Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 58,4 miliardë lekë, një shpjegim i rënies së shpenzimeve në arsim   

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 58,4 miliardë lekë, një shpjegim i

Nga Aranit Muraçi

“Nëse mendoni se arsimi është i shtrenjtë, provoni injorancën!” E thënë kjo nga Derek Bok, avokat dhe studiues amerikan, si një thirrje për qeveritë dhe vendet të cilat ose nuk investojnë sa duhet, ngurojnë ose tallet me arsimin dhe të ardhmen e kombit.

Sipas INSTAT, shpenzimet publike në sektorin e arsimit për vitin 2021 ishin 58,4 miliardë lekë, ose në krahasim me vitin 2020, shpenzimet publike në arsim shprehur si përqindje ndaj PBB-se shënuan ulje me 0,2 pikë përqindje.

Shpenzimet publike në arsim, si përqindje ndaj shpenzimeve publike gjithsej, gjithashtu kanë shënuar rënie me 0,3 pikë përqindje për vitin që lamë pas, çka tregon se për arsimin jo vetëm nuk mund të sakrifikohet, por ndodh e kundërta, nga politik-bërësit ky sektor, kyç për zhvillimin shoqëror nuk merr as vëmendjen që meriton. Shpenzimet publike në arsim, shpenzimet e kryera gjatë një viti nga buxheti i shtetit, përbënin 9,8% të të gjitha shpenzimeve publike për vitin 2021 (ose 3,1% e PBB-së).

Sikurse ndodh me shpopullimin e vendit, sektori i arsimit po tkurret mbi të njëjtat shkaqe: për shkak të rënies së lindjeve dhe emigracionit të lartë. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin shkollor 2021-2022, u regjistruan në arsimin zyrtar 577.869 nxënës dhe studentë, me një ulje prej 2,0%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21. Në arsimin para-universitar u regjistruan 453.989 nxënës dhe fëmijë, ose 2,5%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21.

Kur u hartua projektbuxheti i vitit, Ministria e Arsimit kërkoi së paku 1.5 deri në 2 miliardë lekë (rreth 16 milionë euro) fonde shtesë. Kjo kërkesë, që i është paraqitur Ministrisë së Financave për t’u marrë parasysh në hartimin e buxhetit afatmesëm 2022-2023, nuk u plotësua, pasi siç vërehet u vlerësuan “prioritete” të tjera. Në shpenzimet totale të llogaritura për sektorin e arsimit, kujtojmë se një pjesë e mirë janë investime për ngritjen e infrastrukturës pas tërmetit të vitit 2019, i cili shkatërroi me dhjetëra shkolla në disa qytete, apo nevoja për të ndërtuar, ose riparuar shkolla të tjera. Pothuajse zëro para për kërkim shkencor, studime, zhvillime individuale, rritje të nivelit të ekspertizës, cilësi në mësimdhënie dhe paanshmëri në vlerësime.

Pse politik-bërësit shqiptarë kanë “alergji” nga arsimi, ndonëse - “edukimi është një mbrojtës më i mirë i lirisë, sesa një armatë këmbësorie”- pati thënë dikur Edward Everett.

Sipas vlerësimeve të KLSH, ka disa vite që dëmi ekonomik i shpenzimeve publike shkon jo më pak se 600 milion euro çdo në vit.  Siç është vërejtur, një pjesë e mirë e shpenzimeve publike shkon në infrastrukturë, kryesisht në rrugë dhe në mirëmbajtjen e tyre. Ky është gjithashtu edhe sektori më i vështirë për të vlerësuar matur vlerën dhe dëmin ekonomik që i shkaktohet, gjithnjë nëse ekziston vullneti për kontroll serioz dhe transparencë.

Një pjesë e mirë e shpenzimeve publike kanë shkuar gjatë viteve të fundit për incerenatorët. Nëse nga qeveria dhe Kuvendi do të ishin dëgjuar studiuesit dhe ekspertët, ndoshta SPAK nuk do të kishte çuar një ish-ministër dhe një deputet në qeli si dhe nuk do të kishte shpërthyer skandali i ditëve të fundit, që ka bërë “miliarderë” azilantë dhe mbledhës kanoçesh nga kazanët e plehrave.

Para se të miratohej ligji i incerenatorëve pesë vite me parë, kur po diskutohej, në një takim informues të organizuar nga Organizata Kundër Importit të Plehrave, inxhinieri i mjedisit dhe autor i studimit shkencor mbi importin e mbetjeve në Shqipëri, Lulzim Baumann, së bashku me Stefan Schatz, inxhinier gjerman për menaxhimin e mbetjeve, i cili kishte planifikuar ndërtimin e pjesës më të madhe të landfilleve në jug të Gjermanisë, bënë një shpjegim të detajuar të studimit si dhe renditën arsyet se pse ndërtimi i incerenatorëve dhe importi i plehrave është një e keqe e madhe që i bëhej vendit tonë. Sipas inxhinierit, studimi i bërë në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit Gjermane, “Transparency International” dhe “Zero Ëaste Europe” rendiste edhe 5 pika kryesore të cilat, ata besonin se do ta bindnin Kuvendin e Shqipërisë dhe qeverinë shqiptare se do ta refuzonte një ligj të tillë, me shpresë që masakra të ndalohej në kohë.

Studiuesit e fushës shpresuan para se projektligji të kthehej në ligj, dukë qenë se incerenatorët sipas tyre, kishin një kosto shumë të madhe, ndërsa Shqipërisë i mungonin ekspertët që do të merreshin me pasojat që krijojnë ata për mjedisin dhe shëndetin e qytetarëve, se një gjë nuk do të ndodhte. Një problem që evidentonte inxhinieri gjerman Schatz ishte mungesa e kontrollit, ndërsa shtoi se në Gjermani nuk do të ishte e lejuar që të ndërtohej një incerenator, në një zonë si ajo e Verrisë, kjo për shkak të kushteve të papërshtatshme të mjedisit dhe tokës. Sipas Baumann inceneratorët ishin edhe një ndër zgjidhjet më të shtrenjta, për menaxhimin e mbetjeve.

Por në Shqipëri askush nuk i dëgjoi ekspertët dhe studiuesit, ndërsa qeveria investoi qindra miliona euro për incerenatorët.

Është kjo pikërisht arsyeja se pse mungon vullneti, apo shihen arsye të tjera që nuk shpenzohen edhe aq shumë para për arsimin, sepse, ekspertët dhe studiuesit ndoshta nuk do t’i dëgjojë askush.

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH