përfitojnë nga këto fonde janë: ndërtuesit e rrugëve dhe kompanitë e rindërtimit. Buxheti do të paguajë 30% më shumë për çmimin e hekurit, bitumit dhe çimentos dhe lëndëve të tjera të para. Faturat që do të njihen janë ato që datojnë nga 1 janari i vitit 2020, deri te kontratat që janë ende në proces. Por a nuk do të ishte më normale, siç e praktikojnë edhe vendet e tjera të BE-së, që norma e TVSH-së të mos aplikohet më tepër se 15 për qind, pasi ajo ndikon direkt në xhepat e konsumatorit. Ndërsa nga mbledhja dhe rishpërndarja e të ardhurave, ndodh që veç rritjes së kostos me të cilin shoqërohet procesi, paratë mund të mos shkojnë në destinacionin e duhur.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të ardhurat totale për 4 – mujorin e vitit 2022 u realizuan dhe tejkaluan në masën 107 % të planit. Për 4 muajt e parë të këtij viti janë arkëtuar 96 milion euro më shumë se plani dhe 223 milion euro më tepër se 1 vit më parë.

Performanca paraprake e treguesve fiskalë të konsoliduar për periudhën 4 – mujore (Janar – Prill 2022) reflekton ecurinë e mbledhjes së të ardhurave dhe realizimit të shpenzimeve.

Të ardhurat totale për 4 – mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 107 % të planit të 4 – mujorit.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e katërt të vitit 2022, arritën në rreth 168.5 miliard LEK me një realizim në masën 95 % të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 0.4 përqind më i lartë ose 725 milion LEK më shumë.

Niveli i suficitit për periudhën 4 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 19.2 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 14.8 miliard LEK.

Performanca Paraprake 4-Mujore e të Ardhurave dhe Shpenzimeve

Të ardhurat totale për 4-mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 187.8 miliardë Lekë ose 107 % të planit të 4-mujorit. Krahasuar me një vit më parë të adhurat janë rritur me 34.7 miliard lekë.

Të ardhurat e arkëtuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Drejtoria e Përgjithshme e Doganave (përfshirë edhe Kontributet e mbledhura nga DPT), u vlerësuan në masën 165.1 miliardë lekë, 33.2 miliardë ose 25.2% më shumë, krahasuar me vitin 2021, si dhe 10.1 miliardë ose 6.5% më shumë se plani 4-mujor për vitin 2022. Në këtë realizim kanë ndikuar faktorë të cilët do të shpjegohen në analizën specifike të secilit prej tatimeve më poshtë.

Të ardhurat doganore (të ardhurat nga TVSH në import, akciza, taksa doganore dhe renta minerare) u realizuan në vlerën 65.5 miliardë lekë, 12.7 miliardë lekë ose 24% më shumë se 4 muori 2021, si dhe 1.9 miliardë lekë ose 3 % më shumë se plani i të ardhurave doganore për 4 mujorin e vitit 2022.

Të ardhurat nga TVSH në import për 4 mujorin rezultojnë 46.6 miliardë lekë, 10.7 miliardë lekë ose 29.7 % më shumë se një vit më parë, si dhe 2.1 miliardë ose 4.7% më shumë se plani për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 15.1 miliardë lekë, 1 miliardë lekë ose 7.4% më shumë se viti 2021, si dhe 1 miliardë lekë ose 6.3% më pak se plani i akcizës për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat nga renta minerare në eksport janë realizuar në vlerën 1.4 miliardë lekë, 649 milionë ose 81.1% me shumë krahasuar me vitin e kaluar dhe realizim në masën 136.3% kundrejt planit.

Të ardhurat nga taksat doganore janë arkëtuar në vlerën 2.4 miliardë lekë, 300 milionë lekë ose 14.5% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe realizim në masën 121.6% kundrejt planit.

Të ardhurat tatimore (të ardhurat nga TVSH neto në vend, tatimi mbi fitimin, tatimi mbi të ardhurat personale, taksat nacionale dhe kontributet e mbledhura nga DPT), për 4 mujorin 2022 u realizuan në masën 99.6 miliardë lekë, 20.5 miliardë ose 26% më shumë se 4 mujori i vitit të kaluar, si dhe 8.1 miliardë lekë, ose 8.9% më shumë se plani i 4 mujorit 2022.

Të ardhurat nga TVSH e arkëtuar (neto), u realizua në masën 14.2 miliardë lekë, 7.1 miliardë ose 99.5% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 790 milionë ose 5.9% më shumë se plani i TVSH për t’u arkëtuar në 4 mujorin 2022. Rimbursimet për periudhën 4 mujore 2022 janë 3.9 miliardë lekë, 6.6 miliardë lekë ose 63.1% më pak se 4 mujori 2021, si dhe 1.5 miliardë lekë ose 28.2% më pak se plani i rimbursimit të TVSH-së për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin u realizuan në masën 18 miliardë lekë 5 miliardë lekë, ose 38.1% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 5.4 miliardë lekë ose 43.1% më shumë se plani i vitit 2022 për Tatimin mbi Fitimin.

Tatimi mbi të ardhurat personale është arkëtuar në vlerën 14.7 miliardë lekë, 1.8 milardë lekë ose 13.7% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 354 milionë ose 2.5% më shumë se plani i 4 mujorit 2022.

Taksat nacionale, për peridhën 4 mujore 2022 u realizuan në masën 14.2 miliardë lekë, 2.5 miliardë lekë ose 20.7% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe 1.1 miliardë lekë ose 8.4% më shumë se plani i përcaktuar për 4 mujorin 2022.

Të ardhurat e mbledhura nga kontributet për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore (të administruara nga DPT), u realizuan në masën 38.6 miliardë lekë, 4.3 miliardë lekë ose 12.5% më shumë se 4 mujori 2021, si dhe realizim 101.4 % të planit për 4 mujorin 2022.

Shpenzimet e përgjithshme publike, për muajin e katërt të vitit 2022, arritën në rreth 168.5 miliard LEK me një realizim në masën 95 përqind të planit të periudhës, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021 ky zë ka rezultuar 0.4 përqind më i lartë ose 725 milion LEK më shumë. Në terma vjetorë, shpenzimet e përgjithshme për 4 mujorin e vitit 2022 u realizuan në masën 26.4 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit Fillestar dhe 26 përqind të planit vjetor sipas Aktik Normativ nr.3, datë 12.03.2022 (AN nr.3).

Shpenzimet korente dhe ato kapitale, për periudhën 4 mujore, kanë shënuar një realizim respektivisht në masën 97.7 përqind dhe 87.5 përqind të planit të periudhës. Ndërkohë që, në terma vjetorë ato janë realizuar përkatësisht në 28.6 përqind dhe 13 përqind të planit vjetor sipas Buxhetit fillestar dhe 28.9 përqind dhe 14.2 përqind të planit vjetor sipas AN nr.3.

Shpenzimet korente për periudhën 4 mujore të vitit 2022 rezultuan në rreth 145.1 miliard LEK, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ky zë ka rezultuar 3.7 përqind më i lartë ose rreth 5.1 miliard LEK më shumë.

Shpenzimet kapitale për periudhën 4 mujore të vitit 2022 paraqesin një realizim në masën rreth 15.5 miliard LEK. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021, ky zë rezulton 43.7 përqind më i ulët ose rreth 12.06 miliard LEK më pak. Niveli i suficitit për periudhën 4 mujore të vitit 2022 rezultoi në rreth 19.2 miliard LEK nga rreth 1.34 miliard lekë deficit i planifikuar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku niveli i deficitit rezultonte në masën prej rreth 14.8 miliard LEK, për periudhën 4 mujore të vitit 2022 vihet re një rritje e ndjeshme e nivelit të suficitit.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH