Aranit Muraçi
Si të mos mjaftojë rritja e pashpjegueshme e çmimeve gjatë dekadës së fundit, me vendim të qeverisë për të ndryshuar çmimet e referencës së pronave, apartamentet në Tiranë sipas paralajmërimit të ndërtuesve do të jenë 20 deri në 30 për qind më të larta se ato që janë sot, në një kohë kur duhet të ndodhte e kundërta.
Nga ana tjetër, Armando Shkëmbi, agjent imobilar pranon se tregu ynë “është në fakt i pashpjegueshëm”. Ai thotë se në Tiranë janë rreth 40 apo 50 mijë apartamente bosh, të cilat nuk dalin në treg as me qira dhe as për shitje, e për pasojë ndihmojnë në një kërkesë që vjen vazhdimisht në rritje dhe çon në rritjen e çmimit.
Sipas tij, taksimi i apartamenteve të pa shfrytëzuara do të sillte një rritje të sasisë së pronave të disponueshme në treg, dhe si rrjedhojë e një oferte më të madhe, çmimet në treg do të harmonizoheshin, duke krijuar një ofertë pronash më të lira.
Edhe në perëndim pronat taksohen me qëllim që ato mos të ngelen bosh dhe të mos ndikojnë në rritjen e çmimit. Por duket se politikat e ndërtuara deri tani kanë qenë favorizuese për ndërtuesit, pronarët që zotërojnë më shumë se dy apartamente dhe jo për shumicën e qytetarëve, ose edhe për interesin publik. Për shembull asgjë nuk është parashikuar deri më tani për t’iu ardhur në ndihmë studentëve, në një kohë kur kriza e çmimeve e ka bërë më të shtrenjtë dhe më të papërballueshme jetesën, qoftë për ta qoftë edhe për të rinjtë, edhe në vendet më të zhvilluara të Europës.
Si paradoks, qeveria siç edhe e justifikoi, për të shmangur krizën e sektorit të ndërtimit duke qenë se është rritur çmimi i lëndëve të para i subvencionoi ndërtuesit pak kohë më parë që të ndërtonin më tepër, si duket me qëllim që ata të shtojnë stoqet e të ngrenë akoma më tepër çmimet e apartamenteve. Por nuk ka menduar asgjë për ata të cilët në fakt kanë nevojë për ndërhyrjen dhe mbështetjen e qeverisë para se të jetë vonë. Që do të thotë, para se të largohen!
Çfarë ndodh me tregun imobilar në BE?
Qiratë dhe çmimet e banesave në BE kanë vazhduar rritjen e tyre të qëndrueshme edhe në vitin 2022. Por çmimet dhe qiratë e banesave në BE kanë ndjekur një rrugë të ngjashme midis 2010 dhe tremujorit të dytë të 2011.
Pas një rënie të mprehtë midis tremujorit të dytë të 2011 dhe tremujorit të parë të 2013, në vendet e BE-ë sipas Eurostat çmimet e banesave mbetën pak a shumë të qëndrueshme midis 2013 dhe 2014. Pas një rritjeje të shpejtë në fillim të vitit 2015, çmimet e banesave u rritën më shpejt se qiratë.
Nga viti 2010 deri në tremujorin e dytë të vitit 2022, kur edhe janë publikuar të dhënat e fundit sipas Eurostat, qiratë u rritën me 18% dhe çmimet e banesave me 48%.
Çmimet e shtëpive janë më shumë se dyfishuar në disa vende si në Estoni, Hungari, Luksemburg, Letoni, Lituani, Çeki dhe Austri. Duke përjashtuar Luksemburgun, që është mikroshtet, i vetmi shtet perëndimor ku janë rritur ndjeshëm qiratë dhe çmimet e banesave është Austria.
Kur krahasojmë tremujorin e dytë të vitit 2022 me vitin 2010, çmimet e banesave u rritën më shumë se qiratë në 19 shtete anëtare të BE-së. Gjatë kësaj periudhe, çmimet e banesave u rritën në 24 Shtete Anëtare të BE-së dhe u ulën në tre. Ato u dyfishuan në Estoni (+196%), Hungari (+168%), Luksemburg (+135%), Letoni (+131%), Lituani dhe Çeki (të dyja +130%) dhe Austri (+121%). Ulje të çmimit të banesave u vunë re në shtetet tona fqinje të BE-së, si në Greqi (-23%,), Itali (-8%) dhe Qipro (-6%).
Kur krahasojmë tremujorin e dytë të vitit 2022 me 2010 për qiratë, çmimet u rritën në 25 shtete anëtare të BE-së dhe u ulën në dy, me rritjet më të larta në Estoni (+214%), Lituani (+139%) dhe Irlandë (+82%). Ulje u regjistruan në Greqi (-24%) dhe Qipro (-0.2%).
Pra, në vendin tonë fqinj janë ulur çmimet e banesave dhe të qirave, duke e bërë atë më atraktive për fuqinë punëtore. Sektorët kryesorë të ekonomisë së Greqisë, si bujqësia dhe turizmi, për arsye se strehimi është më pak i kushtueshëm po tërheqin gjithnjë e më shumë fuqi punëtore nga Shqipëria. Qoftë edhe punëtorë sezonalë, duke i shkaktuar një dëm të madh tregut vendas, me kapacitete të mëdha prodhuese.
Pse nuk sillemi si Greqia dhe Austria?
Paradoksalisht edhe pse shqiptarët shumë më tepër në numër sesa grekët të cilët janë larguar gjatë dekadës së fundit për të punuar dhe jetuar në vende të tjera, që do të thotë se popullsia po pakësohet ndonëse paralelisht edhe ndërtimet në Shqipëri po shtohen, çmimet e banesave dhe të qirave thuajse janë dyfishuar gjatë dekadës së fundit në mënyrë të pashpjegueshme.
I vetmi vend perëndimor, të cilit sipas shifrave zyrtare i është dyfishuar çmimi i banesave dhe i qirave, është Austria. Vjena sipas “The Economist” u shpall qyteti më i mirë në botë për të jetuar edhe në vitin 2023. Mungesa e ndërtimeve ndryshe nga çfarë ndodh në Shqipëri dhe kërkesa e madhe, përfshirë edhe faktin që Austria pret emigrantë, ka çuar në dyfishimin e çmimit të banesave dhe qirave. Por qeveria austriake pak kohë më parë propozoi aplikimin e çmimit tavan, me qëllim për të mos dekurajuar të rinjtë dhe studentët, që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre në Austri, edhe pse po flasim për një ndër vendet më të zhvilluara në botë.
A nuk është e tepërt për Shqipërinë që të lejojë ende që shumica e qytetarëve, sidomos të rinjtë dhe studentët, të mos e shohin të ardhmen në vendin e tyre nisur nga fakti i thjeshtë që çmimi i qirave dhe i banesave është i papërballueshëm me të ardhurat mesatare që ata sigurojnë?
A nuk është koha të ndërhyhet me qëllim rregullimin e tregut imobilar, para se të jetë vonë, ose e thënë ndryshe, mos presim të bien çmimet kur të mos ketë më qytetarë për të blerë? /Liberale.al/