Globi

SHIFRA E DITËS: Analiza e shpenzimeve ushtarake sipas vendeve (1949-2100), pas një shekulli SHBA pritet t’ia lërë vendin e parë Kinës

Shkruar nga Liberale

Pas mbarimit të Luftës së Dytë Botore, e deri më sot SHBA vazhdon të jetë fuqia më e madhe ushtarake në botë, kjo falë shpenzimeve marramendëse krahasuar me vendet e tjera. Por një shekull pas mbarimit së luftës së madhe, sipas analizës së “Imperial Statistics”, pjesë e “Imperial College London”, SHBA sa u përket shpenzimeve do t’ia lërë vendin e parë Kinës. Sipas analizës së shpenzimeve më të mëdha ushtarake në botë, nga viti 1949 dhe deri më sot si dhe projeksionit deri në vitin 2100, duket se ekonomia dhe shpenzimet ushtarake mbeten të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën.

Shpenzimet e SHBA-ve, vetëm katër vite pas përfundimit të Luftës ë Dytë Botërore në ushtri ishin mbi 14 miliardë dollarë ose 12 herë më të larta se ato të Francës. Vendin e tretë në shpenzimet ushtarake e mbante Italia në fund të viteve ’40. Interesant është se vendi ynë fqinj, Greqia, mbante vendin e katërt në botë për sa u përket shpenzimet ushtarake me 216 milionë dollarë. Në vend të pestë me një shifër të përafërt pozicionohej Holanda dhe pas Turqia. Pas Luftës së Dytë Botërore, Greqia përjetoi deri në vitin 1949 një lufte civile, ndërsa konfliktet e vazhdueshme me turqit duket se kanë pasur ndikim në buxhetin ushtarak, që vendi ynë fqinj, ka miratuar në ato vite duke lënë pas superfuqi ushtarake dhe bërthamore sot si Britania e Madhe, Rusia, Kina, India, Franca etj.

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe deri më sot SHBA vazhdon të fuqia më e madhe ushtarake e planetit.

Nëse i referohemi shpenzimeve, është Kina në vend të dytë pas SHBA-ve, në vitin 2023. Por si fuqi ushtarake vlerësohet të jetë Rusia, në vend të dytë pas Shteteve të Bashkuara. Edhe renditja e ushtrive më të fuqishme në botë për vitin 2023, sipas “Businessinsider” nga analiza e 145 vendeve, nxjerr SHBA-në me në diferencë të madhe karshi vendeve të tjera. Analiza merr në konsideratë një mori faktorësh të ndryshëm si vëllimi i sofistikimit të pajisjeve, financat, gjeografia dhe burime të tjera. Renditja e cila i referohet “Global Firepower” analizon faktorë që përfshijnë sasinë e pajisjeve ushtarake dhe të trupave që ka secili vend në dispozicion, flotën detare, atë ajrore, teknologjinë, buxhetin etj. Sipas kësaj renditjeve janë këto 20 vendet më të fuqishme ushtarake sot në botë:  20: Polonia, 19: Vietnami, 18: Izrael, 17: Iran, 16: Australia, 15: Ukrainë, 14: Egjipt, 13: Indonezia, 12: Brazili, 11: Turqia, 10: Italia, 9: Franca, 8: Japonia, 7: Pakistani, 6: Koreja e Jugut, 5: Mbretëria e Bashkuar, 4:  India, 3: Kina, 2: Rusia dhe 1: SHBA.

“Global Firepower” e rendit Rusinë aktualisht të dytën si ushtria më e fortë e botës, ndërsa për sa i përket shpenzimeve ushtarake pas SHBA-së pozicionohet Kina. Rusia duhet theksuar se është përballur me një sërë pengesash ushtarake që kur nisi pushtimin e saj në Ukrainë, duke humbur sasi të konsiderueshme pajisjesh – veçanërisht tanke. Dështimi i saj për të pushtuar shpejt Ukrainën – një kundërshtar shumë më i dobët – bëri që shumë njerëz të rivlerësonin mendimin e tyre për aftësinë e saj ushtarake. Që nga gushti 2023, Rusia ka kaluar kryesisht në mbrojtje në Ukrainë, duke e mbajtur kundërshtarin e saj me një rrjet të frikshëm llogoresh dhe fushash të minuara. Pavarësisht humbjeve të saj në terren, forcat ajrore dhe marina ruse shmangën kryesisht dëmtimet. Rusia ka gjithashtu rezervën më të madhe në botë të armëve bërthamore.

SHBA pozicionohet e para në shumë fusha të renditjes së “Global Firepower”, me 92 bombardues dhe 11 aeroplanmbajtëse, si pjesë të flotës së saj. Fuqia e saj ajrore përfshin 13,300 avionë dhe 983 helikopterë sulmues, të vlerësuar në prill 2023, çka është padyshim fuqia më e madhe ajrore në botë.

SHBA gjithashtu ka buxhetin më të madh të mbrojtjes, mbi 750 miliardë dollarë, më shumë se trefishi i buxhetit të Kinës që mban vendin e dytë. Në përgjigje të pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, SHBA-ja dislokoi 20,000 trupa shtesë në Evropë, duke e çuar totalin në më shumë se 100,000 ushtarë në të gjithë kontinentin. SHBA-ja është ofruesi më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën, duke dhënë më shumë se 42 miliardë dollarë ndihmë për sigurinë që nga fillimi i pushtimit të parë të saj prej Rusisë në 2014.

Sipas projeksionit, bazuar në analizën e “Imperialstatistics”, Kina pas vitit 1950 do të jetë fuqia me shpenzimet më të mëdha ushtarake në botë. Në vitin 2100 do të jetë Kina fuqia më e madhe ushtarake e botës, ndërsa pas saj India do të mbajë vendin e dytë. Në vendin e tretë do të jetë SHBA dhe më do të vijnë vendet e tjera si Rusia, Franca, Indonezia, Gjermania dhe Brazili. Në 10 vendet me ushtrinë më të fuqishme në botë, në vitin 2100 do të ketë një pozicionim të mirë edhe për Nigerinë e Japoninë.

Referenca: https://www.youtube.com/@imperialstatistics

Përgatiti: A.Muraçi/ Liberale.al

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH