Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 60 milionë Euro ‘grabitja’ e koncesionarit nga pullat fiskale. Kush e paguan dëmin?!

Shkruar nga Liberale

Koncesioni i pullave fiskale për produktet e akcizës dhe ato farmaceutike bën pjesë në listën e gjatë të shumë PPP-ve dhe koncesioneve të tjera të dhëna dhe të miratuara nga qeveritë shqiptare ndër vite, qëllimi i të cilave është çlirimi i qeverisë dhe enteve shtetërore nga ofrimi i shërbimeve dhe investimeve në sektorë të ndryshëm të ekonomisë.

Në shumë vende të Europës dhe rajonit ky koncesion, i aprovuar që në vitin 2011, është thuajse unik dhe i pazakontë, në terma të çmimit të printimit dhe shitjes së pullave fiskale nga ana e shoqërisë koncesionare SICPA, ku praktikisht këto çmime shkojnë deri në 7-10 herë më shtrenjtë sesa ato respektive të aplikuara në vende të tjera europiane e të rajonit, madje edhe nga e njëjta shoqëri koncesionare. Pavarësisht kësaj, ky koncesion aplikon për prodhimin dhe printimin e pullës fiskale të birrës, vendase dhe të importuar, një teknologji primitive, që jo vetëm nuk justifikon çmimin e pullës, po rëndon në mënyrë të pakuptimtë koston e prodhuesve dhe importuesve, si dhe konsumatorin final në tregun vendas.

Për sa i përket aspekteve ekonomiko-financiare të koncesionit të pullave fiskale, të dhënat ekonomiko-financiare të realizuara në vite (deri në 2020) nga shoqëria koncesionare “SICPA”, përgjatë 9 viteve (deri në 2020), shoqëria koncesionare ka realizuar një xhiro totale prej rreth 8 miliardë lekësh, ku xhiro mesatare vjetore është luhatur në kufijtë e 900 milionë lekëve. Nëse shoqëria koncesionare do të aplikonte një çmim normal për shitjen e pullave fiskale, nga 7 deri në 10 herë më të ulët, shuma financiare e arkëtuar nga biznesi do të luhatej në kufirin e 1-2 miliardë lekëve; biznesit shqiptar importues dhe prodhues të këtyre mallrave të akcizës i janë marrë rreth 7 miliardë lekë më shumë, ose rreth 60 milionë Euro më shumë, gjatë periudhës së koncensionit. Ndërkohë, kosto, apo “dëmi” fiskal për konsumatorin final është edhe me e madhe se kjo shifër.

Edhe të ardhurat e qeverisë shqiptare nga dhënia e këtij koncesioni janë krejt të papërfillshme, duke llogaritur dhe faktin që për 5 vite koncesionari nuk ka rezultuar me fitim (pra nuk ka paguar as tatim-fitim). Nga qeveria shqiptare, por dhe nga vet koncesionari, nuk është dhënë asnjëherë sqarim dhe argumentim shpjegues mbi një nivel kaq të lartë çmimi për printimin e pullave fiskale në Shqipëri.

Sakaq, në tregje me të vogla apo të krahasueshme me Shqipërinë (Kosova, Mali i Zi, Gjeorgjia, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, etj.) çmimi i aplikuar për pullat fiskale është disa fish më i ulët, çka flet për pavlefshmërinë e një argumenti të tillë. Gjithashtu, edhe argumenti i përdorimit të një teknologjie tejet të veçantë nuk qëndron, pasi formati i përdorur në Shqipëri nuk ka diferenca të mëdha apo që do të kërkonin kosto tejet të mëdha nga ato që nevojiten të angazhohen në vendet e tjera.

Shoqëria koncesionare përdor një teknologji të prapambetur për prodhimin e tyre, metodë kjo që e rendit Shqipërinë si i vendi i vetëm në Europë që përdor këtë metodë primitive printimi pullash fiskale, në një kohë që çmimi i shitjes së tyre është shumë i lartë, duke i shkaktuar shpenzime të lartë dhe harxhim kohe të panevojshme biznesit importues dhe vendas. Një element i pazakontë i kësaj kontrate koncesionare është aplikimi i çmimeve shumë të ndryshme për pullat fiskale nga e njëjta shoqëri koncesionare, e cila të njëjtin shërbim të prodhimit të pullave fiskale e ofron edhe në Turqi dhe Gjeorgji, por me çmime gati 4-5 herë më të ulëta se në Shqipëri.

[caption id="attachment_1264322" align="alignnone" width="1280"] Studiuesi dhe dekani i Fakultetit Ekonomik në UET, Elvin Meka[/caption]

Duke pasur parasysh faktin e mungesës së një analize të thellë të përfitimeve dhe sukseseve nga lufta ndaj evazionit fiskal nga tregtia me mallrat e akcizës e për më tepër, nga mungesa e një analize të qartë krahasuese midis përparësive dhe përmirësimeve thelbësore që një koncesion i tillë i solli ekonomisë kombëtare, financave publike dhe konsumatorit e prodhuesit shqiptar, por dhe nëpërmjet analizës që i është bërë treguesve ekonomiko-financiarë dhe kostove të prodhuesve dhe konsumatorit shqiptar, punimi arrin në përfundimin që ky koncesion, studiuesi Elvin Meka, dekan i Fakultetit Ekonomik në UET, del në përfundim se, duhet të rishikohet thellësisht, duke u ofruar  ndoshta përkohësisht nga qeveria e më pas të negociohet me terma e çmime më të favorshme sesa ato aktuale dhe të krahasueshme me vendet e tjera të rajonit dhe Europës.

/Liberale.al/

 

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH