Aranit Muraçi
Tkurrja nisi prej ’90, por edhe pse kanë kaluar 32 vite, askush nuk po e ndal këtë fenomen. Sa më pak njerëz dhe fuqi punëtore të ketë në të ardhmen, të kualifikuar ose jo, më e zymtë do të jetë ajo dhe më pak prodhim do të ketë në një ekonomi. Si mund të kthehet atraktive ekonomia e një vendi, me qëllim që jo vetëm të mbajë ata që kanë lindur dhe janë rritur në vendin e tyre, por të tërheqë sa më shumë qytetarë shqiptarë të cilët u detyruan të largoheshin në fillimet e tranzicionit? Paralelisht, arsimi kërkon vëmendjen e duhur dhe në kohën e duhur, pasi në të kundërt, pasojat mund të jenë të parikuperueshme pavarësisht vullnetit dhe përpjekjeve që mund të bëhen për të shpëtuar nga katastrofa e mundshme brezat e ardhshëm të shoqërinë, të cilët jetën e tyre duan të ndërtojnë në vendin ku kanë lindur.
Duket sikur, me atë që ndodh në Shqipëri, askush nuk e vret mendjen.
Numri i nxënësve të arsimit para-universitar ka pësuar ulje të vazhdueshme në vlerë absolute. Në vitin shkollor 2021- 22, u regjistruan në arsimin para-universitar 453.989 nxënës dhe fëmijë, duke shënuar një ulje prej 2,5%, krahasuar me vitin shkollor 2020-21 dhe 12,8% krahasuar me vitin shkollor 2017-2018. Rënia e numrit të nxënësve në vlerë absolute, sipas shifrave të Instat ndjek rënien e popullsisë së grup-moshës që i përket arsimit para-universitar, sipas të dhënave zyrtare.
Si shkaqet kryesore të rënies së numrit të nxënësve konsiderohet emigracioni, pasi ndryshe nga fillimi i viteve ’90, shumë prindër janë duke u larguar bashkë me fëmijët e tyre jashtë, për një punë më të mirë, arsim dhe shëndetësi më të mirë, pra, për një jetë dhe të ardhme më të mirë. Madje shumë prindër që e kishin ngritur të ardhmen e tyre në vendin tonë janë duke sakrifikuar edhe pse e dinë se nuk mund të kenë perspektivë jashtë Shqipërisë, pikërisht për të garantuar të ardhmen e fëmijëve të tyre. Është shumica dërrmuese të popullsisë, e cila ka mbetur jashtë ndikimeve ekonomike dhe politike, ajo që vit pas viti po largohet masivisht. Lindshmëria dhe mplakja e popullsisë janë ndër shkaqet e tjera.
Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan gjithsej në arsimin parashkollor 72.384 fëmijë, duke shënuar një rritje prej 1,5% krahasuar me vitin paraardhës dhe një ulje prej 10,7% krahasuar me vitin shkollor 2017-18. Në vitin shkollor 2021-22, u regjistruan në arsimin 9-vjeçar 278.138 nxënës, duke shënuar një ulje prej 2,9% krahasuar me vitin paraardhës dhe 13,0% krahasuar me 2017-2018.
Sipas shifrave zyrtare të Instat, në vitin 2021-22 në arsimin e mesëm privat ndiqnin studimet 13,4% e nxënësve të arsimit të mesëm gjithsej. Sidoqoftë, vërehen ndryshime të mëdha ndërmjet qarqeve. Vlora, që përfshin edhe zonat minoritetet grek nga Himara në Sarandë, ka përqindjen më të lartë të arsimit të mesëm privat, kurse në qarqet Gjirokastër, Elbasan dhe Berat arsimi privat përbën vetëm një përqindje të vogël. Në qarqet e Kukësit dhe Dibrës nuk ka arsim të mesëm privat.
Arsimit profesional i është dhënë përparësi vitet e fundit, duke u parë si një mundësi për të plotësuar nevojën e vazhdueshme për punonjës të specializuar në profesione të ndryshme. Të regjistruarit e arsimit të mesëm profesional për vitin 2021-22 përbëjnë 17,7% të numrit të përgjithshëm të të regjistruarve në arsimin e mesëm, ndërsa në vitin 2017-18 përbënin 17,2%.
Rritjen më të lartë në përqindjen që zë arsimi profesional, krahasuar me vitin 2017-18, e kanë qarqet Lezhë dhe Shkodër me respektivisht me 4,7 dhe 2,7 pikë përqindje. Prefekturat Fier, Gjirokastër dhe Kukës, patën një ulje prej respektivisht 2,6, 2,0 dhe 1,6 pikë përqindje. Prefekturat e tjera patën një ndryshim prej më pak se 1,4 pikë përqindje.
Në vitin shkollor 2020-21, 32.179 nxënës u diplomuan në arsimin 9-vjeçar, duke shënuar një ulje prej 4,3%, krahasuar me vitin paraardhës. Në vitin 2020-21, 31.136 nxënës u diplomuan në arsimin e mesëm, me një rënie prej 1,7% krahasuar me vitin 2019-20.
Raporti i nxënësve për një mësues shihet si tregues cilësie në procesin e mësimdhënies. Në nivel vendi shkollat private kanë me pak nxënës për mësues se sa ato publike. Në vitin shkollor 2021-22, në arsimin fillor privat raporti është 1,5 nxënës për mësues më pak se në arsimin publik. Por kjo situatë është kryesisht në sajë të situatës në Tiranë dhe Durrës. Shkollat private, niveli fillor, në Tiranë dhe Durrës kanë respektivisht 12,5 dhe 16,2 nxënës për mësues, ndërsa shkollat publike kanë 22,7 dhe 20,6 nxënës për mësues.
Qarqet e tjerë kanë tendenca të kundërta për sa i përket nivelit fillor. Për këtë nivel arsimor, shkollat private, në qarkun e Gjirokastrës, kanë 24,6 nxënës për mësues ndërsa ato publike kanë 9,6. Në Berat shkollat private kanë 20,0 nxënës për mësues dhe shkollat publike 12,6. Ndryshime më pak ekstreme në këtë drejtim kanë qarqet Korçë, Elbasan, Fier dhe Shkodër.
Shifrat zyrtare nuk janë edhe aq optimiste, për të ardhmen e vendit tonë. Në realitet, situata sipas perceptimeve të shumta të qytetarëve paraqitet më dramatike. A mund të gjendet ndonjë politikë efikase, që të tregojë se cila është rrugëzgjidhja që Shqipëria të dalë nga ky udhëkryq i rrezikshëm para se të humbë përfundimisht rrugën dhe të mos përfundojë në ndonjë drejtim të paditur?
/Liberale.al/