Aktualitet

SHIFRA E DITËS/ BE refuzoi 18.600 shqiptarë për 2021-in, “kampione” Ukraina   

Shkruar nga Liberale

Nga Aranit Muraçi

Mjafton që të ketë një vend tjetër që të jetë përfshirë në luftë ose në ndonjë konflikt dhe pas tyre, përsa i përket emigracionit në vendet e BE-së, vijnë shqiptarët. Në vitin 2021, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat rreth 139 000 shtetasve jashtë BE-së iu refuzua hyrja në vendet anëtare të BE-së, ose 1% më shumë krahasuar me 137.800 që u ndaluan të futeshin në vitin 2020.

Numri më i madh i refuzimeve për vitin 2021 u raportua nga Hungaria (34.700), e ndjekur nga Polonia (26.200), Kroacia (14.200) dhe Rumania (11.000). Qytetarët ukrainas përbënin numrin më të madh të refuzimeve për vitin 2021 (50.200). Shifrat e radhës më të  madhe e regjistruan nga qytetarët e Shqipërisë (18.600) dhe ata të Moldavisë (9.100). Në muajt e parë të këtij viti, ndonëse mungojnë shifrat zyrtare, pas lehtësimit të masave prej pandemisë, largimi i shqiptarëve besohet se mund të jetë në përmasa edhe më dramatike. Bie në sy fakti se nga Ballkani Perëndimor nuk figuron asnjë vend tjetër, veç vendit tonë. Pas ’90, ndonëse kanë kaluar plot tri dekada, shqiptarët vazhdojnë të largohen masivisht drejt vendeve të tjera të zhvilluara për një jetë më të mirë.

Në vitin 2021, rreth 681 200 qytetarë jashtë BE-së rezultuan se qëndronin në mënyrë të paligjshme në vendet anëtare të BE. Kjo ishte 22% në krahasim me (557 500) në vitin 2020.

Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve të paligjshëm për vitin 2021 (215.200), e ndjekur nga Hungaria (134.100) dhe Gjermania (120.300). Sirianët përbënin numrin më të madh të emigrantëve të pranishëm ilegalisht në BE gjatë vitit 2021 (79.800). Shifrat e tjera më të larta u regjistruan për qytetarët e Algjerisë (56 800) dhe Afganistanit (52.800). Qytetarët jo anëtarë të BE-së që u detyruan të largohen nga vendet anëtare të BE-së ishin 14% më pak krahasuar me vitin 2020. Në vitin 2021, rreth 342.100 shtetas jashtë BE-së u urdhëruan të largoheshin nga territori i Shteteve Anëtare të bllokut.

Ndër vendet anëtare të BE-së, Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve jashtë bllokut që u detyruan të largohen nga territori i saj në vitin 2021 (125.500), e ndjekur nga Gjermania (31.500) dhe Greqia (28.800). Në vitin 2021, numri më i madh i personave që u detyruan të largoheshin nga territori i një shteti anëtar të BE-së u vu re mes algjerianëve (26.400), shqiptarëve (22.000) dhe marokenëve (21.800).

Rreth 82 700 shtetas jashtë BE-së u larguan nga zona e bllokut. Në vitin 2021, rreth 82 700 shtetas jo-anëtarë të BE-së u kthyen pas një urdhri për t'u larguar nga territori i BE-së. Franca raportoi numrin më të madh të shtetasve jashtë BE-së të kthyer në vitin 2021 (14 400), e ndjekur nga Gjermania (10.300) dhe Suedia (9.300). Ukrainasit dhe shqiptarët (9.400 secili) kryesuan listën e shtetasve jashtë BE-së, që u detyruan të ktheheshin në vitin 2021, të ndjekur nga gjeorgjianët (5 400) dhe pakistanezët (3.200). Edhe në këtë listë, ashtu si ndalimet në kufi, edhe për qëndrimin e paligjshëm në vendet anëtare të BE-së shqiptarët vijnë të dytë pas Ukrainës. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH