Aktualitet

SHIFRA E DITËS: Çdo familje shqiptare shpenzon mbi 1 milion lekë në muaj, ushqimet zënë 39,7 % të buxhetit familjar

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Sipas përllogaritjeve të fundit, familjet shqiptare me 3 deri në 4 pjesëtarë, të cilat jetojnë në kryeqytet dhe nuk sigurojnë mbi 1 milion lekë të ardhura në muaj, janë të destinuara të sakrifikojnë edhe vaktet e ushqimit për mbijetesë. Për një familje më të madhe, që nuk i siguron këto të ardhura, mbijetesa nënkupton “luftën”.

Në vitin 2022, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një NjEF (familje) në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 104.426 lekë në muaj. Sipas qarqeve të dhënat zyrtare tregojnë se ndryshon niveli i jetesës, ku familjet në Kukës dhe Dibër ia dalin me 73 mijë lekë të ardhura në muaj.

Në vitin 2022, sipas INSTAT, shpenzimet mesatare mujore për konsum për një Njësi Ekonomike Familjare (NJEF), e përbërë mesatarisht nga 3,7 persona, vlerësohen me 88.367 lekë, të cilat janë 4,5 % më të larta se në vitin 2021. Rritja e inflacionit kur të ardhurat kanë mbetu pa aq do të thotë se kostoja e jetesës është bërë më e vështirë për shumë nga familjet shqiptare. Situata mund të jetë dramatike për familjet të cilat kanë ulur të ardhurat gjatë kësaj periudhe.

Shpenzimet gjithsej për konsum janë rreth 67 miliardë lekë në muaj për 758.973 NjEF (ose familje).

Në vitin 2022, grupi “Restorante dhe hotele” ka rezultuar me rritjen më të lartë të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 37,5 %, krahasuar me vitin 2021, ndjekur nga grupet: “Transport” me një rritje prej 15,7 % dhe “Pije alkoolike dhe duhan” me rritje prej 14,0 %. Ndërsa grupi “Shëndet” ka rezultuar me ulje të shpenzimeve mesatare mujore për konsum, me 17,2 %. Ulja në shpenzimet për shëndetin lidhet me periudhën e dy viteve të pandemisë, ku shumë familje u desh të shpenzonin shumë më tepër.

Grupi “ushqime dhe pije joalkoolike”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 35.083 lekë zë një peshë prej 39,7 % në buxhetin familjar. Nëngrupet që zënë peshën më të madhe në shpenzimet për ushqim janë: “mish dhe nënprodukte” me 18,9 %, “bukë dhe drithëra ” me 16,9 % ndjekur nga “qumësht me nënproduktet e tij dhe vezë” me 12,9 % .

Sipas INSTAT, grupi i shpenzimeve për banesën, me shpenzimet për energji elektrike, ujë, lëndë djegëse, qira të paguar dhe riparime të vogla, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 8.640 lekë, përbën 9,8 % të totalit të buxhetit familjar.

Për shkak të rritjes së turizmit, grupi "Restorante dhe hotele”, me një vlerë mesatare mujore të shpenzimeve prej 6.448 lekë, zë 7,3 % të buxhetit gjithsej. Rritja prej 37,5 % e shpenzimeve për grupin “restorante dhe hotele” në vitin 2022 ka ardhur si rezultat i rritjes më të madhe të shpenzimeve për nëngrupet: “shërbime akomodimi në hotele/komplekse hotelesh brenda dhe jashtë vendit”, “qëndrime për një natë në hotele, komplekse hotelesh, fshatra turistike, kampingje jashtë vendit” si dhe “shpenzime ushqimi, pije dhe meze në menca (punëtorësh, studentë, etj)”. Rritje e cila është shoqëruar me rritjen e peshës së këtij grupi në strukturën e shpenzimeve mesatare mujore për konsum të NjEF.

Nga kriza energjetike, shpenzimet në grupin “transport” kanë shënuar rritje prej 15,7 %, krahasuar me vitin 2021, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupet: “karburante”, ndjekur nga: “shpenzime për autobuz/mikrobuz shkolle” si dhe “shpenzime për bileta ditore, mujore ose sezonale për transportin lokal”.

Peshën më të madhe brenda këtij grupi e përbëjnë “shpenzimet për karburante”, mbi 50 %. Shpenzimet në grupin “Pije alkoolike dhe duhan” kanë shënuar një rritje prej 14,0 %, krahasuar me vitin e kaluar, rritje e cila ka ardhur si rezultat i rritjes së shpenzimeve për nëngrupin “duhan” me (16,1 %)”, ku dhe brenda grupit “duhani” zë një peshë prej 64,2 %.

Në vitin 2022, qarku i Tiranës paraqet shpenzimet mesatare më të larta mujore për konsum. Një NjEF (familje) në qarkun e Tiranës shpenzon për konsum mesatarisht 104.426 lekë në muaj. Qarqet që paraqesin shpenzimet mesatare më të larta për konsum, pas qarkut të Tiranës, janë Korça me 85.398 lekë dhe Durrësi me 83.473 lekë në muaj për NjEF. Qarqet me nivel më të ulët të shpenzimeve mesatare mujore për konsum janë qarku i Dibrës me 72.724 dhe i Kukësit me 73.099 lekë në muaj për NjEF.

Niveli dhe struktura e shpenzimeve për konsum ndryshojnë në varësi të madhësisë dhe përbërjes së NjEF që ndikojnë në mënyrën e shpërndarjes së buxhetit të disponueshëm. Në vitin 2022, në NjEF-të e përbëra nga dy të rritur pa fëmijë, grupi “ushqim dhe pije jo-alkoolike” zë peshën më të madhe prej 43,4 %, krahasuar me tipet e tjera. Pesha më e lartë për shpenzimet për grupin “transport” është regjistruar në strukturën e buxhetit të NjEFve të përbëra nga tri ose më shumë të rritur me dhe pa fëmijë, 7,6 %. Në NjEF-të e përbëra nga tri ose më shumë të rritur pa fëmijë në varësi pesha që zënë shpenzimet për “arsim” është më e lartë krahasuar me tipet e tjera. Në NjEF në përbërjet e të cilave ka fëmijë janë shënuar peshat më të larta për grupin “Veshje dhe këpucë”.

Anketa e Buxhetit të Njësive Ekonomike Familjare, e INSTAT, është një vrojtim statistikor që kryhet pranë njësive ekonomike familjare (NjEF) dhe jep një panoramë të situatës socio-ekonomike të NjEF në Shqipëri. Rezultatet e kësaj ankete përdoren gjithashtu për përditësimin e Indeksit të Çmimeve të Konsumit dhe llogaritjen e Konsumit Final të NjEF si një agregat i rëndësishëm i PBB me metodën e shpenzimeve. Anketa e Buxhetit të NjEF-ve u krye për herë të parë në vitet 1999-2000 dhe ishte përfaqësuese vetëm për zonat urbane, për të vazhduar më pas në vitet 2006-2007, 2008-2009 dhe që nga viti 2014 e vazhdueshme. Nga viti 2006-2007 anketa është gjithëpërfshirëse për të gjithë territorin e Shqipërisë duke përfshirë zonat urbane dhe rurale si dhe me përfaqësim në nivel qarku.

\Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH