Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 59 % nën mesataren e BE-së! Shqiptarët paguajnë çmimet më të larta në rajon, veçohen vetëm për duhanin

Shkruar nga Liberale

Nga Aranit Muraçi

Studimi i sapopublikuar nga Eurostat tregon se Shqipëria, një ndër vendet me ekonominë më të dobët në rajon (sigurisht edhe në kontinent), renditet ndër të parat në rajonin e Ballkanit Perëndimor që mban çmimet më të larta të shportës. Turqia është vendi me çmimet më të lira në rajon dhe në Europë. Maqedonia e Veriut, Serbia, madje edhe disa nga vendet e BE-së si Rumania, Bullgaria dhe Polonia, i kanë çmimet e produkteve bazë të shportës më të lira se Shqipëria.

Vetëm përsa i përket duhanit Shqipëria mban vendin e tretë me çmimin më të lirë në kontinent, pas Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, mes 36 vendeve europiane të cilat iu nënshtruan studimit të Eurostat. Çmimet më të shtrenjta të produkteve i kanë kryesisht vendet me të ardhura më të larta në Europë.

Irlanda është një nga vendet më të shtrenjta evropiane, kur bëhet fjalë për alkoolin dhe duhanin. Qytetarët në Irlandë po paguajnë një çmim shumë më të lartë për alkoolin dhe produktet e duhanit, sipas një studimi të ri.

Studimi i realizuar gjatë vitit 2021 nga zyra statistikore e BE-së, Eurostat, i sapo-publikuar tregon të dhëna krahasuese mbi nivelet e çmimeve për ushqimet, pijet dhe duhanin, në 36 vende evropiane.

Grupet e vendeve të përfshira si pjesë e analizës ishin 27 Shtetet Anëtare të BE-së dhe tre vende të EFTA (Shoqata Evropiane e Tregtisë së Lirë) (Islanda, Norvegjia dhe Zvicra), si dhe pesë vendet kandidate për në Bashkimin Europian (Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Turqia) dhe një vend tjetër kandidat potencial (Bosnja dhe Hercegovina).

Nga 36 vendet, Irlanda renditet si më e shtrenjta për sa i përket duhanit, me çmime 145% mbi mesataren e BE-së, sipas studimit.  Pas Irlandës, si vendet e dyta dhe të treta më të kushtueshme për duhanin, ishin Norvegjia, ku çmimet u gjetën të ishin 130 % mbi mesataren e BE-së dhe Franca, ku çmimet ishin 80 % më të larta.

Ndërkohë, sa i përket alkoolit më e shtrenjta nga 36 vendet ishte Islanda (me çmime 186% mbi mesataren e BE-së), e ndjekur nga Norvegjia (161%) dhe Finlanda (119%). Vendi më pak i kushtueshëm për duhanin doli që të ishte Turqia, ku çmimet ishin 74% nën mesataren e BE-së, sipas Eurostat. Turqia pasohej nga Maqedonia e Veriut (69% nën mesataren e BE-së) dhe Shqipëria (59% nën mesataren).

Vendet më të lira për sa i përket alkoolit ishin Maqedonia e Veriut (19% poshtë mesatares), Hungaria (17% poshtë mesatares) dhe Austria (16% poshtë mesatares së BE-së).

Në mesin e 36 vendeve, çmimet më të larta të vajit dhe yndyrave janë vërejtur në Zvicër. Norvegjia ka nivelin më të lartë të çmimeve për frutat, perimet dhe patatet dhe për produktet e tjera ushqimore. Maqedonia e Veriut ka nivelin më të ulët të çmimeve për vajin dhe yndyrnat, Turqia është vendi më pak i shtrenjtë për frutat, perimet dhe patatet dhe për produktet e tjera ushqimore. Ndër vendet anëtare të BE-së, Malta është vendi më i shtrenjtë për vajrat dhe yndyrnat, Luksemburgu për frutat, perimet dhe patatet dhe Danimarka për ushqimet e tjera. Italia nga vendet e BE-së është vendi më pak i kushtueshëm për vajrat dhe yndyrnat, Rumania për frutat, perimet dhe patatet dhe Polonia për ushqime të tjera.

Mes 36 vendeve, Zvicra tregon nivelin më të lartë të çmimeve për bukën dhe drithërat, mishin e për peshkun. Islanda është vendi më i shtrenjtë për produktet e qumështit (qumësht, djathë dhe vezë). Brenda vendeve të BE-së, Danimarka është vendi më i shtrenjtë për bukën drithërat e peshkun, Luksemburgu për mishin, ndërsa Qipro është vendi më i shtrenjtë për produktet e qumështit (qumësht, djathë dhe vezë).

Ndër të 36 vendet, Turqia është vendi më i lirë për bukën, drithërat, mishin dhe për peshkun. Niveli më i ulët i çmimeve për produktet e qumështit (qumësht, djathë dhe vezë) vërehet në Poloni. Ndër vendet anëtare të BE-së, nivelet më të ulëta të çmimeve për bukën dhe drithërat janë vërejtur në Rumani. Peshku ka nivelin më të ulët të çmimeve në Bullgari, ndërsa Polonia është vendi më pak i shtrenjtë për mishin dhe produktet e qumështit.

Megjithatë studimi ka shqyrtuar dhje krahasuar çmimin, por jo cilësinë e produkteve, çka do të thotë se nëse i referohemi cilësisë, shqiptarët mund të paguajnë çmimet më të shtrenjta në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH