Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 40 për qind e buxhetit të qytetarëve për ushqim, çmimet në Europë bien, në Shqipëri rriten (ose 'harrojnë' rënien!)

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Mund të jenë tallur pas rënies së regjimit të kaluar me planifikimet 5-vjeçare të periudhës komuniste. Me ndryshimet politike hapja e ekonomisë krijoi tregun e lirë, ndërsa planifikimi dhe monitorimi konsiderohet një proces i rëndësishëm i ekonomisë në vendet e zhvilluara. Shqipëria në fakt vuan 33 vite pas rënies së komunizmit funksionin që duhet të kishte tregu i lirë. Pensionistët janë ata të cilët e kanë jetuar periudhën e vështirë të komunizmit dhe po e përjetojnë më keq krizën e çmimeve.

Jo vetëm që nuk ka asnjë plan për rritjen e prodhimeve vendase, si në sasi ashtu edhe në cilësi, sikurse fermerët nuk dinë se çfarë të prodhojnë më tepër, por nuk ka as transparencë për cilësinë dhe çmimet e produkteve të importuara.

Nëse në Europë prej dy muajsh vazhdojnë rënien çmimet e ushqimeve, vendi ynë sipas shifrave zyrtare, edhe pse i importon mbi 70 për qind të nevojave për konsum nga vendet e BE-së, nuk ka reflektuar thuajse asgjë mbi këtë ndryshim. Përkundrazi, në inflacionin e muajit shtator edhe pse flitet për rënie, mbeten të larta dhe vazhdojnë të rriten çmimet e ushqimeve, banesave dhe qirasë, të cilat zënë pjesën më të madhe të buxhetit për shumicën dërrmuese të qytetarëve. Mungojnë studimet dhe analizat për rritjen e rendimentit aty ku mundësitë prodhuese të fermerëve dhe kërkesat konsumatorë janë më të mëdha.

Çmimet e muajit shtator në Shqipëri

Sipas Instat, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shtator 2023 është 4,1 %, një vit më parë ky ndryshim ishte 8,1 %. Kurse ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shtator 2023, krahasuar me Gusht 2023 është 0,7 %.

Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shtator sipas Instat është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +2,80 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,41 pikë përqindje.

Krahasuar me muajin Shtator 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 7,9 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 5,4 %, “Argëtim dhe kulturë” me 4,9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 4,7 %, “Veshje dhe këpucë” me 3,2 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,1 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 3,0 %, “Shërbimi arsimor” me 2,3 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 2,1 %, “Shëndeti” me 1,4 % etj. Nga ana tjetër çmimet e grupit “Transporti” shënuan ulje me 7,2 %.

Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate përfshirë patatet” u rritën me 24,1 %, pasuar nga nëngrupet “mish” me 9,4 %, “qumësht, djathë dhe vezë” me 8,3 %, “fruta” me 7,5 %, “peshk” me 4,2 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 3,3 %, “bukë dhe drithra” me 2,1 %, etj.

Krahasuar me muajin Gusht 2023, çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” u rritën me 1,7 %, pasuar nga çmimet e grupit “Transporti” me 1,3 %, “Argëtim dhe kulturë” me 1,2 %, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 1,1 %, “Veshje dhe këpucë” me 0,8 % etj.

Çmimet e ushqimeve dhe politikat e ndjekura në Europë

Moti i nxehtë dhe i thatë, i shoqëruar me tepricë të reshjeve në disa pjesë të Evropës. Ndikoi në prodhimet bujqësore gjatë vitit 2023. Fermerët nuk morën prodhimin që prisnin. Vjelja u vonua, sëmundjet u shtuan dhe po ashtu edhe dëmet. Dhe si rezultat vuajti edhe cilësia e disa produkteve. Në të njëjtën kohë, ka pasur shenja të perspektivave pozitive të tregut për sektorin bujqësor të BE-së. Kostot e inputeve, si energjia, plehrat dhe ushqimi për kafshët, vazhduan të bien. Eksportet e BE-së të produkteve agro-ushqimore rifituan njëfarë konkurrence, duke konfirmuar pozicionin e BE-së si eksportuesi kryesor në botë.

Inflacioni mujor i ushqimeve nisi rënien që nga korriku, në BE. Ndërsa çmimet e ushqimeve mbeten ende një shqetësim i madh për konsumatorët, rënia e fundit mund të sjellë një lehtësim në kërkesën për produkte të caktuara në shumicën e vendeve të Europës. Në përgjithësi, inflacioni i ushqimeve përbën thuajse 40% të rritjes së çmimeve në nivel konsumator. Vera është një nga produktet për të cilat konsumi ka rënë për shkak të çmimeve më të larta, shoqëruar me rënien e konsumit të verërave të kuqe. Por distilimi i krizës, i autorizuar këtë verë nga Komisioni Evropian, po ndihmon në stabilizimin e tregut.

Mishi ndikohet negativisht edhe nga rënia e konsumit për shkak të çmimeve të larta. Përmirësimi i kushteve të livadheve, si dhe kostot më të ulëta të ushqimit, u dhanë njëfarë lehtësimi prodhuesve blegtoralë. Megjithatë, prodhimi i mishit, me përjashtim të shpendëve, mund të mbetet edhe më tej, nën mesataren.

Rritja e çmimeve të plehrave azotike në BE parandaloi një mungesë të përgjithshme dhe një përdorim më të ulët të pakontrolluar të plehrave nga fermerët e BE-së. Komisioni ka monitoruar nga afër tregun e plehrave dhe ka hapur në korrik 2023 Observatorin e Tregut të Plehrave të BE-së, që do të thotë se nuk do të lejojë që të abuzohet me çmimin dhe me cilësinë.

Prodhimi i drithërave në BE për sezonin 2023/24 pritet të jetë 4.3% nën mesataren 5-vjeçare, në 268.5 milionë tonë, për shkak të kushteve të pafavorshme të motit gjatë pranverës dhe verës, që ndikuan veçanërisht në prodhimin e misrit dhe elbit. BE-ja vazhdon të jetë një eksportues neto i drithërave, veçanërisht i grurit. Eksportet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Sub-Sahariane janë rritur veçanërisht në muajt e mëparshëm.

Prodhimi i farave vajore në BE po ecën veçanërisht mirë (11% mbi mesataren 5-vjeçare), i nxitur nga rimëkëmbja në prodhimin e lulediellit, si dhe nga prodhimi më i lartë i fasules. Ndërsa ndalimi i plotë i përdorimit të neonikotinoideve edhe pse ndikoi te kultivuesit e panxharit të sheqerit, sipërfaqet e mbjelljes, rendimentet e panxharit dhe përmbajtja e sheqerit pritet të rriten krahasuar me rënien e shënuar vitin e kaluar. Prodhimi i sheqerit në BE për 2023/24 parashikohet në 15.6 milionë, afër mesatares 5-vjeçare.

Prodhimi i vajit të ullirit do të mbetet i ulët dhe nuk pritet të rikuperohet plotësisht në 2023/24. Çmimet do të mbeten të larta, duke rezultuar në ulje të eksporteve dhe konsumit të BE-së. Në rajone të caktuara, çmimet janë pothuajse 3 herë më të larta në krahasim me mesataren 5-vjeçare. Importet e qëndrueshme mund të mbështesin deri diku disponueshmërinë e BE-së, e cila megjithatë do të mbetet e ulët. Prodhimi i verës në BE në sezonin 2023/24 parashikohet të bjerë me rreth 6%, kryesisht për shkak të rënies së prodhimit italian dhe atij spanjoll. Kërkesa e konsumatorit, veçanërisht për verën e kuqe, vazhdon të bjerë. Konsumatorët kanë një fuqi blerëse më të ulët dhe kalojnë në pije të tjera, si birra.

E ndikuar nga moti i pafavorshëm, prodhimi i mollëve dhe portokalleve do të ketë një trend të ngjashëm në rënie, me rreth 2% më pak krahasuar me vitin e kaluar. Më shumë fruta ka gjithashtu të ngjarë të përdoren për përpunim për shkak të cilësisë më të ulët dhe kostove më të larta të ruajtjes.

Dërgesat e qumështit në BE mbeten mjaft të qëndrueshme dhe vlerësohet të rriten me 0.3% në vitin 2023. Çmimet e qumështit të papërpunuar në BE kanë ardhur në rënie që nga fillimi i vitit. Edhe pse kostot e energjisë, plehrave dhe ushqimeve për kafshët kanë filluar të ulen ngadalë, ato mbeten të larta, duke dëmtuar prodhuesit e qumështit të BE-së.

Prodhimi i djathit parashikohet të jetë 1% më i lartë në vitin 2023 se vitin e kaluar. Lehtësimi i inflacionit të ushqimeve në BE ka të ngjarë të ketë një ndikim pozitiv edhe në përdorimin e brendshëm (+0.2%). Përtej pritshmërive, prodhimi i produkteve të qumështit të freskët është në rritje (ajka dhe qumështi i pijes). Duke qenë se eksportet e BE-së nuk kanë gjasa të zgjerohen për shkak të kërkesës në rënie në Kinë, vëllimet shtesë ka të ngjarë të konsumohen brenda vendit, çka tregon një rezistencë më të lartë ndaj rritjes së çmimeve sesa produktet e tjera me origjinë shtazore.

Evropianët do të vazhdojnë të hanë më pak mish. Në përgjithësi, konsumi i mishit për frymë në BE pritet të ulet me 1.5% në vitin 2023 për shkak të inflacionit të çmimeve dhe ofertës më të ulët në treg. Rënia është më e fortë për konsumin e mishit të viçit (-3,5%) dhe mishit të derrit (–5,2%) ndërsa konsumi i mishit të shpendëve do të rritet me 4,3%. Çmimet për viçin dhe shpendët mbeten të larta, për shkak të ofertës më të ulët. I mbështetur nga një prodhim i rikuperuar, shpendët mbeten një nga burimet më të lira të proteinave shtazore për konsumatorin. Prodhimi i mishit të deleve në BE pritet të jetë në rënie.

Kështu, si përfundim, duke marrë modelin europian, në vend të shpikjeve për zhvillimin e bujqësisë dhe të ekonomisë sonë, duket të rikthehet një farë “planifikimi’ dhe përgjegjshmërie edhe nga politikbërësit shqiptarë, me qëllim që tranzicioni t’i jepet fund sa më parë.   /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH