Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 929 euro “kostoja e luftës” për çdo familje italiane, si ka ndikuar rritja e çmimeve për shqiptarët

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 929 euro “kostoja e luftës” për

Nga Aranit Muraçi

Kur do të frenohet rritja e pakontrolluar e çmimeve?

Për aq kohë sa Europa dhe mbarë bota po luftojnë me rritjen me të lartë të çmimeve gjatë dekadave të fundit, vendi ynë, një vend që kryesisht varet nga importet, do të vuajë pasojat e rritjes së çmimeve globale.

Inflacioni vjetor i Eurozonës u rrit në një nivel të ri rekord prej 8.1% në muajin maj, sipas një vlerësimi paraprak të Eurostat.

Shifra është edhe më e lartë nga rekordi i mëparshëm prej 7.4%, i regjistruar në prill. Çmimet e energjisë pritet të ketë rritjen më të lartë vjetore prej 39.2% për muajin maj, tha në një deklaratë zyra statistikore e BE-së. Rritja më e lartë vjetore e çmimeve për vendet e BE-së gjatë muajit maj ishin në Estoni me 20.1%, e ndjekur nga Lituania me 18.5% dhe Letonia me 16.4%, sipas vlerësimeve të fundit të Eurostat. Por disa vende si Franca, Zvicra apo edhe Gjermania kanë pasur një inflacion më të ulët sesa Shqipëria, mesatarisht rreth 3 për qind.

Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria regjistroi inflacionin më të lartë në dy dekadat e fundit, për shkak të krizës energjetike dhe të luftës në Ukrainë. Faturat për transport dhe ushqime u shtrenjtuan dukshëm gjatë muajit prill, si pasojë e rritjes së çmimit të hidrokarburëve duke e çuar inflacionin në Shqipëri në 6.1%. Efekti zinxhir preku edhe produktet e tjerë në rritjen e shpejtë të çmimeve, ndonjëherë edhe abuzivisht, pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë. Në krahasim me mesataren e të gjitha vendeve të BE-së, inflacioni në vendin tonë ndonëse ishte më i ulët muajin e kaluar, mungesa e prodhimeve vendase, papunësia dhe pagat e ulëta, niveli i varfërisë, janë ato që e bëjnë dhe më të papërballueshëm rritjen e çmimeve për një pjesë të mirë të popullaës.

Për muajin maj, ende nuk janë bërë publike të dhënat e INSTAT, ndërkohë që në tregjet globale rritja e çmimeve energjetike nuk është ndalur, përkundrazi, çmimet po njohin rritje muaj pas muaji, që kur nis lufta në Ukrainë, ndaj edhe maji pritet të mbyllet me një inflacion rekord për vendin tonë. Por ajo që është edhe më shqetësuese se kaq mbetet abuzimi me rritjen e çmimeve dhe mungesa e prodhimeve vendase, apo mungesa e vizionit për të orientuar ekonominë nga prodhimtaria.

Si krahasim në vendin fqinj prej të cilët kemi një volum të konsiderueshëm importesh, në Itali, inflacioni është rritur sërish në muajin maj pas ngadalësimit që pati në prill. Sipas vlerësimeve paraprake të Istat-it, indeksi kombëtar i çmimeve të konsumit shënoi një rritje prej 0.9%, në baza mujore dhe 6.9% me bazë vjetore (ishte 6% në prill). Një nivel i tillë, sipas Institutit të Statistikave të Italisë, nuk ishte regjistruar që nga marsi 1986, kur ritmi i rritjes së çmimeve arriti në 7%.

Më së shumti kanë pësuar rritje mallrat energjetike (rritja e të cilave shkon nga + 39,5% në prill në + 42,2%), ato ushqimore (nga + 6,1% në +7,1%), kryesisht produktet e përpunuara (nga + 5,0% në + 6,8%), shërbimet rekreative, kulturore dhe të kujdesit personal (nga + 2,4% në + 4,4%) dhe ato në lidhje me transportin (nga + 5,1% në + 6,0%).

Sipas vlerësimeve të agjencive të specializuara në Itali konflikti në Ukrainë ka nxitur inflacionin dhe, sipas CGIA, rritja e çmimeve u ka kushtuar mesatarisht plot 929 euro çdo familjeje italiane. Rritja e çmimit të energjisë elektrike, gazit, transportit apo edhe kostot e produkteve të shportës bazë, janë ato që rëndojnë mbi xhepat e qytetarëve.

Italia vlerëson një rënie reale të PBB-së prej 24 miliardë eurosh që i korrespondon një humbjeje për çdo familje italiane prej 929 eurosh. Kjo shifër është quajtur ndryshe edhe  “kostoja e luftës”, pavarësisht paqes, që ka rënduar xhepat e familjeve italiane gjatë muajve të parë të vitit 2022

Vendi ynë, me pagë mesatare rreth 10 herë më të ulët se Italia, nuk ka agjenci të specializuara që të bëjnë matje në kohë reale, për të kuptuar sesa ka rënduar rritja e çmimeve gjatë muajve të luftës në buxhetin familjar të shqiptarëve.  /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH