Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 49% e australianëve me arsim të lartë, por universitetet vazhdojnë të favorizojnë më të privilegjuarit

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 49% e australianëve me arsim të lartë, por

Aranit Muraçi

Australia ka një mundësi për të zgjeruar aksesin në universitet, për grupet e pafavorizuara në shoqëri. Por, ndërsa po punohet për të arritur një marrëveshje mes universiteteve australiane në fund të këtij viti, akademikët pretendojnë se po përballen me pengesa të mëdha. Mbi 50 vjet, qeveritë australiane janë përpjekur të rrisin numrin e australianëve të pafavorizuar që të ndjekin universitetin, por kanë shënuar pak sukses. Akoma më e turpshme, zgjerimi i përgjithshëm i numrit të australianëve që ndjekin universitetin ka pasur efekt “pervers” në rritje, në vend të uljes, duke shtuar pabarazitë brenda arsimit të lartë.

Tradicionalisht ka pasur dy argumente në mbështetje të zgjerimit të aksesit në universitete. Njëra është se më shumë australianë me arsim të lartë do të ndihmonin në zgjerimin dhe tranzicionin e ekonomisë; tjetra ishte se lëvizshmëria ekonomike dhe sociale që sjell arsimi universitar duhet të ishte sa më e hapur dhe e gjithanshme për të gjithë Australianët.

Përpara luftës së dytë botërore, universitetet australiane ishin rezervuar vetëm për të pasurit; më pak se 0.2% e popullsisë kishte një kualifikim universitar. Pati një rritje të vazhdueshme të numrit që shkoi  në universitet pas luftës; zgjerimi i bursave; krijimi i dhjetëra universiteteve dhe kolegjeve të reja të arsimit të avancuar; përhapja e profesioneve që kërkonin një kualifikim universitar, dhanë efektet pozitive. Deri në vitin 1949, frekuentimi i universiteteve në Australi u trefishua dhe në vitin 2022, 49% e australianëve midis 25 dhe 64 vjeç kishin një diplomë universitare.

Por ndërsa një numër në rritje i australianëve vendosi të shkonte në universitet nga mesi i shekullit të kaluar, ishte gjithnjë e më e qartë se më të margjinalizuarit dhe më të pafavorizuarit në komunitet nuk mund të shkonin dot.

Prezantimi i qeverisë së Whitlam për frekuentimin e universitetit pa pagesë u motivua nga një arsyetim i fortë i drejtësisë sociale: vënia e universitetit të disponueshëm për të gjithë australianët duke hequr barrierat financiare, teksa tarifat e atyre që nuk kishin mundësi i rimbursonte shteti.

Rezultati çoi në një rritjet të frekuentimit të universiteteve, por në fillim të viteve 1980, qeveritë po përballeshin me problemin e kërkesës së paplotësuar: Australianët që fituan të drejtën për të shkuar në universitet tejkaluan vendet e disponueshme që afronte tregu i punës. Filloi të bëhej e qartë se heqja e tarifave nga qeveria e Whitlam nuk çoi në rritjen e madhe të grupeve të nën-përfaqësuara në universitete që pritej.

Në vitin 1990, ministri laburist i arsimit John Dawkins, pasi kishte vërejtur pengesa të rëndësishme në gjithë-përfshirje, e angazhoi qeverinë të "ndryshonte ekuilibrin e popullsisë studentore për të pasqyruar më nga afër përbërjen e shoqërisë në tërësi". Plani i tij specifikonte gjashtë grupe të pafavorizuara si fokus për strategjitë e përfshirjes në arsimin e lartë, duke vendosur objektiva të përfaqësimit proporcional për disa prej tyre: me prejardhje të pafavorshme socio-ekonomike; Aborigjenët dhe banorët e ishullit të ngushticës së Torresit; femrat; njerëz me prejardhje që nuk flisnin anglisht; personat me aftësi të kufizuara; ata nga zonat rurale apo edhe të izoluara.

Aty ku përpjekja e Whitlam për përfshirje sociale kishte dështuar, pikërisht aty dështoi edhe e Dawkins. Njëzet vjet më vonë, ministrja e arsimit Julia Gillard ngarkoi ish-zv/kancelaren e Universitetit të Australisë Jugore, Denise Bradley, të rishikonte sërish sektorin e arsimit të lartë. Bradley raportoi se pjesëmarrja e grupeve të pafavorizuara në arsimin e lartë kishte qenë "statike dhe në rënie gjatë dekadës së fundit". Ajo vërejti mungesën e ndërgjegjësimit për përfitime afatgjata të arsimit të lartë dhe, si rrjedhim, nuk kishte asnjë aspiratë për të marrë pjesë nga të rinjtë e pafavorizuar në shoqëri.

Edhe përpjekjet e Gillard-it për gjith-përfshirje, të nxitura nga rishikimi i Bradley-t, nuk ishin më të suksesshme se ato të Whitlam ose Dawkins. "Sistemi i drejtuar nga kërkesa" që prezantoi Gillard, rezultoi në një rritje prej 70% të regjistrimeve në universitare midis 2008 dhe 2019, por sërish nuk arriti pothuajse asnjë rritje proporcionale në pjesëmarrjen e grupeve të pafavorizuara gjatë asaj periudhe. Studentët me status të ulët socio-ekonomik shkuan nga 15.8% në 16.8%; ata me aftësi të kufizuara nga 5,4% në 7,7%; Studentët autoktonë nga 1,5% në 1,9%; studentët e rajonit ranë nga 20.7% në 19.6% studentët e zonave të largëta qëndruan në 0.8%; dhe studentët me prejardhje jo-anglisht-folëse ranë nga 3.4% në 3.2%.

Pavarësisht përpjekjeve të bëra për disa dekada nga ana e qeverive dhe elitave të universiteteve për t'i ndryshuar këto balanca, modelet e korrelacionit midis avantazhit socio-ekonomik dhe pasurisë si dhe renditjes universitare mbetën më këmbëngulëse dhe triumfuan.

Disa analistë argumentojnë se adresimi i pabarazisë ka qenë gjithnjë në rritje. Të tjerë theksojnë mbështetjen e madhe në rezultatet e hyrjes në universitet, për përzgjedhjen e studentëve si një pengesë për aksesin që duhet të kenë grupet e nën-përfaqësuara. Rezultatet numerike të hyrjes në universitetet ofrojnë një bazë transparente, objektive dhe të krahasueshme për përzgjedhje, por ato gjithashtu fshehin avantazhet dhe disavantazhet e studentëve. Dhe ndërsa konkurrenca intensifikohet për diploma dhe universitete prestigjioze, rezultatet e hyrjes në universitetet publike rriten me kërkesën, duke privilegjuar kështu ata me kapital ekonomik, social dhe kulturor, me qëllim për të siguruar pikërisht ata suksesin e tyre në shkollë dhe më pas në tregun e punës. Kjo sjell demoralizimin dhe dorëzimin e shtresave të varfra, të cilët efektin negativ e jep në periudha afatgjata.

Një pasojë edhe më e keqe dhe e paqëllimshme e zgjerimit të aksesit në universitet ka qenë krijimi dhe përkeqësimi i shtresimit dhe pabarazive brenda peizazhit të arsimit të lartë, në Australi. Ndërsa sektori universitar australian ka zgjeruar regjistrimet dhe mundësitë e diplomimit, ai është bërë gjithnjë e më i diferencuar. Një arsye domethënëse është roli i arsimit të lartë si një “status i mirë”, vlera e të cilave krijohet nga pamjaftueshmëria e tyre. Siç vë në dukje ekonomisti Fred Hirsch, zgjerimi i aksesit për status të mirë krijon një hierarki vlerash: më shumë njerëz mund të kenë akses për vende universitare, por më pas disa vende universitare shihen si më prestigjioze se të tjerat.

Kjo është përforcuar nga renditja globale e universiteteve, të cilat i motivojnë ato që të investojnë në atribute që rrisin vlerën e prestigjit të tyre: intensiteti i kërkimit, lehtësitë, ekskluziviteti, bursat. Shtresimi vertikal i sektorit universitar australian është një proces që drejtohet nga studentët dhe prindërit, po aq sa nga vetë universitetet. Ndërsa universitetet investojnë në konkurrencën e tyre të prestigjit, studentët konkurrojnë më intensivisht për diploma nga ato institucione ose fusha studimi, që shihen si më prestigjioze dhe të dobishme.

Këto janë sfidat me të cilat përballen aktualisht ministri i arsimit, Jason Clare, dhe kryetarja e universiteteve, Mary O'Kane në misionin e tyre për të zgjeruar aksesin në universitetet australiane. Ata po përballen me një problem të frikshëm që ka mposhtur brezat e reformatorëve të politikave arsimore përpara tyre. Kërkohen ide dhe energji të mëdha për të zgjidhur enigmën e gjith-përfshirjes. Janë politika që i ndjekin vendet të cilat e duan zhvillimin dhe nuk e konceptojnë atë pa zhvilluar arsimin. Prandaj edhe nuk dorëzohen kurrë.

Referuar Michael Wesley, zëvendës/zv/kancelar në Universitetin e Melburnit, autori i librit, “Mind of the Nation: Universities in Australian Life”.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH