Aranit Muraçi
Rindërtimi i pasluftës i Ukrainës do të kushtojë rreth 600 miliardë euro, tha zëvendëspresidentja e Bankës Botërore Anna Bjerde, në një intervistë për gazetën austriake “Die Presse”. “Më parë, ne publikuam shifrën, e cila u llogarit së bashku me Komisionin Evropian dhe qeverinë ukrainase. Sa para nevojiten për të rindërtuar Ukrainën dhe për ta sjellë atë në standardet evropiane, si për shembull në aspektin e efikasitetit të energjisë? Në fillim të Qershorit ishte rreth 350 miliardë euro”, tha Bjerde. Por që atëherë, ajo tha se shifra ishte rritur ndjeshëm në vlerësimin e ri. E ndërsa lufta vazhdon, pas janarit dhe më tej shifrës mund t’i shtohet një faturë tjetër prej qindra miliardë euro.
Lufta në Ukrainë, ende pa mbushur një vit, duket se është bërë lufta më e shtrenjtë që bota perëndimore ka parë ndër dekada. Sipas një analize të New York Times, “një ditë lufte në Ukrainë kushton sa 30 ditë në Afganistan”. Por përpjekjet e SHBA-së, e cila ka marrë drejtimin e Perëndimit në mbështetje të Kievit, veçanërisht në veprimet ushtarake, që nga fillimi i pushtimit rus, tani duket se po tejkalojnë përpjekjet e luftës në Irak.
Sipas analizave të ekspertëve, në fund të luftës në Irak në 2010, thuajse tetë vjet pas fillimit të operacioneve, ajo kushtoi 300 miliardë dollarë amerikanë. Në një llogaritje të thjeshtë, bazuar në shifrat e paraqitura nga Instituti i Kielit për Ekonominë Botërore, i cili vlerëson mbështetjen e SHBA deri në fillim të këtij viti për Kievin në 50 miliardë dollarë, viti i luftës në Ukrainë do të kalojë çdo vit luftimesh në Irak. Administrata në Uashington nuk është e vetmja në mbështetjen e ushtrisë ukrainase. Në krye të vendeve që mbështesin luftën janë Britania e Madhe – e cila ka premtuar 2.5 miliardë euro – dhe Bashkimi Evropian – i cili ka miratuar një paketë ndihme prej 3.1 miliardë eurosh, asnjëra prej të cilave nuk përfshin mbështetje humanitare dhe ekonomike. Me fjalë të tjera, shumat e përmendura më sipër kanë të bëjnë vetëm me mbështetjen për pajisjet dhe teknikat ushtarake.
Në të njëjtën kohë, sipas njoftimeve zyrtare nga administrata e Uashingtonit, furnizimi i Ukrainës me pajisje mbrojtëse mbetet prioriteti i saj kryesor.
Ukraina nëse nuk do të kishte në duar armë që nuk i zotëronte para luftës si tanket, raketahedhëset, municionet antitanket, raketat me rreze të shkurtër veprimi dhe dronët vdekjeprurës, pa llogaritur ndihmën humanitare, me siguri sot ajo do të ishte e kapitulluar. Sipas artikullit të New York Times, aleatët e SHBA-së dhe NATO-s po përpiqen të mbajnë ritmin e ndihmës ushtarake për Ukrainën, ku “një ditë lufte vlen 30 ditët e luftës në Afganistan”. Publikimi amerikan merr në konsideratë kërkesat e Kievit dhe atë që aleatët mund të garantojnë nëntë muaj pas konfliktit.
Së bashku me 50 vende të tjera, me fillimin e vitit 2023, SHBA ka rritur ndihmën për Ukrainën dhe ka nxituar në dërgesat e armëve shtesë, në mënyrë që ukrainasit të mund të mbrohen. Një nga këto vende është Britania e Madhe, e cila veç 2.5 miliardë eurove në mbështetje ushtarake, ka afruar edhe 1.7 miliardë euro ndihmë humanitare dhe ekonomike. Më 15 nëntor, Këshilli i BE-së miratoi një masë ndihme me vlerë 16 milionë euro për ndërtimin e kapaciteteve të forcave të armatosura të Ukrainës.
Deri në tetor 2022, BE-ja ka miratuar masa ndihme në vlerë prej 3.1 miliardë euro, sipas Institutit Evropian për Paqe, të cilat do të ndihmojnë në forcimin e aftësive dhe të qëndrueshmërisë së forcave të armatosura të Ukrainës si dhe në mbrojtjen e popullatës civile kundër agresionit ushtarak rus.
Përveç kësaj, shtetet evropiane i kanë ofruar Kievit mbështetje teknike individuale, për luftën. Franca dhe Gjermania kanë dërguar tanket e rënda, sisteme kundërajrore dhe antitanke, automjete të blinduara e pajisje të tjera ushtarake. Por ende po diskutohet dhe nuk është marrë asnjë vendim për tanket që presidenti ukrainas Volodimir Zelenski ka kërkuar prej muajsh.
Deri më tani, qëndrimi i Berlinit për këtë çështje është dukur i palëkundur. Zyrtarët gjermanë thonë se vendi i tyre do të ofrojë më shumë mbështetje ushtarake për Ukrainën, derisa ajo të fitojë luftën, por mbështetja do të kufizohet në të njëjtin lloj armatimi që është dorëzuar deri më tani. Megjithatë, kohët e fundit ka pasur shenja se qeveria e koalicionit gjerman mund të çojë armatimet e saj të përparuara, në të ardhmen. Në një intervistë me Bloomberg, kancelari gjerman Olaf Scholz tha se është në bisedime me aleatët për furnizimin e mundshëm të Ukrainës me tanket më të rënda.
Lufta në Ukrainë do t’i kushtojë Gjermanisë, ekonomisë më të madhe të Evropës, 175 miliardë euro (190 miliardë dollarë) në vitin 2023, që është e barabartë me 2,000 euro për banor, raportoi të hënën media gjermane Deutsche Welle, duke cituar një raport nga Instituti i Ekonomisë Gjermane (IW).
Autorët e studimit e krahasuan situatën aktuale me një skenar imagjinar, në të cilin nuk do të kishte asnjë operacion ushtarak në Ukrainë ose probleme që lidhen me të, si rritja e çmimeve të energjisë, rritja e inflacionit dhe ndërprerjet e furnizimit. Ata llogaritën se humbja reale për ekonominë gjermane nga konflikti në Ukrainë do të jetë deri në 4.5% të PBB-së.
Studimi vuri në dukje se shpërthimi i luftës në Ukrainë përkoi me një situatë të vështirë ekonomike në Gjermani. Ekonomistët thanë se banka federale e zhvillimit të vendit KfW pati paralajmëruar para luftës, për një kërcënim mbi prosperitetin në Gjermani, për shkak të mungesës së personelit të kualifikuar dhe si rezultat rritjes së pamjaftueshme të produktivitetit.
Covid-19 dhe konflikti në Ukrainë i sollën pasoja të rënda ekonomisë gjermane. Në vitin 2020, Gjermania regjistroi një humbje prej rreth 175 miliardë eurosh, 125 miliardë euro të tjera humbi në vitin 2021 dhe thuajse 120 miliardë euro në 2022. Humbjet e pritshme prej 175 miliardë eurosh këtë vit do të shoqërohen me dëme të mëdha në ekonominë e vendit më të fuqishëm të Europës, midis viteve 2020 dhe 2023, që në total pritet të shkojnë në rreth 595 miliardë euro, thuhet në raport.
Prandaj, edhe perëndimi kërkon ta fitojë sa më shpejt këtë luftë. Pas luftës një faturë tjetër do të bjerë sërish mbi të, për rindërtimin e Ukrainës.
/Liberale.al/