Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 7% e punëtorëve në BE punuan përtej orarit në 2022, në krye të listës vendi që ka punësuar më tepër shqiptarë

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Në BE, nga të dhënat e fundit të Eurostat 7% e njerëzve të punësuar kanë punuar me orë të gjata (duke punuar zakonisht 49 orë ose më shumë në javë) gjatë vitit 2022. Në vendet perëndimore, si në Gjermani, puna jashtë orarit si dhe puna në ditë pushimi, ka një pagesë ekstra për orë. Veç faktit që Shqipëria e ka të humbur garën për sa i përket vlerës së punës me vendet e zhvilluara të BE-së, janë mosrespektimi i këtyre rregullave të punës ato që kanë çuar në deficin e madh me të cilin përballet aktualisht vendi në tregun e punës.

Një përqindje më e lartë e të vetëpunësuarve punonin me orë të gjata (30% e totalit të të vetëpunësuarve) krahasuar me të punësuarit (4% e totalit të të punësuarve). Për më tepër, orët e gjata të punës ishin më të zakonshme në mesin e punëtorëve të kualifikuar në bujqësi, pylltari dhe peshkim (28% e totalit të punëtorëve) dhe menaxherëve (24%) krahasuar me çdo grup tjetër të madh të profesioneve të tjera (të gjithë me më pak se 8 %) .

Në të gjithë vendet e BE-së, Greqia vendi që ka të punësuar numrin më të lartë të emigrantëve shqiptarë në vendet e Bashkimit Europian, kishte përqindjen më të lartë të punëtorëve me orar të zgjatur (13%), e ndjekur nga Franca dhe Qiproja (secila nga 10%). Edhe Italia, vend në të cilin punojnë dhe jetojnë një numër i konsiderueshëm emigrantësh, ka një normë më të lartë se mesatarja e BE (9.4). Gjermania, një vend që po tërheq gjithnjë e më shumë emigrantë ka një normë poshtë mesatares së BE-së, ku vetëm 6 për qind e të punësuarve punojnë jashtë orarit.

Ndërkohë, normat më të ulëta të orarit në punë janë shënuar në Bullgari, Lituani dhe Letoni (secila nga 1%). Kjo shpjegohet me faktin se këto vende, ashtu si Shqipëria, janë duke humbur fuqinë punëtore dhe kanë kosto të ulët për

Këto statistika janë publikuar në lidhje me Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Sakaq nuk ka të dhëna për Shqipërinë, mbi orët shtesë në punë, as nga Instat dhe as nga Eurostat. Për Shqipërinë të dhënat janë vetëm për numrin e të punësuarve dhe të papunëve.

Për vitin 2021 kur edhe janë publikuar të dhënat e fundit, sipas Instat, për moshën e punës 15-64 vjeç, në Shqipëri është regjistruar një shkallë punësimi prej 60,9% (68,2% për burrat dhe 53,8% për gratë). Ky tregues mund të përdoret së bashku me shkallën e papunësisë për një vlerësim të përgjithshëm të situatës në tregun e punës.

Shkalla e papunësisë në Shqipëri, në vitin 2021, është 11,5%. Kjo do të thotë se rreth 163.000 persona janë të papunë. Shkalla e papunësisë është 11,3% për meshkujt dhe 11,8% për femra.

Të rinjtë kanë një shkallë më të lartë papunësie sesa grupmoshat e tjera. Gjatë vitit 2021, shkalla e papunësisë së të rinjve është 27,1%. Kjo përqindje është rreth dy herë më e lartë se niveli i papunësisë për të gjithë popullsinë e moshës 15 vjeç e lart.  Papunësia e të rinjve ka rënë vitet e fundit, pjesërisht për shkak të politikave të nxitjes së punësimit që promovojnë forma të ndryshme të kualifikimit apo trajnimit profesional, por më së shumti për shkak të largimit masiv në emigracion.

Meqenëse jo të gjithë të rinjtë bëjnë pjesë në forcën e punës, por shumë prej tyre janë ende në arsim, shkalla e papunësisë së të rinjve mund të krijojë hapësirë për keqinterpretim. Shkalla e papunësisë së të rinjve prej 30%, për shembull, nuk do të thotë që pothuajse një e treta e personave 15-24 vjeç janë të papunë. Do të thotë që pothuajse një e treta e të rinjve në forcën e punës (por jo nga ata që janë në shkollë) janë të papunë.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH