Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 20 mijë të punësuarit shtesë dhe “përpjekjet titanike" të Administratës Publike për kapacitete të kualifikuara njerëzore!

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 20 mijë të punësuarit shtesë dhe

Aranit Muraçi

Edhe pse rritet vazhdimit numri, ndonëse buxheti i shtetit shpenzon shumë për kualifikime dhe trajnime, duke mos llogaritur shpenzimet e universiteteve publike, mungesa e burimeve të duhura njerëzore po kthehet në një rrezik kryesor për Administratën Publike. Haset mungesë ekspertize në drejtësi, ekonomi, mjekësi, inxhinieri dhe në çdo fushë tjetër, ndonëse kudo qarkullon një numër i lartë të diplomuarish të cilët nxjerrin në pah një tjetër defekt të sistemit tonë: deficitin e madh të pseudokualifikimeve.

Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se numri i të punësuarve në Administratën Publike arriti në rreth 190 mijë në fund të vitit 2022 (zyratrisht 186 mijë në muajin qershor 2022), nga rreth 163,885 që ishin në vitin 2014.

Edhe pse Administrata është fryrë me 20 mijë të punësuar të tjerë, Ministria e Financave në rishikim të Strategjisë se Menaxhimit të Financave publike vlerësoi se mungesa e burimeve njerëzore ishte bërë pengesë për arritjet në pikat kyçe politikës fiskale që nga hartimi i planeve dhe projekteve deri tek realizimi i treguesve.

“Për sa i përket rregullave fiskale, sfida kryesore lidhet me trajnimin e stafit të sektorit për analiza dhe statistika. Për të kapërcyer këtë problem, ata po planifikojnë të ndjekin trajnimet e organizuara nga ASPA për zonën e tyre. Në lidhje me zhvillimin e politikave dhe qeverisjes strategjike, risku kryesor i materializuar ishte mungesa e stafit. Për ta zbutur këtë risk gjatë vitit 2022 janë hapur procedurat e rekrutimit. Procedurat e reja të rekrutimit do të vazhdojnë edhe në vitin 2023” thuhet në raportin e Ministrisë së Financave, në dokumentin e Monitorimit.

Mungesa e stafit dhe ekspertëve është shqetësim madhor pothuajse në të gjitha funksionet.

Studiuesit e lidershipit bien në ujdi se një i tillë kërkon 50 për qind talent dhe pjesë tjetër i përket të mësuarit.  Deri diku edhe aftësitë individuale i përgjigjen këtij rregulli. E ndërsa studimet e shumta të teorive të ndryshme ekonomike në vendet e zhvilluara evidentojnë rëndësinë që ka talenti dhe kualifikimi i punonjësve në zhvillimin e një organizate, në vendet në zhvillim ose ato më pak të zhvilluara, këto sugjerime bien shpesh në vesh të shurdhët. Nëse do të ndodhte e kundërta, vendet e zhvilluara nuk do të përballeshin me probleme dhe sfida të ngjashme ekonomike e sociale. Tingëllon ironike që teoritë të tilla, edhe pse janë huazuar nga vendet e zhvilluara dhe u transmetohen studentëve, në praktikë gjejnë pak zbatim, për të mos thënë aspak. Shtrohet pyetja: Universitetet publike, a kanë zbuluar, vlerësuar dhe i kanë rekomanduar qeverisë ndonjë talent, sikurse e njëjta pyetje u vlen atyre edhe për oborrin e tyre akademik. Pra nëse kanë zbuluar burimet e nevojshme për të qenë më konkurrues në rajon?

Ashtu si buxheti i një familjeje, edhe ai i shtetit, karakterizohet nga të ardhurat dhe shpenzimet. Ashtu si janë rritur me kalimin e viteve të ardhurat dhe shpenzimet për familjet shqiptare dhe mund të jenë trefishuar mesatarisht,  në këto 20 vite e njëjta gjë duket se ka ndodhur edhe me buxhetin e shtetit shqiptar, i cili është karakterizuar nga rritja e shpenzimeve, por është e vështirë të thuhet se kjo është shoqëruar me cilësi në shërbime ose që kanë pasur si qëllim përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Shpenzimet totale të Buxhetit të Shtetit janë pagesa të pakthyeshme që bën qeveria për realizimin e funksioneve të saj (shëndetësi, mbrojtje, arsim, ruajtja e rendit, etj.).

Në total, Shpenzimet e Buxhetit të Shtetit kanë ardhur në rritje vit pas viti, me përjashtim të viteve 2010, 2012, 2015 dhe 2016 kur është shënuar ulje e tyre në vlerë. Nga viti 2005, shpenzimet qeveritare janë rritur me 2.8 herë, nga 259 miliard lekë në rreth 651 miliard lekë.

Raporti i Shpenzimeve Totale ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto ka qëndruar rreth nivelit 30%, ku pikun e ka arritur në vitin 2009, me 33.1% ndërsa minimumin në vitin 2012 me 28.2% e PBB-së.

Në Buxhetin e Shtetit 2020 u krijua një fond i posaçëm i quajtur Fondi i Rindërtimit, me qëllim përballimin e pasojave të tërmetit (Fondi i Rindërtimit u shënua si kategori më vete në ligjin e Buxhetit të Shtetit 2020, ndërsa në ligjet pasardhëse u bë pjesë e kategorisë Shpenzime Kapitale). Në vitin 2020 krahas Fondit të Rindërtimit që ishte në vlerë 16.6 miliard lekë, ligjvënësit krijuan edhe një fond tjetër për shkak të pandemisë globale të Covid 19. Pjesë e Fondit Rezervë u krijua një zë “Kontigjenca për Paketën Sociale anti-Covid19”. Për këtë zë të buxhetit shkuan 12.05 miliard lekë, ose sa 2.25% e shpenzimeve totale. Fondi i Rindërtimit u zbatua përmes projektimeve dhe kontraktimeve me Legjislacion Special, duke rritur riskun e keq menaxhimit. Ndërkohë legjislacioni i Aplikuar për këto procedura është ankimuar edhe në Gjykatën Kushtetuese si legjislacion që kufizon liritë ekonomike si liri Kushtetuese dhe krijon potencial për klientelizëm. E njëjta gjë si edhe tregojnë ngjarjet e fundit ka ndodhur me përballimin e sfidave të shëndetësisë.

Thuajse në 20 vite është ndjekur e njëjta praktikë, pa asnjë lloj kujdesi ose përgjegjësie për rëndësinë që kanë burimet njerëzore, qoftë n zbulimin apo edhe në evidentimin e talentit dhe të aftësisë, përmes të cilëve nuk mund të konceptohet dot zhvillimi, si në një organizatë ashtu edhe në nivel kombëtar për ekonominë e vendit.

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH