Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 20,9% të dhive në vendin tonë i rrit Vlora, “akademia e barinjve” po jep rezultat!

Shkruar nga Liberale

Aranit Muraçi

Bujqësia është sektori kryesor i ekonomisë sonë, si për sa i përket prodhimit, ashtu edhe punësimit.  Për këtë arsye, sektori ku duhet të kishte pasur më shumë vëmendje dhe investime se në çdo sektor tjetër, çuditërisht ka mbetur në harresë. Prej 30 vitesh, për fermerët dhe blegtorët shqiptarë është kujtuar dhe është shqetësuar më shpesh Bashkimi Europian, se qeveritë tona të tranzicionit. Me bujqësinë dhe blegtorinë shqiptarët kanë një histori dhe përvojë të gjatë, aq sa edhe Naimi një nga poemat e tij e titulloi “Bagëti dhe Bujqësi”. Por nga politikat e gabuara që janë ndjekur, ky sektor ka mbetur në mëshirë të fatit, duke i detyruar të rinjtë të largohen dhe ta gjejnë veten diku tjetër, përmes emigracionit.

Mungesa e investimeve dhe strategjia që duhet të ishte ndjekur për të zgjidhur probleme të mbartura ndër vite, siç është ai me pronat, roli i dobët e shtetit për t’i  garantuar fermerit shitjen prodhimit, ose për ta dëmshpërblyer atë mbi dëmet natyrore, për ta asistuar dhe jo për ta penguar në njohjen e legjislacionit në mbështetje të tij, ndarjes së drejtë të përfitimeve, është shoqëruar me demoralizim dhe me largimin e vazhdueshëm të tij nga vendi.

E teksa pritet të japë rezultate pozitive “Akademia e barinjve”, siç premtoi dhe shpreson ministrja përkatëse e Bujqësisë, largimi masiv i të rinjve nga zonat rurale të vendit ka bërë që të barinjtë e së ardhmes jo vetëm që kanë më pak shanse të bëhen “akademikë”, por po pakësohet ndjeshëm edhe numri i bagëtive dhe si rrjedhojë po bie, po ashtu rendimenti i disa prej produkteve bazë të ushqimit si qumështi dhe nënproduktet e tij, mishi, veza etj.

Bujqësia përbën më shumë se 20 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Por kur fermeri, e zëmë, prodhon në një vit më tepër mollë, nga rënia e çmimit dhe mungesa e tregut, ai jo vetëm që nuk mbulon kostot por detyrohet t’i hedhë prodhimet në kanal. Kështu ndodh vetën në vendin tonë kur prodhohet mbi nevojat që ka tregu, me produktet e tjera frutore apo edhe me zarzavatet. Shembull konkret ishte prodhimi i ullirit këtë vit me një rritje rreth 40 për qind krahasuar me një vit më parë.

Nëse në vitin 2021 u prodhuan afro 110 mijë ton ullinj, gjatë vitit që lamë pas, prodhimi arriti në 152.624 tonë dhe kjo i futi në vështirësi fermerët për shitjen e vajit të ullirit, duke i demoralizuar ata aq, saqë vitin tjetër të mos mendohen dy herë, por të shkojnë dhe të punojnë në vendet e BE-së, si në Greqi, për të vjelë prodhimet e fermerit grek, duke qenë se atij për çdo gjë që nga mbjellja dhe deri në shitje, për çdo prodhim në bujqësi dhe blegtori, i del garant shteti.

Le t’i referohemi shifrave të fundit zyrtare të INSTAT dhe Eurostat, mbi të dhënat në blegtori, ku veç të tjerash, ka edhe paradokse që nuk i has në asnjë vend tjetër. Vlora, qarku ku duhet të fokusohej turizmi mban vendin e parë gjatë viteve të fundit, në shtimin e dhisë, duke kaluar të gjitha qarqet me reliev malor, kurse Lezha me reliev fushor mban vendin e fundit në shtimin e deleve, nw shkallw vendi.

Referuar strukturës së blegtorisë për vitin 2021, numri më i madh i krerëve të blegtorisë përfaqësohet nga gjedhët me 42,9% ndaj numrit gjithsej të krerëve, ndjekur nga të imtat me 31,2%, shpendët me 11,0%, njëthundrakët me 8,0% dhe derrat me 6,9%.

Qarku i parë me mbarështimin e gjedhit është Fieri me 17,2% ndaj numrit gjithsej të krerëve të gjedhit, ndërsa Gjirokastra është qarku me numrin më të vogël të gjedhit, me 3,4% ndaj numrit gjithsej të krerëve. Qarku më numrin më të madh të mbarështimit të deleve është Vlora që ka aktualisht 23,7% të numrit të përgjithshëm të krerëve në shkallë vendi, si dhe qarku i Korçës dhe i Fierit respektivisht me 16,5% dhe 15,2%. Nga ana tjetër, Lezha është qarku më pak blegtorë për mbarështimin e të leshtave me 1,8% ndaj numrit gjithsej të krerëve në të gjithë vendin, edhe pse terreni fushor e favorizon më tepër se disa qarqe të tjera të vendit. Edhe sa i përket mbarështimit të dhive, Vlora me 20,9% mban vendin e parë. Paradoksalisht, ndonëse ka klimën dhe mjedisin më të përshtatshëm për rritjen dhe zhvillimin e tyre, Kukësi është qarku i cili ka numrin më të vogël të dhive me 2,7%.

Përqendrimi më i madh i mbarështimit të derrave është në qarkun e Lezhës me 35,7% dhe të Fierit me 19,3%, ndaj numrit të përgjithshëm të krerëve. Kukësi është qarku më pak blegtorë për rritjen e numrit të derrave. Qarqet me më shumë shpendë janë Fieri me 20,9% dhe Durrësi me 19,4%, ndërsa Kukësi është rajoni që ka numrin më të vogël të shpendëve me 1,3% ndaj numrit gjithsej të krerëve.

Sa i përket prodhimit të qumështit për vitin 2021, qumështi i lopës 84,8%, qumësht dele 7,9% dhe qumësht dhie 7,3%. Prodhimi i qumështit nga lopët për vitin 2021 ishte 4,2% më pak krahasuar me prodhimin e vitit 2020. Prodhimi i qumështit nga delet për vitin 2021 është 1,6% më pak se në vitin 2020.

Prodhimi i mishit peshë e gjallë, në nivel vendi për vitin 2021, është 1,5% më i ulët krahasuar me vitin 2020. Struktura e prodhimit të mishit për vitin 2021, është mish nga gjedhët 40,6%, mish nga të imtat 33,7%, mish nga shpendët 14,9% dhe mish nga derri 10,8%. Qarqet me prodhimin më të lartë të mishit peshë e gjallë janë: Fieri me 20,9% dhe Vlora me 13,2%. Qarku me prodhimin më të ulët është Kukësi me 3,4% ndaj prodhimit të përgjithshëm të mishit peshë e gjallë.

Prodhimi i vezëve në vitin 2021 ka shënuar rritje me 4,4% krahasuar me vitit 2020. Qarku me prodhimin më të lartë të vezëve është Durrësi me 30,5% ndaj prodhimit të përgjithshëm të vezëve, ndërsa qarqet më pak kontribues janë Gjirokastra dhe Kukësi, respektivisht me 1,6% dhe 1,4% ndaj prodhimit të përgjithshëm.

Korça zë vendin e parë me 15,2% ndaj numrit të përgjithshëm të koshereve të bletëve, ndërsa Durrësi përfaqëson numrin më të vogël me 3,3%. Prodhimi i mjaltit ka shënuar një rritje me 5,1% krahasuar me vitin 2020. Qarqet ku është shënuar prodhimi më i lartë janë Shkodra me 18,9% dhe Vlora me 15,3% të prodhimit të përgjithshëm. Qarku me prodhimin më të ulët është Durrësi me 2,9% ndaj prodhimit të përgjithshëm të mjaltit.

/Liberale.al/

 

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH