Aktualitet

SHIFRA E DITËS: 2 miliardë lekë humbja deri tani e shqiptarëve prej rënies së euros, çfarë pritet në vijim?

Shkruar nga Liberale
SHIFRA E DITËS: 2 miliardë lekë humbja deri tani e

Nga Aranit Muraçi

Rënia e euros ka ulur me 3 % pasurinë e shqiptarëve në banka, sepse nga të dhënat rezulton se më shumë se gjysma e depozitave në sektorin bankar shqiptar dominohen nga monedha europiane. Nëse në fillim të këtij viti kursimet në euro vlenin 68 miliardë lekë, sot ato vlejnë 66 miliardë lekë, ose rreth 2 miliardë lekë më pak.

Gjatë javës së fundit dollari amerikan ia kaloi euros në tregun e këmbimit valutor ndërkombëtar, ndërsa në kursin vendas monedha europiane ka arritur nivelin më të ulët historik 117.2 lekë. Nga ana tjetër dollari kushton 116.7 lekë. Megjithatë, veç individëve dhe bizneseve që posedojnë euro, rënie e monedhës europiane nuk pritet të ketë ndonjë impakt në ekonominë shqiptare. Kjo për arsyen se monedha zyrtare e vendit tonë është Leku. Edhe pse volumin e shkëmbimeve tregtare e zë zona e Bashkimit Europian, importuesit vendas janë përgatitur për luhatjet e mundshme të monedhave të huaja. Më tepër humbje pritet të kenë vendet e Eurozës që importojnë produkte nga Shqipëria. Ndërkohë sfidën kryesore Euro e ka me monedhat e tjera më të fuqishme në botë, siç është dollari amerikan.

Si do të ndikojë rënia e euros në 19 vende të Eurozonës që përdorin monedhën? Çfarë pritet në muajt e ardhshëm?

Euro dhe dollari amerikan u barazuan të martën, që do të thotë se një dollar mund të blinte një euro në tregun valutor. Për më shumë se dy dekada, duheshin më shumë se një dollar amerikan për të blerë një euro. Vetëm një vit më parë u deshën rreth 1.2 dollarë amerikanë për të blerë një euro. Rënia e euros kundrejt dollarit, e shkaktuar nga lufta në Ukrainë dhe frika në rritje e recesionit në Evropë, i ka shtyrë javën e fundit dy monedhat më të fuqishme në barazi për herë të parë në dy dekada. Madje si të mos mjaftonte kjo, ditët e fundit të javës dollari ka kapërcyer mbi vlerën e euros.

Monedha e përbashkët evropiane u ul në 0,9952 dollarë të enjten - nivel që nuk ishte parë që nga fundi i vitit 2002, vit kur u prezantua kjo monedhë zyrtarisht. Rënia e vendos atë në një nga vitet më të këqija në historinë e tij, veçanërisht nëse tronditja e çmimit të energjisë, e shkaktuar nga konflikti në Ukrainë, e fut bllokun në një krizë të zgjatur ekonomike. Por tregtarët dhe ekspertët europianë besojnë se euro mund të rimëkëmbet, me kusht që të zgjidhen disa pengesa në muajt e ardhshëm. E para që duhet të kapërcehet është shmangia e rrezikut të ndalimit të furnizimit me gaz rus në Evropë, gjë që do të shkaktonte rritje të mëtejshme të çmimeve të energjisë elektrike dhe do të detyronte vendet e eurozonës të kufizojnë disa aktivitete industriale.

Duke qenë se gjiganti rus i gazit Gazprom ka paralajmëruar se nuk mund të garantojë më tej nëse tubacioni do të funksionojë siç duhet, vendet evropiane kanë frikë se Moska do të përdorë një “arsye teknike” për të ndaluar përgjithmonë furnizimet dhe për të ushtruar presion mbi to. Presidenti francez Emmanuel Macron tha të enjten se Rusia po e përdorte energjinë "si një armë lufte". Nëse Nord Stream 1 “nuk ndizet sërish, euro bie pasi shkakton tronditje ekonomike që do të ndihen në mbarë botën, kurse  kriza evropiane e energjisë mund të shkaktojë një recesion,” paralajmëroi Stephen Innes, një analist i “SPI Asset Management”.

Recesioni nënkupton se, në mënyrë të pashmangshme, tregu të bëhet edhe më i pasigurt mbi rreziqet e fragmentimit në eurozonë”, shtoi Jane Foley, specialiste e këmbimit valutor në Rabobank. Ashtu si bankat e tjera qendrore, Banka Qendrore Evropiane po kërkon të shmangë rënien e ekonomisë, duke i rritur ndjeshëm normat.

Por hartuesit e politikave monetare duhet të shqetësohet edhe për një fragmentim të mundshëm të tregut të borxhit, me diferenca të mëdha, në normat e huamarrjes në të gjithë eurozonën.

BQE ka ndjekur deri më tani një politikë monetare të lirshme për të mbështetur ekonominë, ndërsa SHBA, në vend të kësaj, ka rritur normat dhe premton se do të vazhdojë ta bëjë këtë për të luftuar inflacionin. SHBA do ta shpallë vendimin e politikës së saj monetare të enjten dhe ka treguar se do të rrisë normat për herë të parë në 11 vjet, me qëllim për të luftuar inflacionin që shkoi në një nivel rekord prej 8.6%.

Dobësia e monedhës përkeqëson inflacionin. Megjithatë, BQE nuk mund të rrezikojë shtrëngimin e politikave agresive nga frika se mos e kthen rritjen ekonomike në drejtim të kundërt. Për ekonomistët e Berenberg, rënia e euros i atribuohet më shumë fuqisë së dollarit, i cili është "vlerësuar më shumë kundrejt një shporte të gjerë valutash që nga mesi i vitit 2021".

Dollari ka përfituar nga shtrëngimi i politikës monetare prej Fed (Rezerva Federale), )teksa përpiqet të kufizojë inflacionin, i cili arriti sërish në nivele rekord në qershor. Nëse furnizimet ruse me gaz i kthehen normalitetit, ekspertët besojnë se euro mund të largohet nga barazia me dollarin në muajt e fundit të vitit 2022. /Liberale.al/

Liberale Newsroom

Poll
SHQIPENGLISH