Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 4,9 % inflacioni për shtatorin, në Shqipëri kushtojnë ushqimet, në BE shërbimet!

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Ashtu si Malta, Irlanda dhe Portugalia, Shqipëria qëndron afër mesatares së Bashkimit Europian, përsa i përket nivelit të çmimeve. Sipas të dhënave zyrtare, në muajin shtator 2023, norma vjetore e inflacionit në eurozonë është 4.3%. Ndërsa i inflacioni në vendin tonë, sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Instat, në muajin Shtator 2023, është 4,9 %.

Si ndryshim, në vendin tonë, ashtu si edhe gjatë gjithë muajve të këtij viti janë çmimet e ushqimeve ato që kanë kontribuar më tepër në inflacionin e muajit shtator, të cilët përbëjnë më shumë se 40 për qind të shpenzimeve mujore për shumicën dërrmuese të familjeve shqiptare. Në vendet anëtare të BE-së në vendin të parë nga kontribuuesit e inflacionit janë shërbimet.  Kjo shpjegohet me faktin se nga rritja e çmimeve janë rritur pagat dhe është rritur kostoja e punës, përfshirë shërbimet. Çka edhe reflekton logjikshëm lëvizjet e normës së inflacionit për muajin shtator.

Edhe pse “reklamohet për rritje pagash”, inflacioni në Shqipëri vazhdon të jetë i ndikuar më tepër nga ushqimet. Në ndryshimin mujor të çmimeve përmendet dhe specifikohet “shërbimi arsimor”. Ndonëse importon mbi gjysmën e produkteve të shportës bazë nga BE, Shqipëria duket se nuk reflekton nivelin e çmimeve të bashkimit Europian.

Sipas Instat, ndryshimi vjetor i nivelit të çmimeve në muajin Shtator 2023 është 4,9 %. Rritja më e madhe e çmimeve prej 8,4 % vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike”, pasuar nga grupet “Argëtim dhe kulturë” me 7,0 %, “Mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me 5,5 %, “Shërbimi arsimor” me 4,6 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,5 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,2 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 2,9 %, “Shëndeti” me 1,6 %, “Komunikimi” me 1,0 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 0,5 %. Nga ana tjetër, çmimet e grupit “Transporti” u ulën me 3,9 %.

Në muajin Shtator, ndryshimi mujor i çmimeve në vendin tonë, sipas Instat, është 0,8 %. Ky ndryshim është ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të grupit “shërbimi arsimor” me 3,4 %, pasuar nga grupet “argëtim dhe kulturë” me 1,2 %, “ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 %, “transporti” me 1,0 %, “veshje dhe këpucë” me 0,7 %, “mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,4 %, “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “mobilim, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” dhe “shëndeti” me 0,2 % secili dhe “pije alkoolike dhe duhan” me 0,1 %.

Sipas Eurostat, norma vjetore e inflacionit në eurozonë ishte 4.3% në shtator 2023, nga 5.2% që ishte në muajin gusht. Një vit më parë, norma ishte 9.9%. Këto shifra janë publikuar nga Eurostat, zyra statistikore e Bashkimit Europian.   Normat më të ulëta vjetore u regjistruan në Holandë (-0.3%), Danimarkë (0.6%) dhe Belgjikë (0.7%). Normat më të larta vjetore u regjistruan në Hungari (12.2%), Rumani (9.2%) dhe Sllovaki (9.0%). Krahasuar me muajin gusht, inflacioni vjetor ra në njëzet e një shtete anëtare, mbeti i qëndrueshëm në një dhe u rrit në pesë. Në muajin shtator, kontributin më të lartë në normën vjetore të inflacionit të eurozonës e kanë dhënë shërbimet (+2,05 përqind pikë, pp), ndjekur nga ushqimi, alkooli dhe duhani (+1,78 pp), mallrat industriale jo-energjetike (+1,06 pp) dhe energjia (-0,55 pp).

Dallimi është i qartë. Nëse Holanda i ka rritur pagat dhe i ka shtuar të ardhurat brenda një viti për të gjitha kategoritë, njokëhësisht ia ka dalë që të mbajë një nivel më të ulët të çmimeve krahasuar me një vit më parë. Ashtu sikurse Danimarka dhe vendet e tjera skandinave. Flitet për vende me mirëqenien më të lartë në botë.

/Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH